LAJMI I FUNDIT:

Bizneset kërkojnë heqjen e tarifës për pagesat elektronike me POS, ja çfarë thonë nga BQK-ja?

Bizneset kërkojnë heqjen e tarifës për pagesat elektronike me POS, ja çfarë thonë nga BQK-ja?

Pagesat elektronike të preferuara më shumë se ato me para të gatshme, por për secilën shumë të paguar nga konsumatorët me kartelë bankare në dyqane, deri në 3 për qind të asaj shume u ndalen bizneseve nga bankat komerciale.

Bizneset kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e tarifave për këto shërbime me POS, por kjo kërkesë nuk po përmbushet nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Bizneset, veçanërisht ato që ofrojnë shërbime me kartela bankare, këtë kosto e konsiderojnë si një barrë të madhe për ta.

Nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se tarifat për shërbimet e pranimit të pagesave elektronike janë të domosdoshme për mbulimin e kostove të pajisjeve, mirëmbajtjes, dhe proceseve të tjera të lidhura me pagesat.


Sipas BQK-së, tarifat janë të përcaktuara nga rregullat e Bashkimit Evropian dhe janë të kufizuara në 0.2 për qind për kartelat e debitit dhe 0.3 për qind për kartelat e kreditit.

Kërkesën për heqjen e kësaj tarifë e ka bërë edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës (DHTIK). Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se kjo tarifë ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së produkteve dhe shërbimeve, duke shkaktuar kështu sipas tij një rritje të informalitetit duke detyruar bizneset të shmangin pagesat elektronike në favor të transaksioneve me para të gatshme.

Nëse një biznes ka pagesa me kartela bankare deri në 10 mijë euro, mund të humbasë deri në 300 euro vetëm nga tarifat për këto transaksione, sipas Krasniqit.

Ndërkaq, menaxheri i përgjithshëm në kompaninë “Elkos”, Arsim Selmonmusaj, deklaron se kjo tarifë për pagesat elektronike është një barrë shtesë për bizneset, duke rritur sipas tij kostot e secilit produkt.

“Kjo është një tarifë, barrë shtesë e cila i tarifohet bizneseve komplet nga bankat për shërbimin të cilin e bëjnë nëpërmjet POS-ave dhe transaksioneve bankare të cilat kryhen gjatë shërbimit që bëhen nëpër biznese të ndryshme në Kosovë. Ne si kompani kërkojmë vazhdimisht të eliminohen këto barriera e pengesa për shkak që vetëm çka e rrisin koston e secilit produkt gjatë shitjes… Kjo variron, varet prej negociatave, të tarifave të bankës që është prej 1 % deri në 3 %, kjo varet prej kompanive dhe bankave që kanë caktuar tarifat për transaksione të ndryshme”, thotë Selmonmusaj.

Ndërsa, Krasniqi vazhdon të insistojë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin seriozisht trajtimin e kësaj çështje, dhe të heqin siç thekson ai këtë tarifë që është barrë për bizneset.

“Si Dhomë e Tregtisë i furnizojmë institucionet tona, qeverinë, përfshirë edhe Bankën Qendrore lidhur me mundësitë, nevojat dhe sfidat që i kanë bizneset. Një ndër to ka qenë edhe taksa që ka vendosur BQK ndaj qytetarëve dhe bizneseve kur paguajnë me kartela. Ka qenë më herët një shumë kur edhe qytetarët kanë paguar përmes kartelës, por ajo është larguar para disa viteve, falë kërkesës që e kemi bërë, ndërsa ka mbetur kjo shuma deri në 3 për qind që bizneseve ju merren në rast se një qytetar paguan në market, apo në restorant nga shuma që është paguar me anë të kartelës”.

“Andaj, kjo është një pengesë dhe dëmtim. Dhe kjo rrit informalitetin ku bizneset në përgjithësi tentojnë që pagesat të mos bëhen me kartelë, por të bëhen direkt cash. Dhe në qoftë se Banka Qendrore dhe qeveria dëshiron që ta ulë informalitetin dhe pagesat të bëhen me kartel do duhej të largohej kjo sepse është barrë për biznesin. Në rast se një biznes deri në 10 mijë euro ka pagesa me kartelë, atëherë deri në 300 euro, varësisht nga negocioimi që bënë bankat komerciale me bizneset, i ndalet biznesit vetëm për këtë pagesë, dhe për shumë më të larta më shumë… Vazhdimisht kemi pas (ankesa nga bizneset), dhe ne ju kemi drejtuar Bankës Qendrore me këtë kërkesë që të largohet kjo tarifë, është premtuar që do të shqyrtohet dhe do të largohet, sepse kjo është duke dëmtuar bizneset”, thotë Krasniqi.

