LAJMI I FUNDIT:

Dështimi i dytë i konkursit për këngën kushtuar nobelistes?

Dështimi i dytë i konkursit për këngën kushtuar nobelistes?

Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ia ka dalë as për të dytën herë të “bind” kompozitorët kosovarë që të bëhen pjesë e konkursit për këngë vokalo- instrumentale për nder të humanistes shqiptare, Nëna Terezë, në 100-vjetorin e lindjes së saj.

Në konkursin e parë të hapur gjatë muajit korrik nuk kishte “trokitur” as edhe një kompozitor i vetëm, në afatin e dytë prej shtatë ditësh, Ministria e Kulturës ka pranuar vetëm një konkurrent.

Alberta Troni, këshilltare e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lutfi Haziri, bëri të ditur se brenda javës do të themelohet një komision, me përfaqësues edhe nga Fakulteti i Arteve dhe do të dëgjohet materiali që ka sjellë kandidati. Sipas saj, meqenëse me vetëm një kandidat nuk mund të bëhet zgjedhje, ministria ka plan alternativ për finalizimin e këngës kushtuar humanistes shqiptare.

“Me një vepër nuk mundemi të bëjmë zgjedhje dhe është shumë diskutabile. Por megjithatë do ta dëgjojmë dhe nëse nuk i plotëson kriteret do të bëjmë këngën me porosi”, ka thënë Troni, e cila nuk ka precizuar kohën kur do të mund të realizohet kënga.


Kompozitori kosovar, Mendi Mengjiqi, duke dhënë kritika lidhur me mënyrën e hapjes së konkursit, ka thënë se do ta pranonte të bënte një vepër me porosi, por vetëm në rast se do t’i shpërblehej puna në mënyrën e duhur.

Edhe kompozitori Rafet Rudi ka gjetur “behane” në konkursin e Ministrisë së Kulturës.

“Ka qenë një konkurs i ngutshëm edhe pse e çmojë si konkurs. Është shumë i shkurtër afati prej një muaji për një punë serioze”, ka thënë Rudi, duke shtuar se një kompozitori i cili do të pranonte porosinë, do t’i duheshin rreth 3 muaj kohë për të finalizuar një vepër të tillë.

Ndryshe, kënga duhet të jetë e përfunduar deri më 4 shtator, kur edhe do të shënohet ceremonia zyrtare e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe shqiptare. Konkursi për këngë vokalo-instrumentale për solistë, apo edhe grup këngëtarësh është shpallur nga MKRS-ja, në kuadër të “vitit të Nënë Terezës”, që shënohet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës.

Teksti për këngën vokalo-instrumentale për solistë apo grup këngëtarësh, është zgjedhur nga lutjet e vet humanistes “Nënë Tereza”. Ajo mban titullin “Hapna sytë tanë”. /Koha/Telegrafi/