LAJMI I FUNDIT:

Kujtime për Ali Asllanin

Kujtime për Ali Asllanin
Ali Asllani (1884-1966)

Nga: Nasho Jorgaqi

Nuk e mbaj mend mirë se kur jam takuar për herë të parë me Ali Asllanin. Ka mundësi që kjo të ketë ndodhur nga fundi i viteve ’50, kur sapo kisha kryer studimet e larta dhe punoja në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Fakti që nuk e mbaj mend takimin e parë me poetin shpjegohet me rrethanat dhe mentalitetet e kohës. Ndoshta nuk i kam dhënë rëndësi, s’e kam marrë për gjë të madhe, jo vetëm pse isha i ri, por edhe sepse brezi ynë, i edukuar me frymën militante të kohës, nuk tregonte ndonjë vëmendje të veçantë ndaj shkrimtarëve të gjallë të traditës. Ata na dukeshin si etapa të kapërcyera, ndërkohë që lidhjet tona shpirtërore i kishim kryesisht me letërsinë bashkëkohore.


Por, ka dhe një shpjegim tjetër se përse takimi i parë me poetin më ka kaluar pa lënë gjurmë. Në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” ku unë punoja, kisha të bëja çdo ditë me disa nga personalitetet e kulturës shqiptare të së kaluarës. Ata punonin aty si përkthyes dhe, pavarësisht nga trajtimi politik që u bëhej, fakti që përkthimet e letërsisë së huaj ranë në dorën e tyre, qe një fat dhe ogur i mirë për kulturën tonë. Por, fat ishte dhe për ne të rinjtë që na takoi të punonim dhe të mësonim prej tyre. Po në redaksitë e “Naim Frashërit” nuk përgatiteshin për botim vetëm vepra të përkthyera, por dhe letërsi origjinale. Dhe, kjo bënte të trokisnin në dyert e zyrave tona shkrimtarë të të gjithë brezave. Në mes tyre ishin dhe shkrimtarë të brezit të vjetër.

Këta të fundit do të vinin, me sa mbaj aty nga mbarimi i viteve ‘50. Më kujtohet mirë Milto Sotir Gurra që solli një vëllim me tregime të shkruar në kohën e Rilindjes, apo Nexhat Hakiu me poezitë e tij. U dha atëherë orientimi që të botohen vepra të traditës mbi bazën e disa kritereve për disa dhe kështu ne botuam romanin “Sikur të isha djalë” të H. Stërmillit, librin “Trëndafila që Qemalit s’çelin për ne” të Helanaut, “Liri ka” të L. Poradecit etj.

Në këto rrethana shkeli në dyert e shtëpisë sonë botuese dhe Ali Asllani. Në qoftë se nuk më kujtohet takimi i parë, nuk më ka dalë nga mendja, ardhja e tij e herëpashershme në zyrat tona që vazhdoi për disa kohë. E kam parasysh si tani, kur, pasi trokiste lehtë dera, shfaqej pamja e poetit plak, shtat mesatar, me trup të ronitur, por të drejtë, me një fytyrë të rrudhosur, me ca sy të vegjël, por tepër të gjallë e plot dritë. Ashtu i ndrojtur, hiqte kapelen republike dhe na zgjaste dorën. Kish në kontaktin me të jo vetëm një mirësjellje të theksuar, por edhe elegancë, delikatesë, të cilën me kohë do ta kuptoja se vinte jo aq ngaqë kish qenë diplomat, por nga shpirti i artistit. Ai kish një mënyrë të afrueshme, pa kurrfarë sqime, një zë të butë dhe vështrim nganjëherë dashamirës, gati prekës. Dinte të komunikonte me të gjithë dhe sidomos me të rinjtë ndjehej çuditërisht në mjedisin e tij. Më pas, ai do të më thoshte se “vërtetë ju të rinjtë fitoni nga ne pleqtë, por ne të moshuarit fitojmë më shumë nga ju, nga energjia dhe freskia e vërsës së re, nga risia e mendimeve dhe sentimenteve. Në mes jush, ne ndjehemi të rinj dhe kjo është gjë e madhe, kur ke shumë mote mbi , kurriz.

