LAJMI I FUNDIT:

Ballkani, konjukturat (anti) globaliste dhe veprimet jo-konvencionale

Marrëveshjet e Dejtonit, e Kumanovës dhe e Ohrit, u arritën me mund të madh dhe pas një kasaphane të vërtetë mbi popujt liridashës të Ballkanit të cilët nuk deshën më të durojnë hegjemoninë serbe. Këto marrëveshje, përfundimisht rrënuan strategjinë Ballkanike të shtetit serb të shtruar në memorandumin famoz të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe e cila konsistonte në krijimin e një shteti serb , të njohur edhe me sintagmën “Serbia e Madhe” në të gjitha territoret e ish –Jugosllavisë, ku kishte një minoritet sado të paktë serb.

Me këto marrëveshje, nuk ishte e kënaqur në rend të parë elita serbe, por padyshim nuk ishin të kënaqur as popujt e robëruar të Ballkanit, por ato paraqesin një kompromis të domosdoshëm, si parakusht për një rigrupim të forcave properëndimore në Ballkan, dhe ndërtim të një konjukture politike, ekonomike dhe ushtarake e cila do të jetë në mbështetje të integrimeve kontinentale dhe të hapjes së korridoreve të reja në drejtimin strategjik Evropë – Azi,i të cilat do të heqin monopolin dhe kushtëzimet politike nga korridori veri-jug nëpër Ballkan.


Kriza që rezultoi me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, degjeneroi në një luftë të ndyrë e cila solli deri te tërheqja e ushtrisë jugosllave nga Sllovenia dhe Maqedonia, te pozicionimi dhe fortifikimi i tyre në republikat tjera. Për të legjitimuar rezultatet e reja, ishin të domosdoshme luftërat gjoja secesioniste dhe ndërhyrja e ish armatës së përbashkët në mbrojtje të shtetit i cili dikur ishte anëtar i OKB.

Serbia nuk u tërhoq pa një luftë sidokudo, madje as nga Sllovenia, e cila ndodhej në periferi të ish –shtetit jugosllav dhe paraqitej vështirë e mbajtshme nën okupim, jo vetëm për arsye logjistike..

Megjithatë në të gjitha republikat tjera të ish – Jugosllavisë ( dhe Kosovës) armata jugosllave, e vënë në funksion të kësaj ideje luftoi me tërbim dhe shkaktoi mjerim të madh, dëme të mëdha dhe viktima të shumta. Vetëm nga IRJM dhe Mali i Zi, armata serbe u tërhoq pa luftë. Derisa me Malin e Zi, ajo kishte formuar një federatë kalimtare, me Maqedoninë ajo, qysh në fillim të dezintegrimit të RSFJ u nda paqësisht. Kjo ndarje jepte të kuptohej për një mirëkuptim dhe një vetëdije për interesa të përbashkëta dhe për një marrëveshje sekrete në mes të presidentëve Millosheviq dhe Gligorov.

Tërheqja pa luftë e ish APJ nga Maqedonia dhe paralajmërimi i hapjes së korridorit humanitarë për civilët para luftës së Kosovës, ishin vetëm dy indikacione publike për një marrëveshje afatgjatë në mes shtetit serb dhe atij maqedonas për ndihmë reciproke. Pas luftës në Maqedoni, në mes Armatës Maqedonase dhe UÇK dhe ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar rreth marrëveshjes historike të Ohrit, u pa qartë se kishte ekzistuar diçka, në formën e një skenari për pa-cifikimin e Maqedonisë perëndimore dhe shqiptarëve.

Dominimi i konjukturave pro-evropiane, pas zgjedhjeve të fundit, në Serbi dhe Maqedoni, si dhe afrimi i tyre i jashtëzakonshëm me BE dhe NATO kanë ngjallur sërish lëvizjet konspirative të dirigjuara nga forcat konservative në Serbi dhe Maqedoni të cilat tashmë kishin kaluar në opozitë. Pa arritur të heqin dorë nga idetë memorandumiane, ato, prezentë ende në pika të rëndësishme të shteteve të tyre, nuk prajnë së krijuari kriza dhe konjuktura të cilat përpiqen të rikthejnë gjendjen e mëparshme, duke rrëzuar nga pushteti elitat pro-evropiane dhe duke sjellë sërish në pushtet idetë shtetmëdha.

