LAJMI I FUNDIT:

Dëgjoj më fuqishëm; i shoh gjërat më të theksuara; ndjej atë që ju s’arrini ta ndjeni… Unë kam autizëm!

Dëgjoj më fuqishëm; i shoh gjërat më të theksuara; ndjej atë që ju s’arrini ta ndjeni… Unë kam autizëm!

Autizmi është çrregullim neurozhvillimor që shfaqet në fëmijërinë e hershme. Persona me autizëm kanë nevojë për trajtim dhe terapi të veçantë. Por, institucionet vendore nuk janë marrë shumë me këtë çështje.

Në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, që dy vite funksionon një klasë e bashkëngjitur për fëmijët e tillë. Drejtori i kësaj shkolle, Rexhep Bogu, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se klasa për fëmijët me autizëm ka filluar të funksionalizohet në shtator të vitit 2015, me iniciativë të një mësueseje të kësaj shkolle.

“Në këtë klasë janë tre nxënës të gjinisë mashkullore – të klasës së dytë dhe të shtatë”, ka thënë Bogu.


Sipas tij, aty punon psikologia dhe mësuesja e klasës, ndërsa mësimi me këta nxënës është individual: dy orë pune nga psikologia dhe dy orë të tjera nga mësuesja.

Në lidhje me nevojën e shtimit të klasave për fëmijët me autizëm në Pejë, Bogu ka sqaruar: “Numri i fëmijëve autikë është më i madh, por prindërit hezitojnë t’i paraqesin ata. Fëmijët në këtë klasë kanë avancuar shumë dhe kjo punë e suksesshme duhet të zgjerohet”.

Telegrafi ka vizituar edhe Shoqatën “Autizmi Flet” në Prishtinë, ku fëmijët trajtohen me metodën ‘Analizë dhe aplikim i sjelljes’ (ABA).

Violeta Hyseni

“Shoqata është themeluar nga prindërit e fëmijëve me autizëm, me synim të integrimit të fëmijëve në shoqëri, duke zhvilluar aftësitë e tyre sociale dhe intelektuale. Qëllimi është vetëdijesimi i shoqërisë dhe institucioneve për nevojat e këtyre fëmijëve. Kjo shoqatë, në koordinim me prindërit, u hap në janar të vitit 2015, ndërsa mungesa e një shkolle apo vendi për t’u shërbyer ka qenë pikërisht arsyeja e kësaj iniciative”, ka thënë drejtoresha e kësaj shoqate, Violeta Hyseni, duke shtuar se edhe ajo ka vajzën të prekur nga sindroma e autizmit.

Sipas saj, prindërit duhet ta kenë të qartë se autizmi kërkon dhënien e maksimumit, për t’i ndihmuar këta fëmijë dhe për t’i edukuar ata.

“Jam nënë e një vajze 14-vjeçare me autizëm. Për vajzën time, Sarën, e kam kuptuar se diçka s’është në rregull kur ishte dy vjeçe. Në atë kohë s’kemi pasur idenë se çfarë mund të jetë në pyetje, sepse ka pasur pak raste të tilla. Herën e parë kur e kam dërguar tek neuropsikiatri, ai tha se ka elemente të autizmit. Kam hyrë dhe kam lexuar më shumë në internet dhe kam kuptuar që duhet shumë përkushtim për të”, u shpreh ajo.

Duke folur për hezitimin që t’i paraqesin fëmijët e prekur nga kjo sindromë, Hyseni ka bërë të ditur se ka kontaktuar me shumë prindër, në përpjekje për t’i ndihmuar ata.

“Mentaliteti ynë bën që prindërit që kanë fëmijë me autizëm, nuk duan ta pranojnë një gjë të tillë”, shpjegoi Hyseni.

Duke shprehur brengën e një nëne për shkaqet dhe arsyet e këtij çrregullimi tek vajza e saj, ajo hedh dyshime tek një moment në fëmijërinë e Sarës.

“Jam e bindur – edhe pse nuk është e vërtetuar me shkencë – se nga momenti që Sara ka marr vaksinën e fundit, është çrregulluar. Ka pasur temperaturë, ngërçe, ka qarë ditë e natë e nuk ka fjetur kurrë. Të njëjtën gjë e kanë përjetuar edhe prindërit tjerë me fëmijët e tyre. Mendoj që fëmijët me imunitet më të dobët i shkatërron ky lloj i vaksinës. E kam edhe djalin e vogël të cilit, përkundër insistimit të pediatrit, nuk ia kam dhënë vaksinën”, shpreh shqetësimin e saj kjo nënë.

