LAJMI I FUNDIT:

Dy dilema

Dy dilema ekzistojnë që nga krijimi i botës, është dilemë thelbësore a mundemi për të parë ndonjë film ndryshe, gjithmonë shpresa dhe besimi e ka mundur pesimizmin, për këtë arsye populli ka thënë “duhet të kapësh edhe për fije kashte”…

Njerëzimi endet në mes të një antagonizmi dhe dileme të thellë. Si do të dukej bota sikur të mos ekzistonte rrëfimi për Kainin dhe Abelin biblik, edhe këtë rrëfim e përcjellin dy dilema, si do të dukej Kosova kjo zonjë e rëndë që “burrat e dheut e thërrasin nënë” sikur një njeri i këtij vendi i quajtur Ibrahim Rugova nuk do të fillonte në fillim të nëntëdhjetave lëvizjen properëndimore për pavarësi dhe si do të dukej nëse UÇK-ja nuk do të fillonte në fund të nëntëdhjetave luftën e armatosur po për pavarësi, ndoshta ekzistojnë ende dy dilema por këto dy lëvizje më duket që janë e njëjta medalje e idesë për shtet që e kompletojnë njëra tjetrën…


Kështu duket edhe nga një fakt tjetër dytësor se debati mbi ’’tradhtarët dhe heronjtë’’ ka rënë nga intensiteti për të mos thënë se ka rënë në fund të pusit kështu që ne mes të këtyre dy dilemave nuk ka më tregim përjashtues nën emocionet e daulleve politike.

Të paramendojmë këtë Kosovën tonë të dashur në një moment rezignate se si do të dukej sikur të mos e vidhnim me teshë e koteshë në këtë kohë të ekzistencës de jure dhe de fakto shtet i mbikëqyrur. A duhet të zgjohen nga gjumi elitat politike dhe intelektuale të këtij vendi kur pothuajse çdo njeri po kërkon të largohet nga atdheu i cili për ta bërë është dashur të përgjaket dhe të shkatërrohet secila familje e këtij vendi.

Nuk jam ai në fotografi…

Derisa po pija kafe në kafiterinë ‘’Zagreb 1984’’ që është ngritur në kujtim të studentëve gjakovar që patën lënë përshtypje të shkëlqyer në turneun e futbollit të vogël në kryeqytetin kroat më afrohen si me drojë dhe hezitim tre të rinj që u deklaruan se janë nga Rahoveci të cilët me pyeten se a mos jam nga ata që dërgojnë njerëz jashtë Kosove. Kur e morën përgjigjen se nuk jam ai njeri që po e kërkonin, më thanë se na jeni dukur i ngjashëm dhe po kërkojmë me çdo kusht të gjejmë ndonjë lidhje për të u larguar për në shtetet perëndimore. Çdo koment ishte i tepërt përballë presionit që e ndjenin këta të rinj. I lashë të dëshpëruar se nuk isha ai në fotografinë e ‘’shpëtimit ‘’ që po e kërkonin me ngulm këta djelmosha drejt një jetë më të mirë apo vetëm një shprese të vrarë reje…

Dilemë pas dileme…

Në të gjithë librat teologjikë në të cilët njerëzimi lutet dhe frikësohet vjedhja është akt i dënueshëm, pse jo edhe i turpshëm. Stërgjyshërit tanë është thënë sa e sa herë se kanë jetuar në nder dhe krenari të varfër. Është thënë edhe për të na bërë krenar dhe për të na forcuar unin ne bijve të shqipes. Në të kundërt si po deklarohet retorika e përditshme, gojëtaria e netëve të vona të vjedhësh është krenari.

Në tërë Kosovën dëgjon deklarime të tipit për zyrtar të vegjël e të mëdhenj të cilët nuk kishin ‘’bukë për të ngrënë’’ e me një dorë të vogël pushteti bënë vila e pasuri… Dhe shih paradoksin nuk është për turp tërë ky rrëfim është krenari dhe mit modern i atdheut të shqipeve, se filan fistekët e atdheut tonë të maskuar pas xhepave të pushtetit me tërë lojerat e buxhetit dhe tenderëve i kanë rënë shqelm fukarallëkut.. Vërtetë dy dilema kujt ti besojë njeriu në këtë rrjedhojë kohe librave teologjike të të gjitha religjioneve bërë bashkë apo rrëfimeve mbi letër të shpallur që quhet Tender.