Skenarët e krijimit të krizave, të ngjashme me ato të luftës në Maqedoni , apo një euforie shqiptare në Kosovë, të ngjashme me vitin 2004 si duket janë vënë sërish mbi tavolinë dhe synojnë të prishin aleancën historike të shqiptarëve dhe perëndimit, por edhe të elitës pro europiane të Maqedonisë e cila synon NATO-n dhe EU.

Disa aktivitete të ditëve të fundit, po të mos ishin këta skenarë, do të ngjanin më tepër me skema politike, tragjikomike për një përdorim. Nëse shikohen me kujdes dhe tërhiqen paralele , vërehen konturat e skenarit tashmë të sprovuar për krijim krizash, i cili është aplikuar shumë herë nëpër vendet e Ballkanit. Një dorë e stërvitur i tërheq penjtë, duke futur në lojë sipas radhës, akademik, paramilitar, idealistë, apo kriminel që qesin pluhur të rrezikshëm nëpër banka shkollash.

A ka veprime jo-konvencionale në drejtim të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës?

Natyrisht, arena e ndeshjes së forcave antiglobaliste, dhe atyre integruese, është bartur vazhdimisht nga jugu dhe tash, kemi një situatë kur po tentohet të acarohen relacionet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ky koalicion i brishtë, i kthyer nga e ardhmja dhe nga perspektiva evropiane, sapo arrihet të përballet me tema nga e kaluara dridhet shqetësueshëm, sepse të dyja palët janë me probleme të identitetit. Kjo krijon hapësirë për të ndërhyrë nga jashtë në strukturën e dezintegruar të shoqërisë maqedonase, apo thënë më mirë shtetit maqedonas i cili nuk po arrin ende të krijoi një shoqëri demokratike të bazuar në qytetarin.

A janë veprimet jo-konvencionale drejt Maqedonisë ndërhyrje e jashtme e faktorit serb dhe mbase edhe rus, në punët e brendshme të Maqedonisë, apo vetëm një reflektim i marrëveshjeve sekrete me shtetin maqedonas, për një mbrojtje të përbashkët nga faktori shqiptar dhe nga kontrolli i drejtpërdrejtë i NATO-s në këtë rajon,? Kjo, po që është një temë serioze për diskutim dhe për ekspert të aktiviteteve jo-konvencionale.

Tërheqja e Serbisë , pa luftë nga Maqedonia, me një marrëveshje në mes dy shteteve, me gjasë përmbajnë edhe klauzola të panjohura ende për opinionin të cilat krijuan një hapësirë për bashkëpunim strategjik mes tyre për të ruajtur korridorin veri – jug ( Beograd-Selanik ) nga pyka shqiptare e cila sipas tyre po vjen duke u trashur dhe fuqizuar përditë.

Dyshimet për involvimin e mëhershëm të njësive elite serbe në luftën e Maqedonisë dhe më vonë kundër shqiptarëve , lejnë hapësirë për të dyshuar për një lidhje mes dy shteteve në këtë drejtim.

Derisa Qeveria serbe dhe ajo maqedonase, janë përcaktuar për një bashkëpunim të ngushtë me NATO -n dhe BE, opozita nacionaliste në Serbi dhe ajo në Maqedoni, ende mbahen me konjuktura të cilat nuk janë me orientim perëndimor.
Qarqet diplomatike flasin për njësitë elite të veprimeve jo – konvencionale të Republikës së Serbisë , të riorganizuar në vitin 2006 në formën e një brigade elite speciale, ku janë shkrirë mes tjerash njësi elite për veprime jo-konvencionale si Brigada e 63, parashutiste dhe ajo e 72 – të . Ato, të mbështetura nga rrjete operative të shërbimeve inteligjente sllave duke ndjekur vijën e korridorit të dhjetë dhe vazhdimin e tij drejt Kumanovës, kontrollojnë plotësisht linjat strategjike të cilat sipas tyre mund të jenë objekt i sulmeve dhe marrjes nën kontroll nga forcat shqiptare në rrethanat e një destabilizimi të përgjithshëm.

Kontrollet e herë pas hershme që bëjnë këto njësite, në uniforma të ndryshme, ndaj qytetarëve të Luginës, apo në Anamoravë në Kosovë dhe përgjithësisht defilimet e tyre në rajonin e Karadakut lënë të kuptojnë për zhvillimin e veprimeve jokonvencionale rreth trokufirit.