Kosovare Gashi

Në mesin e shtatë psikologeve terapiste të kësaj shoqate, të cilat punojnë 12 orë në ditë punë individuale, është edhe Kosovare Gashi. Ajo shpjegoi strukturën e organizimit të punës, sfondin shkencor, qëllimin dhe kontributin që kjo punë sjell në krijimin e mjediseve ndihmuese për fëmijët me autizëm gjatë procesit të mësimnxënies.

“Ne aplikojmë terapinë ABA. Mundohemi të prekim anën sociale të fëmijëve, që të jenë sa më të pranueshëm për shoqërinë. Shumica e fëmijëve nuk kanë vokale dhe fjalë të qarta. Aplikojmë gjuhën e shenjave me fotografi dhe imazhe me anë të gishtave. Fëmija kërkon të bashkëbisedojë me prindin, me kujdestarin. Ky test është i vërtetuar shkencërisht dhe është funksional. Simptomat e fëmijëve autikë janë të ndryshme. Nuk reagojnë në emrin e tij, kontaktin me sy nuk e kanë, kanë lëvizje të trupit, fiksime të ndryshme, dyert tentojnë t’i lënë të hapura apo të mbyllura…”, ka thënë Gashi.

Edhe psikologja tjetër e kësaj Shoqate, Adelina Hoti, tha se ABA për momentin është e vetmja metodë e vërtetuar shkencërisht. Ajo, duke folur për aplikimin e parimeve të ABA-s, ka shprehur shqetësimin se opinioni duhet të informohet për trajtimet e mbështetura në dëshmi shkencore.

“Fusha e trajtimit të autizmit është e stërmbushur me metoda joshkencore dhe nga persona të papërgjegjshëm që aplikojnë trajtime të rrezikshme. ABA për momentin është e vetmja metodë e vërtetuar shkencërisht. Plotë pesë dekada të hulumtimeve shkencore e mbështetin përdorimin e saj. Efektshmëria varet nga aplikimi i parimeve me përpikëri, e përpikëria arrihet nëse programet janë të monitoruara, të udhëhequra e të implementuara nga profesionistë të kualifikuar. Fushatat vetëdijesuese për autizmin duhet të njoftojnë publikun se informatat që shpërndahen në internet. apo edhe në materiale e libra të shkruara nga çdokush, jo domosdosmërisht janë të sakta”, sqaroi Hoti.

Pamje nga organizata “Autizmi Flet”

Nga zyra e informimit të Ministrisë së Shëndetësisë, për Telegrafin pranojnë se autizmi nuk është adresuar sa duhet në planin profesional.

“Sa i përket aspektit mjekësor, së fundi ka pasur një bashkëpunim më të mirë midis shoqatave që merren me çështjen e autizimit dhe Ministrisë, por Ministria konsideron se si problematikë ende nuk është adresuar sa duhet në planin profesional. Në këtë aspekt, përveç rritjes së bashkëpunimit me shoqatat që merren me çështjen e autizimit, përmes rritjes së kapaciteteve diagnostikuese në shërbimet shëndetësore, po provohet që të rriten mundësitë për diagnostikim të hershëm të këtij problemi dhe të problemeve të tjera. Por, e vërteta është se mundësitë janë të kufizuara tash për tash, për shkak të mungesës së resurseve profesionale”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Ministrisë.

Dita Ndërkombëtare e Autizmit është 2 Prilli. Në këtë ditë, profesori dhe artisti i fotografisë, Fahredin Spahija, është solidarizuar me nipin e tij Dardanin, duke uruar që shkenca dhe mjekësia botërore të gjejnë sa më shpejt shkaktarin e autizmit e për të mundësuar parandalimin e tij! Mesazhi i tij prekës, për të gjithë – e që duhet të jetë vetëdijesues sidomos për prindërit që, siç u thanë këtë tekst, i “fshehin” fëmijët me autizëm – ishte: “Unë i dëgjoj gjërat më fuqishëm. Unë i shoh gjërat më të theksuara. Unë i nuhas gjërat më fort. Unë i ndjej gjëra që ju nuk arrini t’i ndjeni. Unë i shijoj gjërat ndryshe. Unë kam autizëm”.

Pra, prindërit, rrethi dhe shoqëria në përgjithësi, duhet të kujdesën më shumë për ata që thjeshtë janë më ndryshe se shumica. Këta fëmijë, si çdo fëmijë të tjerë, këtë kujdes e meritojnë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori