LAJMI I FUNDIT:

Çka është NRA dhe pse është kaq e fuqishme?

Çka është NRA dhe pse është kaq e fuqishme?

Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA) ka mbajtur takimin e saj vjetor në Indianapolis, ku delegatëve iu kanë drejtuar edhe ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.

Takimi është zhvilluar mes thirrjeve për ligje më të forta të ndalimit të armëve në Shtetet e Bashkuara pas një numri rekord të të shtënave në vitin 2023.

Sipas Arkivit të Dhunës me Armë, ka pasur 146 të shtëna që nga muaji janar deri më tani në SHBA, raporton bbc.


Çfarë është NRA?

E themeluar në vitin 1871, si një grup rekreativ për të “promovuar dhe inkurajuar gjuajtjet me armë”, Shoqata Kombëtare e Armëve është rritur në një nga organizatat më të fuqishme politike në SHBA.

Ajo lobon shumë kundër të gjitha formave të kontrollit të armëve dhe argumenton në mënyrë agresive se më shumë armë e bëjnë vendin më të sigurt, transmeton Telegrafi.

NRA mbështetet dhe mbron me vendosmëri një interpretim të diskutueshëm të Amendamentit të Dytë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili argumenton se u jep qytetarëve amerikanë të drejtën për të mbajtur armë.

Ai financon drejtpërdrejt politikanët dhe ligjvënësit amerikanë që mbështesin synimet e shoqatës.

Kush e drejton NRA?

Wayne LaPierre drejton NRA-në që nga viti 1991.

Grupi është aktualisht në vështirësi ligjore, pasi është në një betejë gjyqësore me Prokurorin e Përgjithshme të New Yorkut.

Prokuroja Letitia James pretendon se në të kaluarën organizata ka derdhur miliona dollarë në llogaritë bankare të politikanëve, përfshirë LaPierre.

Ajo ka paditur LaPierre për miliona dollarë që ka marrë prej NRA-s ndërsa kërkon që organizata të përballet me monitorimin financiar.

NRA e ka përshkruar padinë si një “sulm të pabazë, të paramenduar”.

Sa i madh është NRA?

Ndryshojnë shumë vlerësimet sesa anëtarë ka organizata.

Shoqata pretendon se anëtarësimi u rrit në gati pesë milionë si përgjigje ndaj të shtënave masive në shkollën Sandy Hook në vitin 2012.

Megjithatë, disa analistë e vlerësojnë shifrën afër tre milionë.

Anëtarë aktual të NRA janë edhe ish-kandidatja për zëvendëspresidente të SHBA-së, Sarah Palin dhe aktorët, Tom Selleck dhe Whoopi Goldberg.

Ndërkohë, ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence i është bashkuar Trumpit dhe DeSantis në Indianapolis në takimin e këtij viti.

Sa ndikues është NRA?

Në vitin 2022, NRA arkëtoi mbi 88 milionë euro nga detyrimet e anëtarësimit. Kjo është ulur me më shumë se 40 për qind nga viti i saj më i suksesshëm i vitit 2018. Organizata fajësoi pandeminë për rënien.

Megjithatë, NRA ka ende një buxhet të konsiderueshëm, të cilin e shfrytëzon për të ndikuar te politikanët amerikanë në politikën e armëve.

Në vitin 2021, ajo shpenzoi 3.8 milionë euro për lobim, sipas firmës kërkimore jopartiake të SHBA-së, OpenSecrets.

Shifrat e OpenSecrets sugjerojnë se që nga viti 2010, NRA ka ndarë më shumë se 140 milionë dollarë për njerëzit dhe politikanët që janë pro-armëve.

NRA gjithashtu ka ndikim të konsiderueshëm nëpërmjet anëtarësimit të saj, shumë prej të cilëve do të votojnë për një kandidat bazuar vetëm në qëndrimin e tyre ndaj armëve.

Ajo i vlerëson anëtarët e Kongresit nga A në F për miqësinë e tyre me shoqatën.

Pse NRA është e diskutueshme?

Për dekada, NRA ka kundërshtuar në mënyrë agresive masat që do të kufizonin zotërimin e armëve, pavarësisht qindra aksidenteve tragjike me armë, duke përfshirë shumë në shkolla.

Aktori i ndjerë Charlton Heston – ish-president i NRA – mbante një armë mbi kokë pas të shtënave masive në shkollën e mesme “Columbine” në vitin 1999, duke u thënë zyrtarëve të kontrollit të armëve se do të duhej t’ia merrnin armën “me zor”.

Çfarë ka thënë NRA për të shtënat në shkolla?

Më 27 mars, gjashtë persona duke përfshirë tre fëmijë u vranë në një shkollë në Nashville.

NRA u përgjigj duke bërë thirrje për më shumë siguri në shkolla, në vend të kufizimeve në zotërimin e armëve.

Sulmi në Nashville ishte ndër më të kobshmet në një shkollë amerikane, ku 19 fëmijë dhe dy të rritur u vranë në Uvalde, Teksas, në maj të vitit 2022.

NRA mbajti në Houston mbledhjen vjetore të vitit 2022, vetëm disa ditë pas sulmit në Uvalde, pavarësisht thirrjeve të përhapura për të anuluar ngjarjen.

Në vitin 2018, ai mbështeti një thirrje të presidentit të atëhershëm, Donald Trump për të armatosur mësuesit dhe anëtarët e tjerë të stafit për të penguar sulmet me armë – megjithëse shumë ligjërues nuk duan të jenë të armatosur. /Telegrafi/