LAJMI I FUNDIT:

Bota ka hyrë në një Luftë të Re të Ftohtë!

Bota ka hyrë në një Luftë të Re të Ftohtë!
Ilustrim

Dy lajme të rëndësishme këtë javë risollën në debatin politik dhe mediatik ndërkombëtar çështjen madhore gjeopolitike nëse bota është kthyer sërish në një periudhë të re dramatike të Luftës së Ftohtë. Më 26 prill, në Bruksel, shefi i Shërbimeve të Përgjithshme të Zbulimit Ushtarak (SGRS), Wim Robberecht, paralajmëroi seriozisht shtetasit belgë “që të mos jenë më naivë, se tashmë kemi hyrë në Luftën e Ftohtë”! Theksojmë se është hera e parë në historinë e vet 108 vjeçare që ky Shërbim jetik i Belgjikës – bashkëthemeluese dhe selia qendrore e BE-së dhe NATO- -, bëri një deklarim të tillë publik.

Mirëpo, ky pohim tronditës nuk erdhi spontanisht e ca më pak si sensacion, meqë pason disa tregues të tjerë domethënës dhe së fundi publikimin më 24 prill të Raportit Vjetor mbi Shpenzimet Ushtarake Botërore – nga Instituti prestigjioz i Kërkimeve të Paqes me seli në Stokholm të Suedisë. Të dhënat janë drithëruese dhe do t’i kishte zili edhe periudha më e errët e Luftës së Ftohtë.


Gjatë vitit 2022, shpenzimet e mbrojtjes në botë u shtuan më 13 për qind, rritja më e madhe e 30 vjetët të fundit. 15 vendet e para zënë 82 për qind të të gjitha shpenzimeve ushtarake botërore. Ato ishin të dukshme dhe në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku kapën shifrën rekord prej 480 miliardë dollarë.

Vendi e parë e zë si gjithnjë ShBA-ja me 877 miliard dollarë – sa 39 përqindëshi i shpenzimeve botërore – e ndjekur nga Kina me rreth 13 për qind. Shquhet – sidomos në dy vjetëve e fundit, në prag dhe gjatë agresionit ndaj Ukrainës – edhe Rusia me një rritje prej 9.2 për qind gjatë vitit 2022. Për pasojë, nga vendi i tetë u ngjit në të pestin!

Gjithsesi, gjatë vitit të kaluar rekordin e këtyre shpenzimeve e mbajti Ukraina me një rritje prej 640 për qind, duke u ngjitur në vendin e 11-të të renditjes botërore – nga e 15-ta që ishte më parë, pa llogaritur ndihmat e shumta ushtarake nga jashtë.

Britania e Madhe me 65.8 miliardë dollarë zë vendin e gjashtë në renditjen botërore. Gjermania, në kuadrin e “Zeitenwende”-s – d.m.th. “ndryshimit epokal” në fushën e sigurisë e të mbrojtjes të vitit të kaluar – shpenzoi 55.8 miliardë dollarë, duke u renditur e shtata.

Kësisoj, siç do shihet edhe nëpërmjet analizës së disa faktorëve të tjerë vendimtarë, mund të thuhet me plot gojën se ia kemi kaluar ku e ku Luftës së Ftohtë, madje dhe periudhave të saj më problematike dhe më kërcënuese. Natyrisht, nuk flitet për një “copy-paste” të viteve 1945-1990, mirëpo në frymë, në përmbajtje dhe me rreziqet e shumta jemi në një Luftë të Re edhe më të rrezikshme të Ftohtë!

Është e habitshme se si disa analistë e vejnë ende në diskutim me teorizime boshe këtë realitet të trisht, të cilin po e shpjegojmë me fakte thelbësore më poshtë.

Së pari, periudha e tanishme, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës, është më shpërthyese se dhe periudhat më delikate në vitet 1960 – si vendosja e raketave ruse në Kubë, konfrontimi në Berlin dhe pushtimi i Çekosllovakisë në gusht të vitit 1968 nga ish-BRSS-ja. Tani nuk bëhet fjalë vetëm për kërcënime, por dhe për një agresion të rëndë, të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus ndaj një vendi fqinj si Ukraina.

Dallimi i dytë i madh me Luftën e Ftohtë të atëhershme është se ShBA-ja dhe BRSS-ja ndërmorën disa hapa dhe lëvizje madhore politiko-diplomatike të cilat ishin shpëtimtare për njerëzimin. Rikujtojmë koekzistencën paqësore në vitet 1960, Detantën dhe Ost Politikën e famshme në vitet 1970, e cila normalizoi brenda një viti marrëdhëniet midis dy Gjermanive dhe me të gjitha vendet lindore. Le ta theksojmë se Marrëveshja midis dy Gjermanive e dhjetorit 1972 u ratifikua në qershor 1973; në shtator të atij viti ato u pranuan në OKB, duke e njohur – pa iu tharë ende boja marrëveshjes – edhe zyrtarisht njëra tjetrën. Çfarë kontrasti, si nata me ditën me (ç)dakordësimin e sotëm midis Serbisë dhe Kosovës sipas atij modeli! Këto lëvizje politike vijuan më 1975 me krijimin e OSBE-së – tryeza e parë dhe më e madhe e dialogut, sigurisë dhe bashkëpunimit ekonomik Lindje-Perëndim etj.

