LAJMI I FUNDIT:

Diplomacia e babadimrit, kush do ta festojë?!

Në këtë fundviti si zakonisht nuk po mundemi të festojmë të qetë nga konferencat përmbyllëse të presidencës, qeverisë, ministrive dhe agjencive të tjera të shtetit gjatë deklaratave mediatike duke bërë rikapitulimin e aktiviteteve të tyre pothuajse janë perceptime të tregimeve të dhuratave që në esencë janë një kapitullim nëse jo gjithçka në atë moral pa dyshim. Me shprehje të përfitimit të meritave, të pa argumentuara, përzierjesh kompetencash në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, thënë “pa një rend të shtëpisë” dhe të pa qenë fare realisht të harmonizuar, sikur të gjithë po dëshirojnë të festojnë diplomacinë e gjyshit plak – babadimrit. Natyrisht disa prej tyre mëtojnë të justifikojnë veprimet e tyre si arritje politike e diplomatike, ndonëse kur analizohen veç e veç të krijojnë përshtypjen që përveç shpenzimeve të taksapaguesve gjatë vizitave apo misioneve të tyre qoftë politike, diplomatike apo edhe të tjera sikur është bërë një “modë turistike” se kush më shumë nga kokat e politikës shtetërore, të shtyhet lidhur me daljen dhe qëndrimin sa më të gjatë jashtë vendit (honorari dhe kartelat bankare pa limit).

Tani po bëhemi të transmetueshëm si dëshmitarë të deklaratave spektakulare, pompoze dhe vizionare të vetëkënaqësisë injorante, të atyre që për hir të së vërtetës edhe për javë të tëra rrinin jashtë, por çfarë realisht bënin, madje atje larg për të lobuar dhe për t’u përpjekur që të ndryshojë perceptimet e huaja për vendin tonë apo herë here gabimisht rikthim te zanati i vjetër.

Brenda sish një strukturë aty këtu fare e pa konsoliduar, disi e mitur në njohjen – ndjeshmërinë e diplomacisë dhe politikës së jashtme, e cila sikur bëri bujë me një konferencë ambasadorësh të mbajtur si një dhuratë e babadimrit për hotelin e ri, i cili edhe pse nuk e kishte bosin afër ai po hapej pikërisht kur në hollin e tij po qëndronin disa dhjeta ambasadorë të huaj të ftuar prej MPJ përballë një reklame të fortë mediatike. Thënë përgjithësisht për nga natyra e funksionimit praktik, të përmasave, të stafit të saj, ndonëse edhe me imponimin e fundit të nominimit të ambasadorëve të rinj duket se sa të profilizuar ishin, janë dhe mund të jenë këta përfaqësues të shtetit.
Së andejmi jemi dëshmitarë të mungesës së afrimit të kapaciteteve njerëzore dhe komunikimit ndër sektorial brenda MPJ–së dhe MPB–së, ndonëse në konsullatat tona në ato pak vende ku jemi prezentë e sidomos në shtetet e BE –së ku prezenca e bashkatdhetarëve tanë është hasur në vështirësi ku me muaj të tërë janë përballur me problemet teknike të pritjeve dhe në pamundësi të mos realizimit të të drejtave të tyre sikur kanë humbur shumë para dhe kohë.


Ne duhet të pajtohemi me faktin se jemi të rinj në akceptimin e diplomacisë apo thënë më drejtë sikur foshnje që po sillemi në shumë drejtime a gabime, por nga gjithë kjo foshnjëri, sikur ka foshnje më të rritura dhe që kanë përfunduar “gjidhëniën” dhe kanë filluar të dinë të flasin e të ecin më herët se të tjerët dhe për çudi nuk janë pjesë e bërjes së diplomacisë dhe politikës së jashtme.

Jopërshtatshmëria e kuadrit të profilizuar, madje shumë sish të pa denjë kombëtarisht dhe absolutisht profesionalisht të pa qenë ka bërë të që diplomacia dhe politika e jashtme të mbetet në gjendje pothuajse halugjene, të pavetëdijshme, e pa konsoliduar nga brenda dhe me një performacë jo të duhur nga jashtë. Natyrisht se njohjet janë të rëndësishme, por jo gjithçka që ka korresponduar me njohjet është rezultat, potencë e dominimit të lobuesve të vetëm të diplomacisë sonë. Çështja e njohjeve të vendeve të pa njohura nga ne, nga një skaj në tjetrin të botës dhe sikur kurrë nuk do të kemi interes të dërgimit të ambasadorëve te ata, të paktën deri pas vitit 2030 apo fare, kjo për shkak të shumë arsyeve dhe më e rëndësishmja ajo financiare, lë të kuptojë se përveç kuantitetit numerik të domosdoshëm për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare duhet të jemi të sinqertë se asgjë më shumë nuk na duhen. Ne sikur edhe në njohjet që janë substancë e garantimit të pavarësisë nuk jemi dëshmuar të pjekur politikisht e as kombëtarisht se mund dhe dimë të bëjmë më shumë në interes të forcimit dhe prosperitetit sidomos ekonomik. Diplomacia jonë akoma nuk arriti që të bindë një nga shtetet mike “substancë të pavarësisë” që të bëjnë investime kapitale të trashëguara, të dukshme, ku do të mund të ulet ndjeshëm niveli i varfërisë.

Akoma kemi ngelur të pakatapultuar dhe njohur mirë rolin e diplomacisë ekomomike, gjë që ne më së shumti kemi nevojë dhe më së miri ndoshta i vetmi që di ta bëjë mbetet miliarderi ynë në pushtet i cili akoma nuk po mundet të rezonojë vizion të qartë drejt interesit të përgjithshëm, përveçse me investime grandioze për vete, e jo për popullin. Ai do të duhet të meditojë thellë dhe më shumë, të reflektojë në këto aspekte të diplomacisë ekonomike, ngase shpresohet se di, është dhe mundet të realizojë. Sot në konceptet bashkëkohore të zhvillimit të luftërave klasike ka marrë përmasa koncepti i “luftës asimetrike”, të përmasave ekonomike dhe zhvillimit të saj.

Përfundimisht shpresojmë se babagjyshit mjekërbardhë e sipërthënë “diplomacia e babadimrit” nuk do t’ia thyejnë kurrizin për të marrë dhunshëm dhuratën e fundvitit, edhe pse është bërë traditë që në fund të gjithë të festojnë së bashku. Gëzuar!

(Autori ka diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, aktualisht është duke përfunduar studimet pasdiplomike të magjistraturës në UEJL-së, në Shkencat Politike)