LAJMI I FUNDIT:

Bashkëpunim në vend të shkrirjes

Bashkëpunim në vend të shkrirjes

Shoqëria dhe shteti kanë nevojë për politikanë, tregtarë, prodhues, bujq, arsimtarë, shkrimtarë e të tjerë. Secili luan një rol në shoqëri; dikush më shumë lodhet, dikush më pak paguhet e dikush tjetër mesatarisht një herë në ditë shahet. Mirëpo, përgjithësisht, secili mbartë përgjegjësi varësisht prej detyrës që e ushtron. Ajo që të gjithë jemi të prirë të joshemi, të gabojmë apo t’ia qëllojmë, është turrja dhe sulja për t’u futur në politikë, duke mos mbetur pastaj politikan, fjala vjen as shkrimtar.

Rrjedhimisht, nëse je një shkrimtar i mirë që bën pjesë në krijimin e mendimit në shoqëri, nuk do të thotë se mund të jesh një politikan i dobishëm. Mbase një vendim për t’ju futur politikës mund të jetë keqësi për artin e të shkruarit dhe për vetë politikën. Mund të humbet e synuara edhe e pranishmja e tanishme.


Pse shkrimtari i dëshmuar detyrimisht të futet në politikë? Pse mendohet se vetëm përmes politikës mund të lëvizin gjërat në kuptimin e mirë, edhe pse deri më tani është dëshmuar e kundërta? Pse politikani vështirë se mund t’i futet shkrimit të rryer dhe e kundërta aq lehtë të jetësohet? Pse kaq e pavlerë në shoqërinë tonë pandehet “magjia” e shkrimit? Pse të shkrihen aftësitë në kazanin e politikës në vend të bashkëpunimit në pllajën e malit me lloj-lloj frymorësh? Pse shkrimtari pas dëshmive të veprave të dobishme të merret me politikë në vend që të merret mes tjerash edhe me veprimtarinë e politikanëve?

Me pak fjalë, dikush duhet të merret me politikë e dikush me politikanët, dikush me sjelljet e konsumatorëve e dikush me prodhimin e produkteve, dikush me përkufizimin e drejtësisë e dikush me ndarjen e drejtësisë, dikush të shkruajë libra e dikush të lexojë, dikush të urdhërojë e dikush të zbatojë.