LAJMI I FUNDIT:

Çërçilli dhe Enveri: A mundet arti të ndryshojë imazhet?!

Çërçilli dhe Enveri: A mundet arti të ndryshojë imazhet?!

Nuk mund të hiqen paralele të vërteta mes staturave, emrave dhe asaj që krijuan dy kryeministrat e pas Luftës së Dytë Botërore, Uinston Çërçilli (Winston Churchill) dhe Enver Hoxha. Në asnjë sens. Jo thjesht për peshën në histori por edhe kontributet, që kanë dhënë secili për vendin dhe njerëzimin.

Çërçilli në vendin e tij s’është thjesht ish-kryeministri i Luftës dhe njeriu që e drejtoi Britaninë e Madhe në një nga momentet më të vështira të historisë moderne: fitoren mbi Nazizmin, por edhe njeriu që mbajti gjallë shpresat e kontinentit dhe devijoi atë trend të rrezikshëm jo luftarak që për pak mori qytetari në Evropë e Britani.

Enver Hoxha fillimisht ishte pothuaj i panjohur edhe në vetë vendin e tij. Në ilegalitet të thellë, ai më shumë njihej nga pseudonimet e shumta sesa nga figura e vërtetë.


Kur gjermanët bënë dy ekspeditat e mëdha në dimrin dhe pranverën e vitit 1944, ai pothuaj nuk dihej se ku ishte bashkë me shtabin e tij. Ai do të bëhet i njohur pak nga pak në historinë e vendit të vogël, kurse kulti i tij deri në vitin 1990 do të njohë vetëm rritje.

Me pak fjalë, pothuajse asgjë e madhe në dukje për të hequr një paralele. Megjithatë ka një element, që i bashkon dhe kjo lidhet me pasqyrimin në art. Enver Hoxha veç periudhës së Komunizmit dhe disa përpjekjeve në publicistikë dhe në fushën dokumentare nuk është i pasqyruar si duhet pas viteve ‘90. Frika për t’u mos keqkuptuar nga kokat e nxehta ka bërë të shmangen të gjithë debatet për figurën e tij, moshikimi si duhet i figurës ka lënë shteg të lirë për guximtarët që do merren në të ardhmen me të.

Në të gjallë, ai e mbajti figurën e tij me kujtimet personale, që ishin nga librat më të lexuar të kohës, por edhe propagandën e kuruar, që e shtriu deri në Perëndim dhe në Lindje. Kjo e bën figurën e tij, të mbartë një lloj ekzotike, që me shumë gjasë do të tërheqë kineastët në të ardhmen për të ndërtuar një nga figurat interesante të Liderave të Kampit komunist.

Çërçilli s’e ka vuajtur këtë mosnjohje. Përpos ai është nobelist. Janë shkruar e me gjasë do shkruhen libra kujtimesh, kurse vetë ai ishte tejet tërheqës me përballjen dhe fjalimet e veta, që në të gjallë patën tërheqje të gjerë dhe vazhdojnë ende të lexohen e të debatohen. I përfaqësuar shumë në libra publicistike dhe personazh në shumë filma fikshën artistikë dhe dokumentarë, ai vuan pak për atë fill real që përbën dyzimin e tij moral dhe karakterial. Gjithsesi, në pak vitet e fundit në dy syresh, “Darkest Hour” dhe “Churchill”, interpretuar nga dy prej aktorëve më të njohur në botë, gati janë zbuluar këndvështrime të tjera të figurës së tij të përfolur.

A duhet vlerësuar gjithnjë si një lider i kohës së luftës? A mund të dënohet si simbol i fanatizmit dhe kolonializmit?

Historia na i jep të dy mundësitë, sepse për fat studimet dhe publicistika në Britani dhe kudo në botë punon me metodat e krahasimit dhe është e pa kompleksuar.

Kurse, Enver Hoxha ishte i veçantë jo thjesht për kultin, por të gjithë sistemin që iu përshtat interesave të tij, mbi të gjitha paranojën për përsosmërinë. Në vend i atribuohen shumë vlera. Ani pse përmirësimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor dhe sidomos përmirësimi i jetës sociale të shqiptarëve përmenden gjithnjë me stepje edhe nga më guximtarët në histori, sepse menjëherë ngjallet grupi i vonuar antkomunist, që të bën copash. Megjithatë, koha nuk humbet t’i vihet në dukje ai represion i paparë që bëri ndaj mendimit ndryshe dhe sidomos izolimi i frikshëm i vendit. Media e kohës na e pasqyroi gjithnjë simpatik; në artin e pikturës një burrë i bukur dhe vizionar, kurse në filmat e luftës imazhi i tij fshihej sepse identifikohej gati me… Providencën.