Kuptohet se përse brenda një kohe përafërsisht të shkurtër u krijuan raporte dashamirëse dhe komunikuese dhe kjo falë, në radhë të parë poetit i cili dinte të hynte natyrshëm në psikologjinë dhe interesat e në të rinjtë që aspironim dhe synonim drejt dyerve të artit. Qenë këto raporte të ngrohta njerëzore, të cilat bënin të harrojë moshën dhe të mos kishe pothuaj asnjë kompleks, siç ndodhe jo rrallë me të tjerët. Me Ali Asllanin zhdukeshin jo vetëm kufijtë e moshës, por dhe kufijtë në mes jetës dhe artit dhe një gjë e tillë e bënte atë krejt origjinal, në kuptimin më të mirë të fjalës. Poeti erdhi të trokiste në dyert e shtëpisë sonë botuese për të botuar një libër me vjersha, por botimi për të nuk ishte një gjë e lehtë. Me gjithë dashamirësinë dhe gatishmërinë që tregonim unë apo Drago Siliqi, drejtor i shtëpisë botuese, ndaj poetit, botimi i një libri me vjersha nuk varej prej nesh.

Ndërhyrja dhe përçapjet tona pranë Lidhjes së Shkrimtarëve (edhe pse atje Shefqet Musarai, ndjekësi i hershëm i poezisë së tij ishte një nga drejtuesit), nuk dhanë asnjë rezultat. Biografia e poetit përbënte pengesën e vetme që ai të rihynte në letërsi dhe të shfaqej rishtaz para publikut. Plaku i mirë ishte i ndërgjegjshëm për këtë gjë dhe ashtu siç dinte të fliste ai, çiltërsi prekëse, morëm vesh prej ne se kish qenë diplomat në Trieste, Sofie dhe Athinë deri në vitin 1932, pastaj kryetar Bashkie në Vlorë dhe në fund, gjatë pushtimit fashist, anëtar i Këshillit të Shtetit. Por, ndërkaq, edhe pse për këto tregonte jo pa një ndjenjë fajësie (!), nuk rrinte pa folur dhe për disa merita të tij, kur na kujtonte se kish qenë Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Ismail Qemalit apo në kohën e Luftës së Vlorës u qe kundërvënë pushtuesve italianë, duke u bashkuar me kryengritësit (lështu kish lindur marshi i fitores, kënga “Vlora-Vlora”). Madje, shtonte me krenari se kur qe vrarë Perlat Rexhepi në Shkodër, kish shkruar një vjershë për të. Për më tepër, të qënët anëtar i Këshillit të Shtetit më 1942, nuk e kish penguar të shkruante vjershën anti-italiane kundër pushtuesve, “Hakërrimë.”

Mbaj mend se dhe këto argumente nuk mjaftuan t’i hapej drita jeshile vëllimit me vjersha që poeti kish sjell e prej muajsh në redaksi. Atëherë nuk kish rrugë tjetër. Një ditë, kur erdhi në redaksi, i thashë miqësisht: “Dërgo një letër lart. Pa një miratim prej andej, nuk bëhet gjë”! Dhe, i përmenda disa raste. Poeti plak u mendua, vështroi nga dritarja dhe, duke më parë pastaj në sy, më tha shkurt: “Mirë mor bir, u bëftë!” Nuk kaloi shumë kohë dhe një mëngjes, më del përpara në rrugë, kur shkoja për në zyrë dhe i ngazëlluar më thotë: “Doli për mirë ajo letër. I shkrova Hysni Kapos dhe m’u përgjigj pozitivisht. Të faleminderit!” Dhe, mori e më e përqafoi e më ka mbetur në mend që ishte aq i gëzuar sa i gjithë trupi i dridhej nga emocioni.

