Vendimi i Këshillit të Evropës për të shtyrë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë pas një viti, u kritikua nga opozita dhe analistë shqiptarë.
Qeveria e Shqipërisë e vlerësoi si arritje të suksesshme propozimin për rishikim të hapjes së negociatave në qershor të vitit tjetër.
“Data për çeljen e negociatave në Këshillin e shteteve anëtare të BE-së nuk është asnjëherë imediate. Vendosja më në fund e datës në 12 muaj nga sot, si dhe drita jeshile për të nisur përgatitjet për negociatat me Komisionin Evropian është absolutisht një zgjidhje optimale kompromisi, e cila e blindon përfundimisht perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Megjithatë, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha tha se “mos-hapja e negociatave është një lajm i keq dhe i hidhur, një realitet i dhimbshëm për të gjithë shqiptarët dhe perspektivën evropiane të vendit”.
Opinionisti nga Shqipëria, Armand Shkullaku, thotë se shtyrja për vendimin për hapjen e negociatave pas një viti dhe organizimit të konferencës ndërqeveritare në fund të vitit 2019, nuk mund të konsiderohet një sukses për vendin.
Sipas tij, Tirana zyrtare shpresonte të merrte hapjen e negociatave këtë qershor dhe “për këtë loboi fuqishëm në kancelaritë evropiane, dhe në fund arriti të shmangë një refuzim (që ishte një version pas kundërshtimeve nga Holanda, Franca dhe Danimarka), duke parë si dritë në fund të tunelit qershorin e ardhshëm”.
“Premtimi për hapjen e negociatave pas një viti, më shumë se sa vlerësim për ecurinë e reformave në Shqipëri, përbën një zgjidhje diplomatike për të mos dekurajuar përpjekjet e Tiranës dhe Shkupit në rrugën që kanë nisur. Ky premtim gjithashtu është edhe një lloj mbështetje për vetë politikat e zgjerimit të BE dhe shmang zhvlerësimin de jure që do t’i bëhej raportit të Komisionit Evropian, i cili dha miratimin e tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, thotë ai.
Shkullaku thotë se Shqipëria sot gjendet përsëri në një provë njëvjeçare, pasi edhe vendimi i qershorit 2019 do të jetë në varësi të progresit të bërë. Gjatë kësaj periudhe, Komisioni Evropian pritet të hartojë një tjetër raport dhe kushtet që janë përpara Shqipërisë, që nga krijimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë e deri tek lufta kundër krimit dhe korrupsionit, mbeten përsëri sfiduese.
“Me pak fjalë, dera për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, mbetet përsëri e mbyllur, të paktën deri në qershor 2019-s, por anëtarësimi mbetet një ofertë, nëse vendi bën progres me reformat. Ky ishte pak a shumë qëndrimi i ministrave të BE”, shprehet Shkullaku.
Shkullaku citon ministrin e Jashtëm holandez, Stef Blok, i cili tha se “Shqipëria duhet të tregojë një historik të besueshëm si në përmirësimin e shtetit të së drejtës, ashtu dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ne do ta shohim me vëmendje raportin e Komisionit vitin e ardhshëm për të gjykuar nëse arrijmë ta identifikojmë këtë progres”, duke thënë se vendimi i Këshillit për shtyrjen e hapjes së negociatave qershorin e ardhshëm nuk ka asnjë paragraf që të lexohet si sukses.
“I vetmi sukses, nëse do të shihej me sytë e qeverisë në Tiranë, është fakti që Shqipëria nuk mori një refuzim të prerë dhe se fati i saj nuk u nda nga ai i Maqedonisë fqinje”, thotë Shkullaku.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të rishikojnë hapjen e negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane në qershor të vitit 2019, edhe pse pritej që këto të fillonin në qershor të këtij viti.
Bashkimi Evropian për momentin ka 28 vende anëtare, megjithëse Britania pritet të largohet në mars të vitit 2019.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, e cila është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së, por atyre u janë kërkuar reforma të thella për të arritur të hyjnë në familjen evropiane. /Rel /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
DPHM: Më ftohtë në Manastir dhe Berovë, më shumë borë në Kodrën e Diellit
Kurti takon qytetarët në Artanë: Të zjarrta i kanë zemrat 500 mijë qytetarë që vetëvendosin për numrin 118
Mungesa e interpretuesve në fushatë, a po diskriminojnë partitë personat e shurdhër?
FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM)
Murati: Ripërcaktimi i kufijve, zgjidhja e vetme për një Kosovë funksionale
Banesat kolektive në veri të ndërtuara nga Serbia, do të legalizohen
Tentim vrasje në Prishtinë, policia në kërkim të personit të dyshuar
Serbët në veri të Mitrovicës thërrasin “Vuçiqi në burg”
Thaçi: Gjendja në vend është alarmuese dhe e rëndë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Befasia e këtij fillim viti: Nga Spanja raportojnë se Messi po rikthehet te Barcelona
Surpriza tejet e veçantë për Vullnetin: Niset për në Negroc për t'i takuar familjarët e tij
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Olta Gixhari shkëlqen në finalen e Big Brother VIP Kosova me një pamje mahnitëse
100 milionë euro? As kjo nuk e bindi yllin e Real Madridit të braktiste Bernabeun për Chelsean e Abramovichit
Xuxi surprizohet nga familja e tij në finalen e Big Brother VIP Kosova