Në një përgjigje me shkrim nga BQK thonë se shërbimet e pranimit të pagesave elektronike, përfshirë edhe shërbimin e POS për pranimin me kartela kanë disa kosto. Me ç’rast, thuhet se BQK me rregullore ka kufizuar tarifat e shkëmbimit të cilat banka që ofron shërbimin e pranimit të pagesave elektronike (në rastin e POS banka/IF që ofron POS) i detyrohet bankës/IF-së lëshuese të kartelave, në 0.2 për qind për kartelat e debitit dhe 0.3 për qind për kartelat e kreditit, në pajtim me rregullat e Bashkimit Evropian (BE).

“Shërbimet e pranimit të pagesave elektronike, përfshirë edhe shërbimin e POS për pranimin e pagesave me kartela kanë disa kosto, ndër të cilat koston e pajisjes, mirëmbajtjes së saj, rrjetit, skemave të kartelave që përdoren, procesimit, kliringut dhe shlyerjes së pagesave, si dhe kostot e tarifave të shkëmbimit. Meqë shumë prej këtyre kostove aplikohen nga palë të treta (pra jo nga banka që ofron shërbimin e pranimit të pagesave elektronike apo bankës/ofruesit të shërbimit të pagesave që ofron kartelën), megjithëse ndër vite ka pasur reflektim dhe reduktim të komisionit të tillë, ky shërbim në formatin që është nuk ofrohet pa kosto nga banka për biznesin (merchant-in). Sa i përket shitësit (biznesit/merchant-it), BQK gjithashtu me rregullore ka kufizuar tarifat e shkëmbimit të cilat banka që ofron shërbimin e pranimit të pagesave elektronike (në rastin e POS banka/IF që ofron POS) i detyrohet bankës/IF-së lëshuese të kartelave, në 0.2% për kartelat e debitit dhe 0.3% për kartelat e kreditit, në pajtim me rregullat e Bashkimit Evropian (BE)”, thuhet në një përgjigje me shkrim.

Derisa theksohet se tek instrumentet elektronike të pagesave ka hapësirë për optimizim të proceseve dhe konkurrence ende me të madhe, për të cilën BQK-ja është duke punuar që përmes avancimit të kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe përmes projekteve për adaptimin e sistemeve.

“Këto rregulla kanë krijuar hapësirë sikurse edhe në vendet e BE-së që konsumatorët të përdorin kartelat pa ndonjë tarifë shtesë, sikurse edhe paratë e gatshme për kryerjen e pagesave. Njëkohësisht, këto rregulla kanë krijuar hapësirë që tarifat e aplikuara nga ofruesi i shërbimit të pranimit të pagesave elektronike për biznesin (në këtë rast ofruesi i POS-it) banka/IF të mund të ofrojë këtë shërbim me tarifa më të ulëta dhe të krijohet një konkurrencë dhe mundësi negocimi për bizneset që këtë shërbim ta marrin me kosto sa më të ulëta. BQK po punon në nisma tjera që do të rrisin instrumentet e pagesave, duke përfshirë pagesat e shpejta (instant payment) si dhe pagesat tjera më inovative pa nevojën e kartelës fizike apo kartelave të njohura ndërkombëtarisht”.

“Të keni parasysh se edhe përdorimi i parave të gatshme ka kostot e veta, përfshirë transportin, sigurinë, pajisjet për verifikim, etj. Megjithatë, tek instrumentet elektronike të pagesave ka hapësirë për optimizim të proceseve dhe konkurrence ende me të madhe, për të cilën BQK-ja është duke punuar që përmes avancimit të kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe përmes projekteve për adaptimin e sistemeve dhe instrumenteve të reja të pagesave elektronike, por edhe përmes mundësimit të përfshirjes së akterëve të rijë në tregun e pagesave, që të rritet konkurrenca dhe të krijohen mundësi për ofrimin e këtyre shërbimeve me kosto sa më të ulëta për bizneset, duke rritur kështu efikasitetin e shërbimeve të pagesave për bizneset dhe qytetarët”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e BQK-së.

Bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë me i rritur fitimet e tyre vit pas viti. Ky sektor financiar në vend, ka arritur të ketë profit të lartë gjatë vitit 2024.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) për vitin 2024, nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera ndaj qytetarëve dhe bizneseve, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 182.1 milionë euro ose rreth 27 milionë euro më shumë se në vitin 2023. Në vitin 2023 profiti i bankave ishte 155 milionë euro. /kp/Telegrafi/