Më pas më treguan se mbi letrën e poetit kryeministri i atëhershëm kish vënë shënimin “T’i plotësohen të dy kërkesat këngëtarit të Luftës së Vlorës”. Kërkesat e tij kishin qenë: T’i jepej e drejta e botimit dhe të bëhej anëtar i Klubit të Shkrimtarëve. Kështu, në muajt e parë të vitit 1960, u botua përmbledhja “Vidi vidi, pëllumbeshë dhe “Hanko Halla”, paraqitur dhe redaktuar nga kritiku Razi Brahimi. Libri u prit shumë mirë dhe kjo veç të tjerash dhe për arsyen se poezia e Ali Asllanit ishte një poezi krejt tjetër nga ajo qe shkruhej e botohej aso kohe. Poeti i Vlorës i preku lexuesit e brezit te ri me lirizmin dhe sinqeritetin e thelle te verbit të tij poetik. Në kopjen e librit që më dhuroi, më ka shkruar këto fjalë: “Të dashurit Nasho Jorgaqi, shkrimtar, të kam gjetur me pak poezi, me shumë dashuri – Ali Asllani – Tiranë, 20 gusht 1960″.

Ndërkaq, poeti u bë i pranishëm edhe fizikisht në rrethet letrare. Filloi të hynte e të dilte lirisht në Klubin e Shkrimtarëve. Do të vinte nëpër mbledhjet e debatet që zhvilloheshin herë pas here dhe, ajo që nuk më harrohet, xha Aliun do ta shikoje çdo ditë në sallën e Klubit duke pirë kafenë ose me një gotë të vogël rakie a konjaku përpara. Zakonisht, poeti nuk qëndronte aq në shoqëri me shokët e moshës së tij se sa me ne të rinjtë. Ne të rinjve poeti na tërhiqte e na bënte për vete me shumë se me kulturën gjerë (siç ndodhte ta zëmë, me Lasgush apo Kutelin ose për mendimet e guximshme dhe elokuencën e fjalës si me S. Luarasin) me natyrën e tij të butë e fjalën e ëmbël, me psikologjinë e hollë të artistit të vërtetë, me thjeshtësinë dhe humorin e këndshëm. Ai ishte burim i pashtershëm ngjarjesh nga jeta dhe historia shqiptare, një bashkëbisedues i shtruar dhe tepër i sinqertë dhe, ç’ishte e veçantë te ai për ne, qe intimiteti që dinte të përftonte në raste te caktuara. Në këto raste, harroje që kish të bëje me një plak të shtyrë, të dukej se bisedoje me një mike te moshes tende.

Përpiqem tani, pas tridhjetë e ca viteve, të sjell ndërmend disa nga momentet që më kanë mbetur prej sa e sa takimeve e bisedave të paharruara me poetin. Mbaj mend që thoshte se vjershat e hershme i kish shkruar turqisht, kur ishte student në Stamboll dhe i kish botuar në revistat letrare të kryeqytetit të Perandorisë. Por, veç gëzimit të publikimit, kish ndjerë një boshllëk, desh të komunikonte doemos me bashkatdhetarët e tij sepse, siç tregonte, shpirti i këndonte këngë labe dhe, aty nga vitet 1912-14, shkroi vjershat e para shqip. Janë dufet atdhetare të kohës. Këto ai nuk arriti t’i botonte, veç pas shumë viteve. Të tjera shqetësime dhe interesa më të rëndësishme mbushin aso kohe jetën e poetit të ri.