Është e rëndësishme të theksohet se nismëtarë të atyre lëvizjeve ishin liderët emblematikë, të cilët hynë në histori me akte, fjalime dhe vendime epokale! Por, ku e gjen më sot një Eisenhower, Adenauer, Kennedy, de Gaulle, Brandt, Reagan, Kohl, Thatcher, Mitterrand, Gorbaçov e të tjerë.

Ku e gjen sot një fjalim si ai i John Kennedyt që tundi nga themelet Murin famëkeq të Berlinit – më 26 qershor 1963, duke i ngritur monument Berlinit me një fjali të vetme, por epike: “Unë jam berlinez”; një Willy Brandt kur befasoi botën duke rënë në gjunjë më 7 dhjetor 1970, përpara Monumentit të hebrenjve polakë në Varshavë; një Helmut Kohl dhe një François Miterrandin të kapur dorë për dore te varrezat në Verdun, më 1984, ku prehen 750 mijë ushtarët e të dy vendeve të vrarë në Luftën e Parë Botërore; apo një Ronald Reagan që më 1987, në Berlin, i bëri apelin Gorbaçovit për të shkuar atje dhe për ta shembur Murin e Berlinit etj. Me ndonjë përjashtim, sot ka kryetarë, por jo liderë në ato përmasa; se janë pa vizion dhe pa aksion politik, që nuk marrin dot përgjegjësi.

Për pasojë, sot mungojnë lëvizjet e mësipërme. Sa për diplomacinë ndërkombëtare, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ajo është pa hapësirë veprimi, veç deklaratave dhe njoftimeve për shtyp. Po, ka disa propozime paqeje nga Kina, Brazili etj., por ato janë jashtë çdo realiteti, sa “për të larë gojën” për propagandë – pa besueshmëri, pa asnjë vlerë dhe efekt real politik.

Shumë e rëndësishme është se – ndryshe nga atëherë – sot ka dalë në skenën botërore Kina me pretendimet e saj të mëdha gjeostrategjike, si një akter i ri me peshë madhore planetare. Gjatë Luftës së Ftohtë ajo ishte kryesisht në pozita mbrojtëse, pa synime ekspansioniste; por, tani është bërë rivalja më e frikshme e ShBA-së dhe Perëndimit, me një paketë tërësore gjeostrategjike.

Nga ana tjetër, nëse më 1971 nëpërmjet diplomacisë së pingpongut dhe vizitës historike të Richard Nixonit ShBA-ja ia doli mbanë ta ndante Kinën nga ish-BRSS-ja, sot ato përbëjnë boshtin e një aleance të madhe strategjike kundër aleancës perëndimore dhe me tentativa për ta përçarë atë – bashkë me Rusinë dhe me vende e tjera të mëdha demokratike si India, Brazili, Afrika e Jugut – nëpërmjet Grupimit BRICS.

Për pasojë, aktualisht qendra e gravitetit dhe pika më e madhe dhe e rrezikshme e ballafaqimit politik dhe ushtarak, veç Evropës, është bërë Indo-Paqësori.

Për fat të keq, sot nuk ekziston më një “vijë e kuqe” – si atëherë ndërmjet ShBA-së, Kinës dhe Rusisë – e cila nuk mund të kalohet. Sipas Gideon Rachmanit të Financial Times, me vendosjen e kësaj vije pas krizës së raketave në Kubë më 1962 – ndonëse iu afruan shumë me pushtimin turk të Qipros, invadimin sovjetik në Pragë dhe në Afganistan – caqet e “vijës së kuqe” nuk u kapërcyen asnjëherë nga superfuqitë e asaj kohe. Duke qenë se nuk ka më një “vijë të tillë të kuqe”, siç pohojnë Graham Allison, admirali James Stavridis, ish-komandant i NATO-s për Evropën dhe ish shefi i CIA-s, Elliot Ackerman, në marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kinës po krijohet një rreth i shkurtër vicioz, me shumë rreziqe dhe kërcënime për përshkallëzimin e tyre deri në konfrontim të madh ushtarak. Kjo si për shkak të Tajvanit ashtu edhe të konflikteve të tjera jetike ekonomike dhe tregtare.

