LAJMI I FUNDIT:

Butrint: Rënia e vizitueshmërisë, kalimtare

Butrint: Rënia e vizitueshmërisë, kalimtare

Rikonstruksioni i rrugës Çukë-Butrint, ka çuar në një frenim të vizitueshmërisë në Parkun Kombëtar të Butrintit këtë sezon. Kjo bëhet e ditur nga drejtori i Parkut, Ylli Cerova, që njëherësh jep shifrën e rritjes me 15 për qind të numrit të turistëve dhe 2 për qind të të ardhurave si 7-mujor. Dhe për këto të fundit, ai shprehet se ka rënie, sipas tij, për shkak të uljes së çmimit të biletës për vizitorët vendas.

Drejtori Cerova e konsideron këtë një situatë kalimtare, sigurisht për shkak të rrugës, dhe thotë se duhet të priten dhe muajt gusht, shtator e tetor, ku ka një vijim dinamik të fluksit të vizitorëve të huaj, ku synohet të arrihet shifra e 60 mijë vizitorëve në vit, një kuotë kjo e pa regjistruar më parë, sipas tij.

Cerova foli dhe për faktet e publikuara në një të përditshme shqiptare, ku shkruhej se në muret e Butrinit po ngulen gozhdë e po dëmtohet konstrukti i skenës së teatrit etj. Sipas Cerovës, kjo nuk është aspak e vërtetë dhe për alibi, ai përmendi faktin se Parku ka një monitorim të rregullt nga Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Sa i përket gërmimeve të reja, ai tha nuk do të ketë, pasi puna do të përqendrohet te konsolidimi dhe trajtimi i zbulimeve të fundit. Në këtë drejtim, ai tha se puna në park ka shumë nevojë për specialistë, qoftë dhe të florës e faunës, për shkak të ndërliksjes së disa realiteteve në këtë park. Në prononcimin e tij, Cerova nuk la pa përmendur dhe faktin, që sipas tij, ai do vijonte të ishte drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit dhe për 10 vite të tjera.


Dy bazilika në dritë dhe dy rikonstruksione

Evjeni Thomagjini, specialiste e monumenteve pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, foli dje për një sërë projektesh pune e rikonstruksioni në këtë park. Ajo përmendi proceset e konsolidimit në Bazilikën e madhe, të murit venecian në anë të Kanalit të Vivarit si dhe konsolidimin dhe zbulimin për vizitorët të dy bazilikave në kalanë trekëndore.

Gjithashtu, Thomangjini përmendi dhe dy projekte restauruese për 2010, ku do të ndërhyhet në një të çarë të kalasë së Ali Pashës dhe në një hepim muri te kalaja trekëndore në Butrint.

Ilir Papa, drejtor në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Sarandë, pjesë e këtij projekti restaurues në bashkëpunim më drejtorinë e Parkut të Butrintit, tha se puna është në fazën fillestare, atë të konstatimit të shkaqeve për dëmtimet në dy kalatë. E sipas specialistes Thomagjini, ato mund të vijnë për shkak të lëvizjeve tektonike të tokës në atë zonë.

Sakaq, Papa foli për një vizion të së ardhmes, ku kalaja e Ali Pashës në afërsi të Butrintit, ndër më të mirëmbajturat e mirëruajturat në Shqipëri, së bashku më atë të Porto-Palermos, po e Ali Pashës, të integrohet tërësisht me Parkun, e të bëhet pjesë e pandashme e këtij të fundit, në guidën e vizitueshmërisë. Aktualisht, kalaja e Ali Pashës, ka një numër të kufizuar vizitorësh.

Një çati për Kishën e Leshnicës

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Sarandë, Ilir Papa, bëri me dije se ka nisur rikonstruksioni i Kishës së vjetër të fshatit Leshnicë, me kontribute financiare të vetë banorëve. Ai tha se Kisha në fjalë është një pasuri monumentale me vlera e zonës. Në një fazë të dytë do të ndërhyhet dhe në afresket e brendshme.

Por për momentin, më urgjente ishte çatia e Kishës prej së cilës kishin nisur të vepronin agjentë natyrorë me pasoja për pasurinë piktorike dhe paleografinë bizantine të kësaj vepre monumentale të kulturës ortodokse që i takon fillimit të një mijë e pesëqindtës. /Shekulli/