LAJMI I FUNDIT:

E vërteta e përleshjes në mes të serbëve dhe Policisë së Kosovës

E vërteta e përleshjes në mes të serbëve dhe Policisë së Kosovës

Në magjistralen Pejë-Prishtinë të hënën kishte ndodhur një përleshje e gjashtë personave serbë me Policinë e Kosovës nga Rajoni i Pejës.

Gazeta “Epoka e re” nga burime brenda Policisë së Kosovës ka mësuar se deri te përleshja ka ardhur pasi serbët në magjistralen Prishtinë-Pejë e kanë prishur rendin dhe kanë provokuar qytetarët me flamurin e Serbisë.

Qytetarët e kanë njoftuar Policinë dhe kur kjo e fundit i ka ndaluar qytetarët serbë në fshatin Ramun, ata nuk i janë bindur urdhrave dhe i kanë sulmuar policët e Kosovës.


“Gjashtë persona kanë qenë në një aheng në fshatin Poterq dhe gjatë rrugës në drejtim të Pejës ata kanë bërë telashe e provokime dhe qytetarët kanë thirr në 192 dhe më pas policia e ka shpërndarë informatën. Në fshatin Ramun një patrullë e Policisë e përberë nga dy policë e ka ndalë një veturë në të cilën kanë qenë tre persona, por pa filluar komunikimi me ta ka mbërritur edhe vetura e dytë me serbë dhe pa urdhër të policisë është ndalur dhe menjëherë kanë filluar të bëhen agresivë, duke i sulmuar policët, të cilët më pas kanë kërkuar ndihmë. Edhe pas mbërritjes së përforcimeve qytetarët serbë nuk janë dorëzuar dhe kanë vazhduar të rezistojnë”, ka thënë burimi i gazetës.

Sipas të njëjtit burim gjashtë serbët, të cilët kanë qenë edhe nën ndikim të alkoolit, janë dërguar në mbajtje, kurse njëri nga ta është edhe polic aktiv në Serbi.

Ndryshe, katër policë të Kosovës kanë marrë lëndime të lehta në këtë rast.