Ai kish kryer studimet e larta për shkencat politiko-shoqërore dhe administrata e re shqiptare kish nevojë për një kuadër të formuar, siç ishte ai. Poeti e quante fat të madh dhe ndjehej tepër krenar që Ismail Qemali, duke çmuar vlerat e tij intelektuale e morale, e kish marrë pranë, fill pas shpalljes së Pavarësisë dhe e kish emëruar Sekretar të Presidencës së Këshillit të Ministrave. Një vit e pak që kish punuar me të, thosh se kish përfituar aq shumë nga patriotizmi i plakut të Vlorës, sa shqiptarizmin që i njihte vetes ia detyronte në radhë të parë atij.

Poeti kujtonte me dhimbje momentin historik të ndarjes, kur më 22 janar 1914, Ismail Qemali, nën presionin e reaksionit vendas dhe të huaj, i detyruar të largohej nga Shqipëria, kish thirrur Aliun dhe i kish diktuar telegramin e dorëheqjes që i drejtohej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lamtumirën popullit të tij. Më pas, Ali Asllani nuk ishte larguar nga administrata shqiptare; Lufta e Vlorës e kish zënë kryetar të bashkisë së qytetit. Për dhjetë vjet kish shërbyer në diplomaci, si konsull dhe ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Trieste, Sofje dhe Athinë. Në kryeqytetin grek ai e kish mbyllur karrierën e tij diplomatike në kundërshtim me dëshirën e tij.

Kish një kujtim të hidhur nga ajo kohë të cilin një herë ma tregoi. Zogu e kish ngarkuar me detyrën që si përfaqësues i shtetit shqiptar, të interesohej dhe të fillonte bisedime për fatin e pasurive të bejlerëve që ndodheshin në Greqi. Grekët, që e konsideronin këtë gjë një çështje tepër të ndjeshme, nuk jepeshin kollaj dhe përdorën të gjitha mënyrat për t’iu shmangur ose për ta shtyrë në një kohe të papërcaktuar. Xha Aliu tregonte se me ketë te çështje u mor vetë kryeministri Le Venizellos. Ai e priti ministrin Fuqiplotë të Shqipërisë, jo në selinë e tij zyrtare, por në mjediset e një anijeje ushtarake. Ishte ky një presion psikologjik që i bënte politikani dinak grek dhe fakti është se bisedimet nuk i rrodhën në favorin tonë. Bejlerët u zemëruan aq shumë sa ndërhynë te Zogu dhe mbreti nuk ia fali diplomatit të tij dështimin e bisedimeve. Ali Asllanin e kthyen urgjentisht dhe, pasi ndenji disa kohë pa punë, u zgjodh kryetar bashkie në Vlorë, ku qëndroi në këtë detyrë deri në pushtimin fashist.

Poeti e kujtonte këtë kohë, jo pa keqardhje dhe shtonte se çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Me këto fjalë, ai kish parasysh se pas mbylljes së karrierës diplomatike, iu hap vetvetiu karriera, si të thuash letrare, sepse pikërisht në fillim të viteve ’30, emri i tij nis të shfaqet në shtyp. Një herë më solli gazetën “Miku i popullit” ku kish botuar vjershat “Vajzë shqiptare” dhe “Dasma” dhe revistën “Minerva” me disa fragmente të poemës “Hanko Halla”.

E pyeta: “Xha Ali, ju kishit shumë kohë që shkruanit dhe si shpjegohet që dolët para publikut në moshën kur po i afroheshit të pesëdhjetave?” Ai tundi kokën dhe me një buzëqeshje të hidhur m’u përgjigj: “Sipas mentalitetit të kohës, nuk ishte e hijshme që një funksionar i lartë të merrej me vjersha. Aq më tepër të ishe poet e t’i këndoje dashurisë, siç bëra unë. Eprorëve të mi nuk para i pëlqente kjo gjë. Prandaj, për vite e vite shkruaja, si të thuash, për vete dhe për një rreth të ngushtë miqsh, që ua lexoja me raste”.

