LAJMI I FUNDIT:

Demokracia n’letër

Demokracia n’letër

Në letër mund të shkruhet gjithçka, sepse ajo e mban çdo lloj teksti. Edhe kur të harxhohet një faqe, kalon në faqen tjetër. Edhe demokracia mund të duket e bukur në letër, por thjeshtë është vetëm në letër.

Sot, në të gjitha statutet subjekteve politike gjithçka duket e shkruar bukur dhe e trajtuar mirë, mirëpo veprimet e këtyre subjekteve janë shumë ndryshe nga ajo se si e kanë prezantuar demokracinë në letër.


Bërja e politikës në Kosovë sillet rreth pesë subjekteve politike shqiptare dhe një serbe, roli i secilës është aktiv vetëm atëherë kur preket interesi i tyre dhe i Serbisë në Kosovë.

Të gjitha këto subjekte politike organizimin e brendshëm e bëjnë përmes statutit të tyre, gjë që është normale. Ajo që nuk mund të konsiderohet normale është shkelja e këtyre statuteve nga partitë që vetë i kanë shkruar .

Secila nga këto subjekte politike paraqet një demokraci të thellë të shkruar në letër, mirëpo realisht veprimet e tyre dallojnë shumë nga ajo që shkruhet. Sot ne nuk mund të bëjmë fjalë për një demokraci institucionale në Kosovë kur ka deficit të theksuar të demokracisë në vetë subjektet politike. Sepse, në të njëjtën frymë se si menaxhohet partia, ashtu do të menaxhohet shteti dhe institucionet.

Që të rritet demokracia në institucione duhet të rritet demokracia në subjektet politike; që të respektohen ligjet e Kushtetuta duhet që fillimisht të respektohen statutet që partitë i kanë krijuar.

Për demokracinë nuk mjafton vetëm të shkruhet e zeza mbi të bardhë, ashtu siç nuk mjaftojnë as akronimet e emrave të partive politike që i kanë D-të “demokratike”. E rëndësishme është të veprohet dhe të jepen shembuj që këto subjekte politike janë demokratike dhe demokracinë nuk e kanë të shënuar vetëm në letër.

Kosova sot ka nevojë për të gjitha këto parti që janë aktualisht në “tregun politik”. Konsideroj se Kosova ka nevojë edhe për subjekte të reja politike që nuk do të ishin stereotipa të këtyre ekzistuese, por që do të ishin shembuj për të gjitha të tjerat që tashmë kanë krijuar stazh në tregun politik.

Për të pasur një shtet demokratik, duhet të kemi parti demokratike, prandaj për të ndodhur kjo partitë duhet të lirohen nga “pronësia” e emrave të caktuar, në mënyrë që të jenë subjekte të qytetarëve, të anëtarësisë, elektoratit dhe që vendimet të merren me bazën.

Për një Kosovë demokratike duhet të kemi subjekte politike demokratike, prandaj momenti është të kalohet nga demokracia në letër në demokracinë në vepër.