LAJMI I FUNDIT:

Doli nga shtypi numri i tretë i revistës “Loja”

Doli nga shtypi numri i tretë i revistës “Loja”

Të enjten (26 mars) doli nga shtypi numri i 3-të i revistës për teatër "Loja". Ky numër i ri, me 210 faqe dhe 15 rubrika të ndryshme, tematikisht, në një pjesë të konsiderueshme të shkrimeve të tij, në nderim dhe përkujtim të 60 vjetorit të vdekjes, i kushtohet regjisorit, aktorit, dramaturgut dhe poetit francez, Antonin Artaud.

Shkrimeve të shumta u paraprin editoriali me titullin “Dashuria shqiptare e Antonin Artaud-së”, i shkruar nga kryeredaktori Bekim Lumi, në të cilin ai zbulon se, për disa vjet me radhë, gjeniu i teatrit Antonin Artaud ka qenë i dashuruar në aktoren shqiptare Génica Athanasiou (Eugjeni Thanasi).

Më tutje, ky numër i revistës “Loja”, në rreth 70 faqe, për herë parë në shqip ia jep në plotni lexuesit të saj kryeveprën teorike – eseistike të Antonin Artaud-së “Teatri dhe kipci i tij”, e cila, me të drejtë, para se teorizim, konsiderohet si një vizion i hapur, reformues, rebelues dhe revolucionar mbi teatrin dhe misteret e tij të shumta. Përkthimi dhe botimi i këtij libri të Artaud-së në shqip është një ndërmarrje e guximshme, e cila, për shkak të vlerës dhe të përmasave monumentale të vetë kësaj vepre, do të duhej të trajtohej si një ngjarje e veçantë kulturore për mjedisin tonë.

Një vend të veçantë në faqet e këtij numri zë letërkëmbimi i Antonin Artaud-së me aktoren shqiptare Génica Athanasiou (Eugjeni Thanasi). Ky letërkëmbim, i cili ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për jetën intime, por edhe atë krijuese të Antonin Artaud-së, zbulon një dimension të ri, të panjohur, gjithsesi të jashtëzakonshëm: faktin që gjeniu i teatrit, Antonin Artaud, ishte i dashuruar marrëzisht në një aktore shqiptare, për të cilën bota shqiptare, çuditërisht, të paktën deri tash, nuk ka pasur njohuri.
Një shtojcë më vete janë shkrimet “Vizioni i teatrit të Artaud-së” nga Mirjana Mioçinoviq dhe “Zëri i Artaud-së” nga Jacques Derrida. Ndërkaq, në kuadër të rubrikës “Teatri në ese”, ky numër i “Lojës” sjell shkrimet eseistike të tri personaliteteve të shquara të botës teatrore: Sarah Bernhardt me shkrimin “Evolucioni i aktorit”, Lee Strasberg me shkrimin “Aktori dhe vetvetja” dhe Peter Brook me shkrimin “Akti i posedimit”.


Në kuadër të rubrikës “Intervistë”, “Loja”, nën titullin “Përkthimi – kjo sprovë leximi e analize”, sjell bashkëbisedimin me përkthyesin e dramaturgjisë bashkëkohore frënge, shkrimtarin Eqrem Basha, ndërkohë që, përmes rubrikës “Teatri në studime”, sjell shkrimet studimore “Pionieret e dramaturgjisë femërore” të Sue-Ellen Case-së dhe “’Ndarja’ dhe ‘pajtimi’ i gjinive në teatrin anglez dhe francez të viteve ’60 – ‘90” nga Doruntina Basha.

Rubrika “Portret i artistit” vjen me shkrimin e Jeton Nezirajt “Naxhije Deva dhe shfajësimi ynë i vonuar”. Pjesë e kësaj rubrike është edhe shkrimi “Naxhije Deva nderohet me Çmimin Vjetor për Teatër”. Ndërkaq, një rubrikë më vete përfaqësojnë “Dokumentet për teatrin”, përkatësisht vendimet e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri për riaktivizimin e Konkursit për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” dhe për themelimin e Çmimit Vjetor për Teatër.

Një vend të veçantë në këtë numër të “Lojës” zë rubrika “Portrait & Memory”, përmes të cilës në këtë numër, me rastin e 15 vjetorit të vdekjes”, përkujtohet regjisori kroat Borisllav Mërkshiq, i cili, veç tjerash, me krijimtarinë e tij artistike, njihet edhe si një nga themeluesit e teatrit të kukullave në Kosovë. Pjesë e kësaj rubrike është shkrimi i regjisores Melehate Qena “Borisllav Mërkshiq – rrapi njomëzak”. Ndërkaq, rubrika “Teatri në ujë” vjen me shkrimin “Theatrum mundi dhe teatri në ujë” të vetë regjisorit Borisllav Mërkshiq.

Në kuadër të rubrikës “Teatri i kukullave” vjen shkrimi “Kukullat, maskat dhe objektet e performimit në fund të shekullit 20” nga John Bell. Ndërkaq, rubrika “Aristotelica” sjell shkrimin studimor – krahasues të Bekim Lumit “Rinjohja në baladat popullore shqiptare dhe ‘Poetika’ e Aristotelit”, në të cilin, përmes një analize të detajizuar krahasuese, tërhiqen paralele midis motivit të rinjohjes në baladat popullore shqiptare dhe këtij motivi në tragjeditë e në epet antike greke.

Rubrika “Kritikë” vjen me dy shkrime kritike kushtuar shfaqjes “Çifti Martin”, përkatësisht me shkrimin “Poetika e paroksizmit” të Ag Apollonit dhe me shkrimin “Loja me absurdin” të Shkëlzen Maliqit.

Ky numër i “Lojës” përmbyllet me rubrikën “Drama”, në kuadër të të cilës, në përkthim të Dr. Besim Rexhajt, me një shkrim përcjellës analitik, botohet drama njëaktëshe “E forta” e dramaturgut suedez August Strindberg dhe, në përkthim të Doruntina Bashës, drama “Loja e martesës” e dramaturgut amerikan Edward Albee.

Numri i tretë i revistës teatrore “Loja” do të jetë në shitje në dy libraritë kryesore të kryeqytetit: në Librarinë Dukagjini dhe në Librarinë Toena në Institutin Albanologjik. Çmimi i revistës është 5 Euro. Ndërkaq, për studentët, me një çmim prej 3 Eurosh, revista shitet në Caffe-Bar Contra.

Në trend Kultura

Më shumë
3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

Pesë misteret e pikturave të famshme të Leonardo da Vinçit (Foto)

Pesë misteret e pikturave të famshme të Leonardo da Vinçit (Foto)

KLAN

KLAN

Poezi
“Zhanret e gazetarisë”, libri i ri për praktikën dhe teorinë e shkrimit gazetar

“Zhanret e gazetarisë”, libri i ri për praktikën dhe teorinë e shkrimit gazetar

ODE MAÇOKUT

ODE MAÇOKUT

Poezi
Atlasi i dialekteve

Atlasi i dialekteve

Kalo në kategori