LAJMI I FUNDIT:

Delegacioni i Kosovës po merr pjesë në Konferencën e Lubjanës

Delegacioni i Kosovës po merr pjesë në Konferencën e Lubjanës

Me ftesë të ministres së Kulturës të Republikës së Sllovenisë, Majda Shirca, në Lubjanë po qëndron delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri.

Ky delegacion po merr pjesë në Konferencën Lubjanës, ku po trajtohen çështjet e rehabilitimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore të shteteve të Evropës Juglindore.

Gjatë ditës së parë të kësaj konference, pas dhënies së fjalës përfaqësueses nga Kosova, ministri i Kulturës të Republikës së Serbisë, Nebojsha Bradiq, së bashku me delegacionin e tij në mënyrë demonstrative i lëshoi punimet e kësaj konference ndërkombëtare . I njëjti skenar u përsërit edhe me rastin e paraqitjes së ministrit Beqiri.

Pavarësisht nga këto incidente, konferenca vazhdoi punimet duke përcjellë me vëmendje paraqitjen e ministrit Beqiri dhe përfaqësuesve tjerë nga Republika e Kosovës .


Në fjalën e rastit, Beqiri konfirmoi përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë të cilën e drejton, që vendi ynë të jetë partner aktiv dhe i barabartë në të gjitha proceset integruese rajonale dhe evropiane. Kosova është zotuar që në fushën e trashëgimisë kulturore, të ketë qasje dinjitoze, profesionale dhe të respektojë të gjitha standardet evropiane.

Në kuadër të punimeve të “Konferencës së Lubjanës” u aprovua deklarata e Ministrave të Kulturës të shteteve të Evropës Juglindore, e cila ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit rajonal në realizimin e projekteve me interes të përbashkët në fushën e trashëgimisë kulturore.

Gjatë ditës, ministri Beqiri u takua edhe me homologët nga Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe me delegacionet nga shtetet e përfshira në “Iniciativën e Kievit”. /Telegrafi/