LAJMI I FUNDIT:

Bien për 400 milionë euro të ardhurat nga turizmi në Itali

Bien për 400 milionë euro të ardhurat nga turizmi në Itali

Kriza ekonomike që ka përfshirë Eurozonën, por mbi të gjitha moti i keq gjatë dy muajve të fundit, aspak normal për këtë periudhë, ka gjunjëzuar turizmin në Itali. Sipas të dhënave zyrtare, është vënë re një rënie me 70 për qind e turistëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013.

Alarmin e jep Sindikata Italiane e Operatorëve të Bregdetit, që vlerëson se vihet re një rënie e të ardhurave me 400 milionë euro, ndërsa rreth 50 mijë punëtorë sezonalë po qëndrojnë në shtëpi. Sipas sindikatës, situata e zymtë nuk ka kursyer asnjë rajon. Situata më kritike regjistrohet në rajonin e Campania-s në rënie me 40 për qind në qershor dhe 70 për qind në korrik.

Më pas vjen rajoni i Marche-s në rënie me 35 për qind dhe 60 për qind në qershor dhe korrik respektivisht. I vetmi lajm pozitiv është rikthimi i turistëve të huaj, kryesisht gjermanë dhe austriakë në bregdetin e Friuli Venezia Giulias dhe Venetos. Sipas Riccardo Borgo, president i Sindikatës italiane të Operatorëve të Bregdetit, që përfaqëson rreth 10 mijë biznese, kriza ka goditur të gjithë zinxhirin e turizmit. Më pak klientë në det, përkthehet në restorante me tavolina bosh, në hotele me dhoma të boshatisura, në dyqanet me mallra të pa shitura, por edhe më pak të punësuar. Jugu i Italisë ka qenë më pak i prekur nga reshjet dhe stuhitë, por edhe në këtë rajon situata mbetet e njëjtë.

E ndërkohë që Italia po përballet me një krizë, Greqia po njeh vitin më të mirë të turizmit që nga fillimi i krizës së borxheve. Organizatat kryesore të turizmit në vend, deklarojnë se në Greqi janë rikthyer turistët tradicionalë, të cilët kishin qëndruar larg, gjatë krizës financiare. Gjatë këtij viti vetëm nga Gjermania, pritet të vijnë rreth 2.8 milionë turistë. Gjatë 2013, ky sektor jetik në Greqi filloi rimëkëmbjen dhe u vizitua nga 17.8 milionë turistë, ndërsa 2014 pritet të jetë një vit rekord, me rreth 19 milionë turistë.

Të ardhurat parashikohet të rriten në 13 miliardë euro. Përpara periudhës së krizës, Greqia vizitohej nga rreth 15 milionë turistë në vit. /Telegrafi/