LAJMI I FUNDIT:

Bisedimet teknike, ç’janë këto?!

Tani më, do si do dhe me shumë mangësi juridike, pas konstituimit të institucioneve të vendit tonë, nder temat aktuale pritet të jetë mbajtja dhe zhvillimi i bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të Kosovës dhe të Serbisë. Në parim, bisedimet ndërshtetërore, kurdoherë janë të pashmangshme, të dobishme dhe si të tilla, të preferuara. Mirëpo, referuar bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht, nuk mund të mos reflektohen problematike përderisa shteti serb, Kosovën, jo vetëm eksplicite apo shprehimisht, por as implicite apo heshtazi, nuk e pranon për shtet të pavarur dhe sovran! Përkundrazi, shteti serb përkitazi me Kosovën praktikon politika shtetërore hegjemoniste, ekstremisht të paskrupullta dhe arrogante.

Ndaj, pranimi i autoriteteve kosovare për të zhvilluar bisedime “teknike “ me përfaqësuesit e shtetit serb, krijon një fakt politik , i cili mund të reflektojë dy pikëpamje:
– një, që shteti serb, implicite, e pranon faktin e kryer ( Acomplish Fact) referuar Kosovës si shtet sovran dhe independent, por edhe
– dy, që, bisedimet “teknike” ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, organizohen, mbahen dhe zhvillohen ndërmjet dy entiteteve me statuse politike të ndryshme, në favor të Serbisë, por në disfavor të Kosovës!


Së këndejmi, “ bisedimet teknike” ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të mbaheshin dhe të zhvilloheshin ekskluzivisht me kushtin paraprak “Condictio Sine Qua Non” , pranimin e Kosovës shtet tw pavarur dhe sovran nga ana e Serbisë.

Ndërkaq, për ironi, përfaqësues qeveritarë kosovarë, madje, edhe jo pak “analistë”, negociatat kosovare–serbe të pritshme, i quajnë “bisedime teknike”…, të cilat, si të tilla, në raportet ndërshtetërore (veçanërisht në relacionet ndërshtetërore kosovare–serbe) nuk ekzistojnë dhe, nuk mund të ekzistojnë! As në fjalorë, leksikone apo në glosarë, pos ndonjë konstruksioni terminologjik të papeshuar sa dhe si do të duhej në ndonjë shkrim apo tekst, nuk ekziston termi “bisedime teknike”. Kurdoherë, shtetet e caktuara, bisedimet reciproke i trajtojnë politikisht dhe si të tilla, kur arrijnë konsensus, i definojnë në dokument, varësisht nga natyra e topikut, në memorandum, deklaratë, rezolutë, marrëveshje ndërshtetërore; rrjedhimisht, nergut të sendërtimit të dokumentit ndërshtetëror të caktuar, formohet ekipi i përbashkët i ekspertëve për t’i elaboruar metodat, instrumentet dhe mekanizmat e aplikimit të tij; madje, as ekipi i ekspertëve nuk praktikon “bisedime teknike’, pos trajtimeve praktike të çështjeve të hapura, gjithnjë, në harmoni me dokumentin politik ndërshtetëror të caktuar.

Përfundimisht, gjatë implementimit të çështjeve politike të rregulluara me dokument politik ndërshtetëror dhe, elaborimit profesional nga ekspertët mikstë, praktikohet zgjidhja teknike, siç mund të ishte fiksimi i gurit të kufirit ndërshtetëror në kotën apo trigonometrinë e caktuar, gjithnjë në funksion të dokumentit politik respektiv; madje, caktimi i gurit kufitar ndërshtetëror, prapëseprapë, nuk do të ishte “bisedë teknike”, por zgjidhje teknike e problemit politik të rregulluar më parë.

Aktualisht, ende nuk është definuar lista e problemeve për bisedime ndërshtetërore, të cilën do të duhej paraprakisht ta miratonte Kuvendi i RK-së. Tema diskutabile e të hapura për bisedime politike kosovare – serbe për të gjetur zgjidhje praktike ka shumë. Në këtë rast, pos temave makro – politike me peshë dhe të ndjeshme, siç është njohja reciproke shtetërore, suksesioni, demarkacioni kufitar, dëmet nga lufta e padrejtë e Serbisë, kryesisht kundër shqiptarëve të Kosovës…, ja vetëm disa tema të rëndësisë praktike, të cilat, edhe si të tilla janë krejtësisht politike: problemet rreth targave të automjeteve, diplomave shkollore, dokumenteve të udhëtimit, regjimit të ujërave, të të pagjeturve etj…

Sw këndejmi, përfaqësues të autoriteteve publike tona, nga padija ose për tu hedh hi syve të qytetarëve (…se fjala është vetëm për bisedime “teknike” e për aq të parëndësishme…) ose nga të dyja, flasin për “bisedime teknike” me Serbinë, të cilat as teoria as praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk i ka njohur as nuk i njeh, sepse, janë inekzistente (sic).