LAJMI I FUNDIT:

Beqiri priti Dekanin dhe prodekanët e Fakultetit të Arteve

Beqiri priti Dekanin dhe prodekanët e Fakultetit të Arteve

Ministri Beqiri priti Dekanin e Fakultetit të Arteve, Prof. Adem Rusinovci dhe prodekanët e Fakultetit të Arteve, Prof. Valbona Petrovci, Prof. Haqif Mulliqi dhe Prof. Hajrush Fazliu.

Gjatë këtij takimi, Dekani Rusinovci dhe prodekanët e Fakultetit të Arteve shprehën interesimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim ndërmjet Fakultetit të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në këtë kontekst, ata thanë se ky bashkëpunim me interes të përbashkët do të mund të konkretizohej përmes kontakteve dhe bashkëpunimit profesional të pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Arteve me institucionet kulturore qendrore në varësi të MKRS-së.

Beqiri tha se MKRS e vlerëson punën e Fakultetit të Arteve, në të cilin përgatiten dhe krijohen kuadrot profesionale nga fushat e ndryshme të artit. Në këtë kontekst, Ministri Beqiri u shpreh se MKRS është e gatshme që, në funksion të mbështetjes për ngritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve profesionale në fushën e artit e të kulturës, ta institucionalizojë bashkëpunimin me Fakultetin e Arteve përmes institucioneve kulturore qendrore, të tilla si Teatri Kombëtar i Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Filarmonia – Opera e Kosovës, Galeria e Arteve e Kosovës etj.

Ishte konstatim i përbashkët i ministrit Beqiri dhe i drejtuesve të Fakultetit të Arteve se ky bashkëpunim do të duhej të konkretizohej përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet MKRS dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. /Telegrafi/