LAJMI I FUNDIT:

Çimkat dhe shantazhet

“Zogu që di shumë, duhet prerë kokën!”, ishte slogani i pashkruar i shërbimit sekret serb nga i cili shqiptarët u përgjuan, u shantazhuan dhe u vranë. Deputetët tanë nuk duhet harruar se “murtaja” e shantazheve papritur i shpërthen muret e Parlamentit dhe e bën hatanë

Fundi i viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar në Shqipërinë komuniste po shënonte rritjen e luftës speciale dhe terrorit psikologjik, ndërkohë që përgjimet, burgosjet dhe internimet në Shqipërinë staliniste tashmë ishin shfrenuese. Çdo i treti banor, ose ishte i burgosur politik, ose ishte në internim, ose përgjohej nga Sigurimi i Shtetit.


Në këtë periudhë, regjimi komunist nga arka e tij e varfër kishte bërë një investim “kapital”, që konvertuar në valutë të huaj kishte vlerën prej 25 milionë markash gjermane për instalimin e aparaturave të përgjimit në kryeqytetin shqiptar dhe në qytete tjera. Terrori psikologjik te shqiptarët në “periudhën e çimkave” tash gjendej në fazën e përmasave paranojake kolektive. Familjet shqiptare intelektuale dhe të anatemuara nga regjimi, të vetmet hapësira të papërgjuara nga mikrofonët i konsideronin tualetet e banesave dhe bulevardet e qyteteve. Politikanë, shkrimtarë e intelektualë kishin nevojë të bisedonin për çështje që nga bota intime deri në kupolën e shtetit.

Njëmend kaq shumë mikrofonë ishin instaluar në Shqipërinë staliniste?! Edhe po të mos ishte një shifër aq marramendëse, Sigurimi famëkeq e kishte realizuar qëllimin e tij. Në trurin e shqiptarëve e kishte ngulitur bindjen se në secilin institucion, banesë, madje në secilën skutë kishte instaluar çimka (mikrofonë), që do t’ua përgjonin madje edhe imagjinatën!

Ndryshe nga regjimi stalinist në Shqipëri, këndej kufirit në Kosovë, shërbimi sekret serb mjaft i sofistikuar, me pushtet e resurse të mëdha, në masë më të shtuar i përdori shantazhet si metodë e nënshtrimit ndaj personave me “rëndësi të veçantë” e më pas edhe i keqpërdori ata për t’i realizuar synimet për nënshtrimin e Kosovës. Pas luftës së fundit në Kosovë dhe në gjendje anarkiste ku nuk e njihte as “qeni të zonë”, të ashtuquajturat shërbime informative jo të pakta në numër i kopjuan shërbimet sekrete të dy shteteve të ish-kampit komunist; çimkat nga Sigurimi i Enverit dhe shantazhet nga UDB-ja e Titos.

Ditëve të fundit, deputetët e dy grupeve parlamentare në Parlamentin e Kosovës, “pavetëdijshëm” u gjendën në kazanin e përvëluar të shantazheve. Ata sikur harrojnë se “murtaja” e shantazheve papritur i shpërthen muret e Parlamentit dhe bën hatanë. Kjo tendencë dëshmon se në Parlamentin tonë nuk është gjithçka OK në njërën anë dhe vë në pah dilemën se a janë këta përfaqësuesit e denjë çfarë i ka dëshiruar sovrani në anën tjetër?

Shantazhet janë të rrezikshme. Duke pretenduar që përmes tyre luftohet e keqja, në fakt ndodh mbindërtimi i të këqijave. Shantazhet ndodhin kur institucionet e shtetit janë jofunksionale, ndërsa partitë politike janë në krizë dhe kur raportet midis tyre janë përherë të acaruara. Ato funksionojnë në veçanti kur vendi nuk udhëhiqet nga një president respektiv dhe në mungesë të këtij faktori unifikues, atëherë shteti i ngjanë shtëpisë pa zot shtëpie. Në këtë kaos të depresionit, krizës ekonomike, krimit të organizuar e korrupsionit, papunësisë së madhe dhe krizës politike siç është ajo në veri të vendit, shantazhet funksionojnë jashtëzakonisht mirë dhe atyre nuk mund t’u bëjnë ballë edhe strukturat më të avancuara të sigurisë.

Vitet e pasluftës në Kosovë kanë shënuar edhe një element të çuditshëm; paranojën nga shërbimet e shumta informative vendore e ndërkombëtare. Është folur se në Kosovë funksionojnë mbi tridhjetë shërbime informative. Edhe po të mos ekzistonin këto shërbime, prononcimet dhe pohimet publike të politikanëve të profileve të larta e kanë bërë efektin e vet.

Frika nga përgjimet e ligjshme dhe të jashtëligjshme ekziston edhe sot dhe kjo frikë mbrapa vetes bartë pasoja të mëdha, të cilat fundja na përsëriten çdo vit në raportet e progresit për Kosovën. Vështruar në këtë aspekt, atëherë del se kosovarët janë të atakuar nga histeria e shantazhit kolektiv, që cenon liritë më fundamentale të një vendi që pretendon të jetë i lirë.

“Zogu që di shumë, duhet prerë kokën!”, ishte slogani i pashkruar i shërbimit sekret serb nga i cili shqiptarët u përgjuan, u shantazhuan dhe u vranë. Deputetët tanë janë të obliguar që të diskutojnë, të miratojnë ligje dhe të sjellin vendime në Parlament, por jo edhe të bëjnë Prokurorinë. Këtë sigurisht e dinë, pasi jo rrallë edhe mburren se janë të përzgjedhurit e sovranit!

(Autori është bashkëthemelues i Qendrës për Informim të Kosovës)