LAJMI I FUNDIT:

Bankat i ‘ngrin’ mbi gjysmë miliard euro

Bankat i ‘ngrin’ mbi gjysmë miliard euro

Me gjithë nevojën e ekonomisë për para, bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë t’i mbajnë të ngujuara mbi gjysmë miliardi euro depozita të qytetarëve. Saktësisht janë 577 milionë euro që nuk qarkullojnë në ekonominë e Kosovës.

Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), zbulon se gjatë këtij viti bankat e kanë menaxhuar politikën kreditore në atë mënyrë, që t’iu pamundësojnë ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare qasje më të lehtë tek kreditë, në bazë të kërkesave të tyre. Këto masa të bankave përfshijnë rritjen e normës mesatare të interesit dhe rritjen e kërkesës për kolateral.


Kjo ka bërë që diferenca mes depozitave dhe kredive të lëshuara të jetë e madhe. Aktualisht depozitat në sektorin bankar kanë arritur në 2 miliardë e 774 milionë euro, derisa kredi të lëshuara prej tyre janë 2 miliardë e 197 milionë euro, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkohë, sipas raportit të stabilitetit financiar, i cili e matë gjendjen në sektor deri në qershor të vitit 2016, si arsye jepet shtrëngimi nga bankat i kritereve për dhënien e kredive.

“Bankat raportuan se kanë shtrënguar standardet e aplikuara gjatë vlerësimit të aplikacioneve të ndërmarrjeve për kredi”, thotë raporti.

Më të prekura nga këto masa që ndërmorën bankat ishin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Standardet kreditore për NVM-të u shtrënguan me tepër se sa standardet për ndërmarrjet e mëdha.

Madje, për periudhën shtator 2016 – shkurt 2017, bankat deklaruan që presin shtrëngim të standardeve kreditore për ndërmarrjet në përgjithësi, veçanërisht për kreditë për ndërmarrjet e mëdha.

“Për NVM-të, bankat shtrënguan kushtet e kreditimit kryesisht përmes rritjes së normës mesatare të interesit dhe rritjes së kërkesës për kolateral. Për kreditë e ndërmarrjeve të mëdha, bankat deklaruan të kenë rritur kërkesat për kolateral dhe të kenë zvogëluar maturitetin e ofruar për kredi”.

Masat e ndërmarra përfshijnë shtrëngim të kushteve të kreditimit për të dy kategoritë e ndërmarrjeve, konkretisht, rritje të kërkesës për kolateral. Për ndërmarrjet e mëdha, përveç kërkesave më të larta për kolateral, kushtet e kreditimit pritet të shtrëngohen edhe përmes rritjes së normës mesatare të interesit së ofruar.

Raporti tregon se faktori kryesor, i deklaruar nga bankat, që ndikoi në shtrëngimin e standardeve kreditore ishte rritja e rrezikut të perceptuar për mosrealizimin e kolateralit.

Po kaq dorështrënguar sa me ndërmarrjet, bankat nuk janë treguar edhe ndaj ekonomive familjare, ku pati edhe rritje të kredive të reja për këtë kategori.

Megjithatë, në gjashtë muajt e ardhshëm, shtator 2016 – shkurt 2017, bankat kanë raportuar se presin lehtësim të standardeve kreditore dhe përmirësim të mëtejmë të kushteve të kreditimit për të dy kategoritë kredive për ekonomitë familjare, përkatësisht kreditë konsumuese dhe kreditë për blerje të shtëpive.

“Përmirësimi i kushteve të kreditimit për ekonomitë familjare gjatë periudhës raportuese kryesisht është realizuar përmes uljes së normave të interesit për kreditë, rritjes së madhësisë së kredive të aprovuara, rritjes së maturitetit, zvogëlimit të ngarkesave të tjera nga norma e interesit dhe zvogëlimit të kërkesave për kolateral”, thuhet në raportin e BQK-së.

Në raport thuhet se rritja e konkurrencës në tregun kreditor në vend ishte faktori kryesor që ndikoi në lehtësimin e standardeve kreditore për ekonomitë familjare.

Përveç ofertës së lehtësuar për kredi, bankat raportuan edhe rritje të kërkesës për kredi nga ekonomitë familjare, veçanërisht të kërkesës për kredi konsumuese.

“Kërkesa e rritur nga ekonomitë familjare kryesisht i është atribuuar rritjes së besueshmërisë së konsumatorëve, rritjes së shpenzimeve tjera për konsum dhe zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme”.

Prandaj pjesa më e madhe e kredive të sektorit bankar vazhdon të përbëhet nga kreditë për ndërmarrje, të cilat përfaqësojnë 64.8 për qind të gjithsej kredive, ndërsa kreditë për ekonomitë familjare përfaqësojnë 35.0 për qind të gjithsej kredive. /Gazeta Fjala/Telegrafi/