LAJMI I FUNDIT:

“Darka e gabuar”

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, përkatësisht mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic, vazhdon të komentohet në format nga më të ndryshmet. Një pjesë e opozitës kundërshton me ngulm një proces të tillë, me arsyetimin se këto bisedime janë të disfavorshme për Kosovën. Ndërsa, një pjesë e saj, dhe pozita vendore, vazhdojnë të jenë pro këtij procesi, duke theksuar rëndësinë e tyre për integrime eurpiane.

Në fakt, edhe Thaçi edhe Dacici gjenden përballë njëri-tjetrit me qëllim të arritjes së aspiratave të tyre shtetërore. Aspiratat e tyre, ndonëse ndryshojnë në shumë pika, megjithatë kanë një emërues të përbashkët: integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian. Mirëpo, kam përshtypjen që Kosova po futet në një dialog të tillë me Serbinë pa i përfillur shumë disfavoret që i ka kundrejt saj.


Pala serbe dialogon me palën kosovare, duke qenë vetë shtet sovran dhe i pavarur, duke patur në Kushtetutën e saj të shkruar që Kosova është pjesë e Serbisë, duke mos pranuar pavarësinë e shtetit me të cilin dialogon, duke vazhduar t’i financojë strukturat ilegale në veri të Kosovës, duke mos i paguar dëmet e luftës në Kosovë, dhe mbi të gjitha duke qenë vetë e pajisur me statusin e kandidates për në BE (favor të cilin e fitoi përgjatë bisedimeve me Kosovën në vitin 2011).

Kosova, nga ana tjetër, është edhe palë dialoguese, edhe temë e diskutimit, prandaj ky dialog në një mënyrë ose në një tjetër konteston qenien e saj si shtet i pavarur dhe sovran. Ndërsa, Serbisë i ndihmon në përmirësimin e imazhit të saj, sepse për t’u bërë pjesë e BE-së, asaj i duhet të dëshmojë se ka marrëdhënie të mira me shtetet fqinje. Me Kosovën e ka më së vështiri që të dëshmojë një gjë të tillë, porse përmes dialogjeve të njëpasnjëshme mes Kryeministrave Thaçi-Dacic, një gjë e tillë atyre po u bëhet gjithnjë e më e lehtë. Po ashtu edhe BE-ja duke dëshiruar që Serbinë ta shkëpusë nga ndikimi i Rusisë, shërben si katalizator specifik i këtij procesi.

Mirëpo, oreksi i Serbisë nuk përmbushet me anëtarësimin e saj në BE. Madje, kjo duket të jetë vetëm arma kryesore që ajo do të përdorte për dirigjimin e politikës kosovare, nga një pozitë edhe më e lartë.

Kemi dëgjuar shpesh të përmendet një status special për veriun, një autonomi, ide këto të hedhura nga shteti i Serbisë, duke e shpërfaqur në këtë mënyrë ëndrrën e saj për të formuar një republikë brenda Kosovës, si pjesë territorial të saj, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe enklavat serbe në Kosovë.

Në anën tjetër, BE-ja s’duket ta ketë qëllim parësor pengimin e Serbisë në realizimin e qëllimeve të saja pushtuese, sepse më e leverdishme për të është që Serbia të ndahet nga ndikimi i Rusisë, ndonëse kjo realizohet në kurriz të Kosovës dhe interesave të saj.

Pra, nga e gjithë ajo që paraqita më lartë desha të them se dialogu mes Thaçit dhe Dacicit është josimetrik, jo i barabartë për të dyja palët dialoguese, disfavorizon Kosovën në shumë aspekte dhe rrjedhimisht nuk është i leverdishëm për të.

Pajtohem që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm dhe është edhe në të mirën tonë, por Kosova duhet të bëhej pjesë e këtyre bisedimeve vetëm pasi që të vendoseshin kornizat lidhur me atë se çka do të bisedohej në këto dialogje. Kosova dhe Kryeministri Thaçi nuk do te duhej që të pranonin për të biseduar për çështje të brendshme siç është çështja e Veriut, kufijtë territorial të shtetit, apo pavarësia e Kosovës.

Ndërkaq, i gjithë ky rrezik që po i kanoset Kosovës, përmes këtyre dialogjeve, në njëfarë mënyre mjegullohet, bëhet jo i qartë dhe maskohet përmes atyre që janë pjesë e bisedimeve dhe negociatave.

Dua të them që opinioni publik nuk është i njohur me realitetin e dialogut Thaçi-Dacic, sepse ata nuk i bëjnë të ditura qëllimet e tyre hapur, dhe edhe ajo që tregohet është jo e qartë. Ndërsa, ajo që realisht negociohet ka të bëjë pikërisht më të ardhmen e shtetit e të shtetasve të Kosovës. Prandaj, them që jemi në duar të atyre që nuk pranojnë korrigjim, ndonëse gabimet trashanike i kanë pjesë të vazhdueshme të punës së tyre.

Mund të them që “Darkat e gabuara” që shtrohen në Bruksel, nuk janë helmuese vetëm për “konsumuesit” e tyre. Helmi është më gjithëpërfshirës. Na përfshinë edhe neve, qytetarët e Kosovës, ndërsa toksiku i tyre do të trashëgohet për gjenerata të tëra nëse ne sot nuk përpiqemi që të ta gjejmë një antidot për to!