Se ekziston një marrëveshje për kontrollin e pikave strategjike në Karadak, kjo tashmë është diçka e dukshme, veçanërisht, ekziston një mbështetje rreth idesë për të thyer pykën demografike të “ekspansionit” shqiptar në drejtim të kufirit me Bullgarinë.

Konjukturat dhe infrastruktura

Hapja e rrugës së re Durrës – Morinë dhe vazhdimi i sajë deri në Merdare mendohet se do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik jo vetëm të Kosovës por edhe të Serbisë jugore dhe të mesme. Qendrat industriale si Nisi, Leskovci, Vranja do të orientohen gjithnjë e më shumë nga infrastruktura që shpije në Adriatik dhe tutje në Evropë dhe botë. Në përgjithësi edhe orientimi i Maqedonisë dhe qendrave të sajë Veriore si Kumanova, Shkupi, Tetova kah perëndimi gjeografik i tyre , është interes i drejtpërdrejtë ekonomik dhe me reflektime edhe në marrëdhëniet e dy vendeve, por edhe me faktorin shqiptar në Përgjithësi.

Duke u ndodhur përballë thyerjes së vijave infrastrukturore të komunikacionit, por edhe energjetike (linjat 400kv me Shqipërinë) strategët serbë janë gjetur në teren të rrëshqitshëm, dhe instinktivisht ishin kapur për projektet infrastrukturore ruse, përfshi ato të naftësjellësve që planifikohen nëpër rajon. Lëvizjet ushtarake dhe politike të forcave anti-reformë mbështesin pikërisht këto drejtime të zhvillimit të infrastrukturës komunikuese dhe të energjisë , në dhe nëpër Ballkan.

Në fund, zhvillimet politike dhe rirreshtimet ushtarake në funksion të rrënimit të krejt asaj që është arritur në Ballkan, hap plagë të cilat mund të zvarriten edhe në decenien tjetër pa ndonjë perspektivë reale për tu zgjidhur. Vetëm rreshtimi i Serbisë dhe Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE i qetëson gjakrat dhe i venë në plan të dytë idetë shtetmëdha, duke lëshuar hapësirë për decentralizim, regjionalizim dhe integrime kontinentale. Kështu, shpresohet të jetë rruga dhe mënyra e vetme , që Ballkani të bëhet sinonim i bashkëpunimit, zhvillimit të shpejtuar dhe të tolerancës në mes popujve, kulturave dhe religjioneve të shumta që tashmë një kohë të gjatë kanë lëshuar rrënjë të thella këtu.

Aleancat sekrete me bazë frikën nga faktori shqiptar, i cili gjoja synon territore, janë të tejkaluara dhe nuk zgjidhin asnjë problem të dy shteteve fqinje me të cilat kufizohen shqiptarët dhe ku jeton një pjesë e rëndësishme e këtij komuniteti, sidomos në Maqedoni. Ndërtimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të dy entiteteve në Maqedoni, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbi baza të interesave reale evropiane, vetë këto paraqesin bazë të mirë për Serbinë, Maqedoninë Malin e Zi , Kosovën dhe Shqipërinë për të ndërtuar një konjukturë të qëndrueshme pro-evropiane dhe properëndimore në rajon, e cila o të hapë rrugën e zhvillimit të vërtetë dhe prosperitetit të përgjithshëm në rajon.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studime Ballkanike në Prishtinë)

Në trend

Më shumë
Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Premier League
Kosova nuk përfshihet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Kosova nuk përfshihet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Jehona Hulaj
Bayerni zyrtarizon largimin e dy futbollistëve pas katër viteve qëndrim në Allianz Arena

Bayerni zyrtarizon largimin e dy futbollistëve pas katër viteve qëndrim në Allianz Arena

Bundesliga
Pamje të tmerrshme, boksieri humb jetën pas goditjeve të marra në ring

Pamje të tmerrshme, boksieri humb jetën pas goditjeve të marra në ring

Boks
Data, vendi dhe ora: Gjithçka gati për duelin e parë më të madh të këtij shekulli, Tyson Fury - Oleksandr Usyk

Data, vendi dhe ora: Gjithçka gati për duelin e parë më të madh të këtij shekulli, Tyson Fury - Oleksandr Usyk

Boks
Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Lajme
Kalo në kategori