LAJMI I FUNDIT:

Caktohet ekspertizë balistike jashtë shtetit në rastin ndaj Haxhiut dhe të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlament  

Caktohet ekspertizë balistike jashtë shtetit në rastin ndaj Haxhiut dhe të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlament  

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Demaku, ka njoftuar se do të caktohet të bëhet një ekspertizë balistike jashtë shtetit për të vërtetuar se çfarë mjetesh kanë përdorur të akuzuarit në rastin ku për posedim të gazit lotsjellës në Kuvend po akuzohen ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu.

Sipas saj, duke u bazuar në sugjerimet e Apelit gjykata fillimisht ka urdhëruar Agjencinë e Kosovës për Forenzikë për një ekspertizë balistike, mirëpo në përgjigjen e tyre, thuhet se ne laboratorin e tyre nuk mund të behët ekspertizë e tillë për mjetet e gjetura tek të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Do të kërkohet ekspertizë jashtë shtetit meqenëse nuk bëhet në Agjencionin Kosovar të Forenzikës për mjetet e gjetura tek të pandehurit, dhe për të konstatuar se çfarë janë ato në të vërtetë”, tha gjykatësja Dermaku.


Paraprakisht, gjykatësja Dermaku palëve ua dorëzoi nga një kopje të përgjigjes së AFK-së, ku në këtë përgjigje thuhej se në laboratorin e tyre nuk mund të bëhet një ekspertizë e tillë.

Lidhur me këtë përgjigje, prokurori Ilaz Beqiri tha se zyrtarët e AFK-së qartë e kanë shpjeguar se nuk kanë pajisje që të bëhet ekzaminimi.

“Këtë fakt prokurori e ka dit qysh herët edhe për këtë se kam marrë këtë veprime, propozoi që të vazhdohet tutje me procedurën”, deklaroi prokurori Beqiri.

Sipas tij,  tani i mbetet zbatuesve të ligjit që ta lexojnë dhe interpretojnë drejtë dispozitën e nenit ku përcakton se çka sipas Kodit Penal cilësohet armë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci ka thënë se si duhet Prokuroria i ka ngatërruar disa çështje bazike pasi që, sipas tij, jo çdo gaz konsiderohet armë.

“Fakt për këtë e keni për gazat që lëshohen në diskoteka të cilat nuk janë armë dhe nuk janë të dëmshme prandaj, edhe duhet të përcaktohet se çka është ajo për të cilën Prokuroria pretendon se është armë”, ka thënë avokati Koci.

Fjalën e tij, e ka mbështetur i akuzuari Lekaj, i cili tha se i lutet prokurorit që të tërhiqet sepse sipas tij, pa dëshmitarë, pa ekspertizë po mbahen në këtë proces gjyqësor.

“Kjo ndikon edhe në pozitat që i kemi edhe si deputet edhe si ministra dhe mendoj që duhet prokurori të gjitha rrethanat që janë të dëshmuara këtu, që të tërhiqet nga kjo aktakuzë”, shtoi Lekaj.

Edhe e akuzuara Albulena Haxhiu, kërkoi nga prokuroi që të tërhiqet nga aktakuza, pasi që sipas saj, asnjë person nuk mund të ftohet, gjykohet apo dënohet pa një ekspertizë të tillë.

“Konsideroj që ekspertiza në këtë proces gjyqësor është shumë e rëndësishme, pra është thelbi i çështjes dhe konsideroj që nuk mund të ftohen, gjykohen, dënohen personat pa një ekspertizë të tillë. Pra, nuk mund te gjykohen personat me interpretime të prokurorit, duhet të ketë prova, duhet të ketë fakte, duhet të ketë ekspertizë, prandaj ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza, nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërsa, e akuzuara Donika Kadaj-Bujupi lidhur me përgjigjen e AFK-së ka thënë se po flasim për një provë të supozuar për të cilën ekspertiza e ka konfirmuar se nuk kapacitet dhe potencial të dëshmojë se bëhet fjalë për supozimin e prokurorit që kanë poseduar armë.

“Pra, ne qe 7 vite po mbahemi  në proces ku nuk ka dëshmitarë, nuk ka prova, nuk ka ekspertizë për provat e supozuara nga prokurori”, ka thënë e akuzuara Kadaj-Bujupi.

Kurse, e akuzuar Besa Baftiu deklaroi se AKF-ja shumë qartë e ka sqaruar se nuk ka pasur prova qoftë nga prokuroi, qoftë nga gjykata apo nga policia që të bëjë ekspertizën.

Gjatë seancës, avokati Koci shprehu edhe një shqetësim të tij lidhur me temperatura e ftohta që mbretëronin në sallë të gjykimit.

“Po, ky nuk është gjykim, këto nuk janë kushtet për me u mbajt gjykimi, 9 gradë në sallë”, tha avokati Koci.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar hetuesi dëshmitari Detan Rukolli hetues në Drejtorinë për hetimin e Krimeve të Rënda, për të cilin gjykatësja Dermaku tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se për shkak të angazhimeve-një plani operativ që duhet të zbatohet nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Gjykatësja Dermaku, po ashtu tha se gjykata ka bërë përpjekje që të kontaktoj përmes telefonit ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Policisë së Kosovës dhe Drejtorin e Drejtorisë për hetimin e Krimeve të Rënda por të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjes.

Për mungesën e tij, në fund gjykatësja Dermaku tha se do të kërkojë raport me shkrim nga eprorët e tij për të konstatuar nëse ka vërtetë ka qenë e arsyeshme mungesa e tij në këtë seancë.

E pasi që u caktua të bëhet ekspertizë balistike jashtë vendit, seanca e radhës u shty në kohë të pacaktuar.

Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/