Në të vërtetë, poeti para Çlirimit nuk arriti të botojë asnjë libër, me përjashtim të vëllimit “Hanko halla”, ku veç poemës, përfshiu dhe vjershat e gjata “Vajza shqiptare” dhe “Dasma”. Gjatë okupacionit fashist, vërejmë një vërshim të poezisë së tij, sidomos në revistën letrare “Tomorri i vogël”. Janë vjersha erotike, po nuk mungojnë dhe vjersha me frymë të fuqishme atdhetare. Një pjesë të këtyre të fundit i kish shkruar në vitet ’20, por, duke u botuar në kohën e rezistencës antifashiste, merrnin një tingull aktual patriotik. Poeti në ato vite ishte anëtar i Këshillit të Shtetit, një post gati formal, megjithatë zemra e tij ishte e shqetësuar për fatin e rëndë të atdheut. Kush e njohu nga afër, s’kish si të mos e besonte kur ai rrëfente se pikërisht në këtë kohë kish shkruar vjersha kundër pushtuesve. Tek fliste për këtë gjë, të vështronte në sy, vallë a do ta besonim ne të rinjtë, që nuk mungonim të ishim skeptikë dhe me paragjykime ndaj të vjetërve? Ishte fjala kryesisht për vjershat “Perlat Rexhepi” dhe “Hakërrimë”, dy krijime poetike tepër të ndjera që mund të lindnin në zemrën e poetit vetëm në atmosferën e pushtimi.

Nuk do ta harroj kurrë shkëlqimin e syve të tij që shkrepëtinin nga një ngazëllim i brendshëm, kur një ditë, tek rrinim në Klubin e Shkrimtarëve, i thashë: “Xha Ali, një poet që ka shkruar marshin ‘Vlora-Vlora’ s’kish si të mos shkruante këto dy vjersha. Ishin po ata breshkaxhinj, që zotërote i njihje mirë, si më 1920, ashtu dhe më 1940, apo jo?” Ai, në vend të më përgjigjej, më përqafoi. Shoqërimi me Ali Asllanin, sado e çuditshme që mund të duket, kish si bosht bisedat për dashurinë. Ai fliste për të me një gjallëri dhe ngazëllim që të kujtonte gati një adoleshent dhe jo si të ishte një plak tetëdhjetëvjeçar. Kush i kish lexuar vjershat e tij, e dinte se dashuria ishte tema zotëruese, zemra e gjithë krijimtarisë së tij. Shpirti i digjej përjetësisht nga dashuria. Gjithë kohës fliste për të, tregonte ngjarje, recitonte vargje, orvatej me takt të pyeste e të merrte vesh nga të fshehtat tona, kish një kureshtje të përvojtur të mësonte diçka nda dashuria e brezit tonë. Në këto raste, ai bëhej delikat, herë i menduar e herë shpërthente në dufe të përmbajtura, por gjithnjë dinjitoz. Gjithë kuptimi i jetës për të ishte dashuria. Jashtë saj, siç thoshte ai, nxinte shkretëtira.

Bukuria e gruas ishte mbi çdo gjë. Ishte Meka e poezisë, Meka e poetëve, pra më e shenjta gjë e njeriut. Por, ky përkushtim i xha Aliut, kjo lidhje e gjithë pushtetshme që ai kish me dashurinë e me bukurinë e gruas, shfaqej në rrethana të caktuara, në disa momente të cilat vetëm poeti dinte t’i krijonte. Nuk mbaj mend asnjëherë që biseda për dashurinë e për bukurinë e gruas të banalizohej prej tij. Ai dinte ç’thoshte e ç’kërkonte. Ishte, siç thashë, sa dinjitoz aq edhe delikat. Poeti e mbante veten për malësor e krenohej që vinte nga malet e Labërisë. Një herë më tha: “Ju fusharakët në dashuri jeni ca qaramane. Ja dëgjo këngët e fushës për dashurinë: ‘Ku me ishe o shpirt o xhan/ Të prita mbrëmë në stan… aman, aman!’ Burri nuk duhet të qahet kurrë”, shtonte. “Edhe në dashuri, biles lipset të tregohet i ashpër. E di zotrote, si i drejtohet labi së dashurës? ‘Ku më ishe, moj qën’e qënit/ Të prita te guri i lëmit /Më griu era e shkëmbit!’! Qëne” e quan dhe i drejtohet me një inat që rrëfen dashuri!”

