LAJMI I FUNDIT:

Bukën tonë të përditshme falna sot

Bukën tonë të përditshme falna sot

Teuta Skënderi

Buka për shqiptarët nuk është vetëm bukë. Buka është hyjni, një zot femëror së cilës i lutemi, që çdokush ta ketë, askush mos të mbetet pa të, bardhësia e saj kurrë mos të mallkohet. “Pasha bukën!”, betohemi në shenjtërinë e saj si në perëndi. Gatimi i bukës është një mrekulli zejesh, e përcjellë brez pas brezi me shekuj. Buka është mbijetesë, buka është punë, buka është jetë, begati dhe mikpritje. Universi ynë. Është gjithmonë me kore të fortë nga jashtë, dhe me një butësi hyjnore të papërshkrueshme nga brenda; si shpirti i bardhë i një personi të mirë, sikur duart e nënës. E butë, si një re e bardhë qiellore. Përherë mbi tryezë, e mbështjellë me një leckë të bardhë të qëndisur në shtëpitë tona; ndërsa nëpër restorante, mensa studentore, pushimore, porositet nga dy herë gjithkund ku ulen shqiptarët për të ngrënë.


Buka është përsosmëri. Sikur globi në të cilin jetojmë, dhe kudo që shqiptarët udhëtojnë rreth tij, buka udhëton me ta. Sikur një lutje, si një gur i rëndë, një hajmali, një lamtumirë e fundit në valixhet e panumërta të mërgimtarëve tanë, e vendosur aty nga nënat dhe gjyshet: një puthje, një fjalë e pathënë, një lutje mbrojtëse, një lot; të gjitha janë të pjekura brenda me dashuri. Sikur një vulë, apo stemë familjare, çdokush e ka mënyrën e veçantë se si e pjekë dhe çfarë forme i jep bukës.

Buka kurrë nuk hidhet, asnjë copëz e saj, dhe ndahet me butësi dhe kujdes, duke iu ofruar fëmijëve së pari. Mbi trohat e bukës nuk shkelet kurrë, dhe ato zakonisht përfundojnë në prag të dritareve të panumërta për t’i ushqyer zogjtë. “A ke hangër bukë?”, më duket vetëm në shqip kjo pyetje ka kuptime të shumëfishta: nëse ke ngrënë drekë, darkë, mëngjes, apo thjesht nëse ke uri. Nuk është kjo vetëm diçka që na ka lënë varfëria, jo, është një brumë lashtësie.

Buka është ekzistenca, buka është e përjetshme. E rrumbullakët dhe e përkryer sikur sofra, sikur rruzulli tokësor mbi të cilin jetojnë të shpërndarë si yje, miliona shpirtrash të mërgimtarëve tanë, të uritur për atdheun. Buka ndahet me mikun, me mysafirin. Buka i falet skamnorit.

Buka është nderi. Mark Milani në librin e tij mbi doket dhe zakonet e malësorëve shqiptarë, ka shkruar për një burrë të fisit Shala, të cilin para ekzekutimit e pyet një vezir otoman, nëse ka pasur një dite më të vështirë se kjo. “Po”, iu përgjigj ai, “ishte dita kur nuk kisha bukë me i dhanë mysafirit. Kjo ishte më e randë se vdekja”.

“I bardhë si buka”. Babin tim shpesh e përshkruanin kështu. Një shprehje aq e njohur tek populli ynë, që përshkruan njerëzit e veçantë, me virtyte më të mira njerëzore; të bujarisë, mirësisë, shpirtbardhësisë, sinqeritetit. Nuk ka njerëz më të mirë në botë se këta, të cilët i krahasojmë me perëndinë tonë të përjetshme, të sajuar nga mielli, kripa, uji, dhe atë mundësisht në furrën e një bukëpjekësi mjeshtëror nga Hasi.

Jam e bindur që hasjanëve u është pëshpëritur formula e përsosur për sajimin e bukës nga një dimension jashtëtokësor. Është buka që adhuroj më së shumti në botë, shijen e së cilës e njoh kudo, dhe jo vetëm shijen por edhe aromën e ëmbël që e shoqëron atë. Kjo aromë shumë e njohur për mua, më bëri të ndalem në vend për ta gjetur se nga vjen, në Zagreb, në Rijekë, në Pula, në Novi Sad, në Shkup, në Edinburg. E përcjell shtegun e saj të padukshëm. Është shteg lotësh dhe djerse e atdhetarëve tanë. Bukëpjekësit nga Hasi kanë gatuar bukë për shume vite, në vendet e ndryshme të botës, duke ushqyer kështu gjenerata njerëzish, të cilët kurrë nuk zbuluan, ose nuk iu interesonin, doket dhe zakonet, gjuha e lashtë, apo kostumet e qëndisura magjepse, shumëngjyrshme të hasjanëve, që ta ndalin frymën me bukurinë e tyre; ku secila figurë, është një kod, një përrallë dhe histori në vete.

Ata janë të qetë, të vyeshëm dhe të përpiktë. Flenë herët, sepse duhet të zgjohen në orën tre të mëngjesit për të filluar magjinë e zanatit të tyre, duke ëndërruar gjithmonë një ëndërr të njëjtë para zgjimit: nënën te pragu i shtëpisë, kthimin në Hasin e Thatë, kur njëherë moti, Pjetër Bogdani sodiste yjet, duke shpalosur misteret e universit, një nga një.

Edhe babai im, i bardhë sikur buka, adhuronte po ashtu bukën e Hasit, të gatuar nga mjeshtri bukëpjekës i familjes Çollaku në Prizren. Çdo ditë pas punës, ai shkonte në furrë për të blerë bukën tonë të përditshme, dhe ndonjëherë më merrte me vete. Sa krenare që isha kur ia mbaja dorën duke pritur në rend. Atëbotë, i premtova vetes, se kur do të rritem do të blej bukë për fëmijët e mi vetëm në këtë furrë dhe askund tjetër, sikur babi. Por ja që ëndrra ime ra si peng lufte, dhe kjo dëshirë e paplotësuar, piqet çdo vit në një rruzull të vogël mrekullie, që shndrit si një yll, në valixhen time, kur largohem nga qyteti im, me aromë buke me kore të trashë dhe të fortë nga jashtë, dhe me brendësi të butë hyjnore (pak sikur vetë banorët e tij), zakonisht në orën pesë të mëngjesit.

Djaloshi i cili deshi ta mësojë zejen hyjnore të gatimit të bukës, nga një bukëpjekës hasjan në Novi Sad, larg nga familja dhe shtëpia, u godit rëndë të dielën. U plagos, u lëndua, u gjakos. Ishte ky udhëtimi i parë i tij jashtë vendlindjes. Lamtumira e tij e parë, me lotin e gurtë të fshehur në shpirt. Kur lexova lajmin për herë dhe kur në atë orë ai për ne ishte vetëm një djalë me inicialet Ç.M, unë në trishtimin tim të mesnatës, u pyeta nëse ai quhej Çlirim, apo ishte nga farefisi i bukëpjekësit tonë të dashur Çollaku. Nuk më zinte gjumi. Të nesërmen ia mësuam emrin, ia pamë sytë në fotografinë e publikuar; si dy yje, kureshtare, të sinqerta dhe të ndritshme. Sy që panë tmerrin e urrejtjes dhe shëmtinë e botës. Sy që ende janë në rrezik të shuarjes…

Dhe sonte më duket sikur dëgjoj vajtimin e familjes së tij, duke ushtuar mbi gurët e Hasit: “I bardhe si buka”. Ose, siç thoshte Migjeni, “bukën tonë të përditshme falna sot”.