Pikërisht kjo letër me vlerë u bë ‘’shpirti patriotik’’ i Kosovës së pasluftës në vend të një përpjekje të vështirë por të dobishme për ringjallje dhe program ekonomik nga rrënojat e një etnocidi etnik dhe ekonomik të programuar nga shteti serb.

Qyteti dhe Pali…

Për kryetarin e Gjakovës ka një mendim interesant për rrethanat kosovare, konsiderohet përgjithësisht në opinion si i pakorruptueshëm dhe deri me tani i pagabueshëm gjithmonë nën logjikën e rrethanave dhe specifikave nëpër rrugët nganjëherë të vështira të pushtetit dhe qeverisjes. Kjo analogji e një mendimi gjerësisht pozitiv ka një shpjegim në një traditë familjare me vite të punës në perëndim dhe në faktin e papërmisueshëm se nuk ka pasur nevojë ti bie shqelm fukarallëkut, simbolikë domethënëse e Kosovës së pasluftës, pothuajse tërë buxhetin e ka dërguar në investim publik dhe anketimet e opinionet paraprake e parathonë kryetar dhe fitues të zgjedhjeve edhe për një mandat.

Duket se qyteti dhe Pali nuk mund të shkëpusin lehtë kontratën, një shembull pozitivizmi dhe shprese në mjegullën e pushtetit në Kosovë. Kryetari i Gjakovës duket po ashtu se ka thyer të gjitha tabutë zgjedhore në logjikën e zgjedhjeve në Kosovës. Ekziston një dilemë se e përcjellë një mangësi e vogël në një pjesë të ekipit qeverisës të cilët duhet të mendojë ti ndryshoj me njerëz më të përgjegjshëm që nuk tregojnë ‘’dokrra të hinit’’.

E mora këtë shembull për ti dhënë pakëz shkëlqim shkrimit dhe për të konstatuar se në mesin e dilemave kosovare ka edhe dilema pozitive.,Kutitë e 15 nëntorit do të tregojnë për dilemën në mes të qytetit dhe Palit. Të gjitha shenjat parathonë se është betejë e fituar nga kryetari aktual si shembull në masë të madhe i një punë të dobishme për qytetarët…

Optimizëm dhe pesimizëm…

Në shumë anketime dhe opinione shqiptarët e Kosovës konsideroheshim ndër popujt më optimist në botë, optimizëm që kishte një shpjegim racional të një euforie të pakontrolluar të dalë nga një periudhë postkonflikti por sot po këputen edhe shenjat e fundit të optimizmit nga rrëfimet për situatën ekonomike tërësisht të pashpresë sa që asnjë rrëfim i karakterit politik nuk është më i besueshëm.

Shenjat e optimizmit po shkëputen thellë nga pesimizmi i një shteti që në muajt korrik-gusht të këtij viti ka qëndruar më tepër në terr se në dritë nga ‘’rëniet e sistemit’’ të korporatës së KEK-ut, një shtet i ngulfatur nga partizmi dhe partizanët, nepotizmi, preferencat e paracaktuara tenderuese pa një program dhe projekt ekonomik po ngulfatet nën ‘’pavarësinë e mbikëqyrur’’ ndërsa mbikëqyrësit duket se po bëjnë sehir nëse kemi për bazë misionin e tyre përballë protektoratit që po vdes…

Pesha e kryqit dhe rruga e dytë…

Diku është një rrugë e dytë, krejtësisht ndryshe nga elementet ‘’ogurzeza’’ të këtij shkrimi, kështu thotë ëndrra në pritje…Vetëm se na duhet përgjegjësi, programe ekonomike, ndihmë, shpresë dhe largim nga veset dhe virtytet e mashtrimit folklorik…Dashtë zoti e kam gabim… Rrëfimi tjetër thotë se asgjë nga ky shkrim ‘’nuk është e vërtetë’’ se jemi një vend i dalë nga lufta dhe duhet pritur me shekuj për të ndryshuar gjërat, ndryshe Kosova ka bërë ‘’progres në të gjitha fushat e jetës’’ sikur të ishte kështu atij që e dërgon i pari këtë lajm do të ia dhuroja dy birra dhe një meze…