Çërçilli në kohën e vet tregoi se ishte edhe racist dhe jo vetëm me standardet e kohës, por edhe për sytë e atyre që e njohën nga afër dhe lanë kujtime, deri edhe në vetë qarqet konservative. Shembujt janë të shumtë por ajo që i përmendet është politika kolonialiste për Indinë. Në biografinë e “John Charmley: The End of Glory” thuhet se: “Edhe te pjesa më e madhe e Konservatorëve, duke lënë mënjanë Liberalët dhe Laburistët, pikëpamjet e Çërçillit për Indinë e mes viteve 1929 dhe 1939 ishin shumë të pështira”. Gjuha e ashpër e tij nuk falte askënd madje as Gandin duke e stigmatizuar ashpër. Për liderin britanik duke i dhënë Indisë drejtimin e vendit po i jepej drejtim vetë rënies së Perandorisë dhe me këtë akt po vinte vetë fundi i Civilizimit.

Dhe, nuk mbaron këtu: Atij i veshin edhe një pjesë të fajit për urinë shkatërruese që vrau tre milionë njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore! Historiani Madhusree Mukerjee, autor i Luftës Sekrete të Çurçill pohon se Çurçill propagandoi: “Piramidën sociale darviniane që shpjegonte faktin pse uria mund të tolerohej në Indi, ndërsa racionimi i bukës konsiderohej si një privim i patolerueshëm në Britaninë e kohës së luftës”. Ka edhe më. Ai e shikonte gazin lotsjellës si një armë njerëzore për të shtypur kundërshtarët…por pa i vrarë.

Kurse, diktatori shqiptar, këtë fakt, e mendoi ndryshe. Ai duhej të vriste këdo, që ishte kundër idesë së tij se Shqipëria ishte Fanar Ndriçues!!! Kështu e pësuan kolegë, komandantë të luftës anti-fashiste dhe shumë njerëz të pafajshëm, përfshi me zyrtarë të ekonomisë, fajësia e të cilëve dalë ngadalë po provohet se ka qenë e sajuar. Megjithatë kjo politikë e tij u përshëndet nga jo pak vetë dhe madje Hoxhën e nderonte shumë në të gjallë Che Guevara, ashtu si i shprehte kortezinë dhe De Goli i madh pa përfshirë një sërë burrash të tjerë.

Politika e asnjanësisë, që ndoqi një moment, kur i mbaruan tekat, frymëzoi shumë Botën e Tretë, që shikonte një figurë ndryshe dhe e admironte.

Shumë u afruan të shkruanin dhe ta intervistonin, por as edhe një prej tyre nuk mundi ta realizojë këtë sa ishte gjallë. Kishte një ide, që e rrënjosi te servilët dhe shpura e tij: ai duhej të dilte sa më i përkorë.

Sa i përket Çërçillit, me të gjithë kundërthëniet, edhe biografi Max Hastings, autori i “Viteve të Fundit” dorëzohet dhe shkruan frazën përmbledhëse: “Ishte frymëzimi i tij që e pengoi Britaninë të bashkohej me pjesën tjetër të Evropës duke iu dorëzuar fuqisë së Gjermanisë naziste”. Arti po e paraqet Çërçillin sot me disa fytyra, por në të gjitha një burrë të hekurt dhe tepër të ndryshueshëm me shumë problematika, por duke ia ndryshuar atë veçantinë që ndan mitin me realitetin e tij. Dhe, kjo përbën dhe njohjen më të mirë!

Po Enver Hoxha?

Është ende e vështirë që të bëhet një monografi studimore e tij për faktin e përballjes me realitetin e vendit, që ai la. Në të vërtetë, ai mori të drejtojë një vend pothuaj 100 për qind të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, me një infrastrukturë humane pothuaj inekzistente. Sikur të mos mjaftojë kjo, ai e shtyu edhe më tej këtë, kur zhduku edhe ata pak intelektualë, që do mund t’i duheshin zhvillimit të vendit. Ata të paktit që mbetën jo vetëm kontribuuan për vendin por ishte edhe balanca ndaj një regjimi që nuk përmbahej në luftën e tjetrit. Asokohe, tjetri u konsiderua ai që nuk kishte lidhje me idealin komunist apo ta përkrahte këtë. Si rezultat, Diktatura e Proletariatit u fut dhe në Kushtetutë dhe vendi jetoi një nga diktaturat më eksperimentale në botë. Shqipëria nuk i shpëtoi dot linçimit të kundërshtarit të idesë.

Por, a do t’ia dijë arti për këtë? Në vitet e fundit, sidomos në botë, pamja që na ka ardhur për diktatorët dhe atë që kanë bërë për vendet e tyre ka qenë e diktuar nga konjukturat. Qoftë deri në Hollywood. Dhe, kjo ka dëmtuar dhe politikat lokale, por edhe vetë shikimet historike. A do të ndodhë kështu edhe me Enver Hoxhën? Shumë po i aviten figurës së tij, por ende nuk po shohim një produkt nga ku mund të përcjellin cilësi të larta estetike dhe dëshmi profesionale, që ta zbërthejnë dhe të japin mesazhet e kohës përmes figurën e tij. Ngurrim. Pa njohje. Pa interes. Mbase të gjitha bashkë.

Po si mund të jetë më pas perceptimi i Hoxhës, nëse ky film realizohet? Ky është vërtetë basti i të ardhmes. Ai bast, që anglezët sot e kanë me figurën e Çurçillit të madh, që e ka zbuluar realisht imazhin e vërtetë të Britanisë së shekullit të shkuar. /Homo Albanicus/