Kur sjell ndërmend Ali Asllanin, gjithnjë më kujtohet në Klubin e Shkrimtarëve, ulur në kolltuk me atë gotën e vogël përpara, duke parë për karshi nga gjendej dera. Klubi atëherë ishte pranë Teatrit Popullor. Dhe, kjo rrethanë nuk qe pa kuptim për poetin. Aty vinin kohë pas kohe, sidomos paraditeve, aktorët e teatrit për të pirë kafe e për të pushuar në mes provave. Poeti picërronte sytë dhe mundohej t’i sodiste nga larg dhe nga afër. Dhe, ishte një ngazëllim i vërtetë për të, kur i ulej në tavolinë ndonjë nga aktoret që atij i pëlqente në mënyrë te veçantë. “Eja”, më thoshte mua herë pas here, “eja të gëzojmë shpirtin se pranë do të kemi bukurinë”. Dhe, unë që atëherë isha i ri dhe kisha më shumë shanse të më afrohej ndonjë aktore e bukur, ulesha pranë Xha Aliut dhe atij i bëhej qejfi pa masë, se atëherë në tavolinën tonë vinin dhe uleshin aktore jo vetëm aktorë. Atëherë vetëm ta shikoje fytyrën e poetit, sytë i shkrepëtinin, të dëgjoje fjalët e goditura që shprehte. Binte gati në një farë ekstaze dhe pastaj shtonte me atë mënyrën e tij të çiltër: “Se ju të rinjve këto guguftutë ju vijnë vetë, kurse ne pleqve na duhet t’i ndjellim. Tu përshpërisim: vidi, vidi, po vallë a na dëgjojnë, se zëri ynë s’është më i pari?…”

Ali Asllani, një nga djemtë e kish shkrimtar, por i vinte keq për dy gjëra: Së pari, e kish larg, të mërguar prej kohësh në Kanada, së dyti, vërtetë kish arritur të bëhej shkrimtar, por ishte autor romanesh policeske, bile kish fituar dhe çmime kombëtare. Të atit i bëhej shumë qejfi për këtë e megjithatë s’i vinte mirë që nuk ishte bërë poet dhe të këndonte si në anët e tij. Ai shkruante në fakt në gjuhë të huaj!

Kujtimi i fundit që kam nga poeti është një poezi që ai ma dhuroi para se të shtrohej në shtrat dhe m’u lut që një ditë ta botoja. Nuk e harroj atë takim, kur në një tavolinë të Klubit, tek rrinim përballë, ai më recitoi me një zë të zvargur. Ishte amaneti i poetit në pak vargje. U drejtohej vajzave: “Gjithë jetën ju ndoqa pas dhe tani që po iki, më ndiqni ju”. Ky është kuptimi me një thelb tepër njerëzor, kulmi i sinqeritetit. Poeti nuk dinte të koketonte e të mashtronte. Ai i qëndronte deri në fund besnik vetes, natyrës së tij, shpirtit poetik që i jepte jetë dhe e mbante gjallë. Dhe unë, ia mbajta fjalën. Ia botova, por jo menjëherë mbas vdekjes, se dikush e quajti tepër intime dhe mund të cenonte imazhin e autorit. Ajo u botua, më duket, në pesëvjetorin e vdekjes, në një cep të gazetës “Drita”. Kënaqësia ime ishte e madhe, jo vetëm se plotësova një amanet të poetit, por dhe sepse poezia u pëlqye si nga më të sinqertat e shkruar prej tij.