Gjendja sot është shumë më shpërthyese nisur edhe nga shtimi i ndjeshëm i rrezikut bërthamor. Jo vetëm se tashmë ato i kanë ose pritet t’i kenë dhe Irani me Korenë e Veriut, por edhe sepse nuk po ripërtërihen më as traktatet e asaj kohe mbi kontrollin e prodhimit të armëve bërthamore. Rusia ka lënë të kuptohet seriozisht se në një rast sulmi, ajo do të përdor e para armët bërthamore.

Faktori tjetër përkeqësues është rënia e rolit dhe e besueshmërisë gjeopolitike të ShBA-së, e sidomos të BE-së. Madje, kjo e fundit nuk ka bërë asnjë përparim nga përkufizimi emblematik i ish-kryediplomatit belg Eyskens në vitin 1991 për BE-në si “gjigand ekonomik, xhuxhmaxhuxh politik dhe krimb ushtarak”. Ca më keq akoma, dalja e fuqive dhe grupimeve të tjera të mëdha tashmë po e vë në diskutim dhe gjigandizmin e saj ekonomik. Edhe boshti i saj franko-gjerman po pëson krisje të shumta, gjë që është me shumë pasoja për gjithë BE-në.

Më tej, ndryshe nga sa pritej pas shembjes së Murit të Berlinit, ShBA-ja ka humbur shumë nga besueshëmëria dhe kontrolli i tyre i situatave – plus lodhjen e madhe të amerikanëve të thjeshtë me luftërat e përhershme. Tashmë edhe problemet e demokracisë kanë plasur brenda ShBA-së deri në majën e kupolës së tyre, sidomos gjatë Presidencës Trump – rikuperimi i të cilave kërkon shumë kohë.

Në këtë drejtim kanë ndikuar negativisht edhe dështimet e ndërhyrjeve ushtarake amerikane dhe perëndimore në Irak, Afganistan, Libi, Siri dhe gjetkë. Përmendim këtu “Uaterlonë” në Afganistan ku, siç pohon me ironi një ekspert i huaj, amerikanët dhe aleatët e tyre luftuan 20 vjet, humbën 15 mijë ushtarë, shpenzuan 20 miliardë euro dhe ndërruan katër presidentë – thjesht për t’i dëbuar dhe kthyer sërish talebanët në pushtet!. Për pasojë, ata nuk kanë pasur rezultat as në krijimin e një fronti të bashkuar kundër Rusisë – me vendet kryesore të Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës.

Këtë rënie të rolit perëndimor dhe “fuqisë së butë e të ngurtë” të tij e shohim dhe në Ballkan, ku në 23 vjetët e fundit gjërat kanë lëvizur me “shpejtësi breshke”. BE-ja dhe SHBA-ja vazhdojnë ta marrin me të mirë Serbinë, ndonëse ajo mbetet e rreshtuar me Rusinë – dhe pse puna ia do të “hajë bar dhe në grazhdin” perëndimor!

Më tej, ndryshe nga 30 vjet e më parë, kur vlerat dhe parimet e qytetërimit perëndimor ishin joshëse, tani shteti i së drejtës është vënë në dyshim edhe brenda ShBA-së dhe BE-së. Po, atje po dynden miliona azilantë, por kjo për t’i shpëtuar mjerimit dhe për t’i gëzuar të mirat e Perëndimit, por jo vlerat e tyre!

Së fundi, e jo më pak e rëndësishme, gjendja e tanishme është më kërcënuese për demokracinë liberale se atëherë, për shkak të përshkallëzimit masiv të forcave populiste dhe ekstremiste të cilat kanë spostuar nga skena partitë e moderuara tradicionale. Ato janë në pushtet në Suedi, Finlandë dhe Itali, duke forcuar ndjeshëm pozitat e tyre edhe në Francë, Gjermani, Spanjë dhe gjetkë.

Natyrisht, në Ballkan dhe në vendet ish-lindore nuk ka diktat dhe totalitarizëm “të kuq”; madje, ato janë anëtare apo kandidate për BE dhe NATO. Megjithatë, ka kohë që po dëshmohet se as anëtarësimi në BE dhe në NATO nuk i ka imunizuar disa vende nga të këqijat e totalitarizmit. Përkundrazi, sot po shohim të rishfaqen edhe në disa vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s, me sulmet dhe dhunën ndaj medias, lirisë së shprehjes, cenimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, cungimit të drejtësisë …

Për pasojë, shumë vende janë demokratike vetëm formalisht dhe në dukje; por, në fakt ato po rishfaqin recidivë të shëmtuar të së kaluarës totalitare, duke kaluar “me lezet” drejt neodiktaturave të reja – fillimisht “të buta”, por që e nxjerrin fytyrën e vërtetë totalitare më vonë.

Ja, pra, pse bota ka hyrë pa dyshim në një Luftë të Re të Ftohtë, shumë me shpërthyese dhe e rrezikshme se ajo e periudhës 1945-1990!