Nga: Simon Kuper / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Rreth njëqind vjet më parë, një sociolog francez, i cili kishte humbur disa kolegë të ngushtë gjatë Luftës së Parë Botërore, u ul për të shkruar një ese të titulluar Dhurata. Marcel Mauss donte të kuptonte se si shumica e shoqërive, në të kaluarën, kishin arritur të shmangnin masakrat masive. Në parathënie ai nderoi secilin prej miqve të rënë: “Robert Hertz u vra në sulmin e kotë të Marshevilit, më 13 prill 1915, në moshën 33-vjeçare, duke drejtuar njësinë e tij jashtë istikamëve”. Mauss diskutoi punën që do të kishin bërë ata – nëse do të jetonin. Dhe, më pas dorëzoi një ese që mbetet ende aq e rëndësishme saqë disa sociologë kanë fusnotën e tyre të preferuar. Ai dekodoi, ndër të tjera, edhe ethet e kësaj jave për blerjen e dhuratave të Krishtlindjes.
Mauss argumentoi se dhënia reciproke e dhuratave është baza e çdo shoqërie. Është një sistem i dukshëm që ende ekziston sot, përkrah “dorës së padukshme” të tregut. Është rituali që kryesisht na lejon të jetojmë së bashku në harmoni.
Pjesa më e madhe e esesë së tij është një studim mahnitës erudit mbi praktikat e dhurimit në ato që Mauss i quajti shoqëri “arkaike” – nga vendasit e Alaskës deri te fiset e lashta gjermanike. Këta njerëz dhuronin objekte të dobishme, por edhe gra, fëmijë, bankete – gjithçka. Edhe sot, dhurata është magjike kur përmban diçka nga personi që e jep. Një copëz të shpirtit të dhuruesit.
Mauss na tregon se dhurimi është pjesërisht në interes të vetvetes (sepse presim reciprocitet), por nuk është i tejkomercializuar. Një dhuratë mund të jetë një shpagim për një shërbim ose send që ju është dhënë. Mund të rrisë statusin tuaj. Ndihmon në ruajtjen e aleancave. Dhurimi, në këtë aspekt, nuk është bamirësi. Nuk ka asgjë të tillë si një dhuratë falas. Dhuroni duke ditur se një ditë do të merrni diçka në këmbim. Ose, siç thotë një shprehje e vjetër mafioze: “Nuk bëj favore, vetëm mbledh borxhe”! Mauss identifikon tri gjëra të detyrueshme: të japësh, të pranosh dhe më pas të japësh një dhuratë në këmbim.
Të mos dhurosh, kjo mund të ketë pasoja të tmerrshme. Ai përmend mitin e zanës së ligë që mallkon të porsalindurin sepse nuk është ftuar në festën e pagëzimit. Dështimi për të kthyer një dhuratë është gjithashtu i rrezikshëm, kështu që pranimi i një dhurate ju vendos në një pozitë të ndjeshme. Mauss thotë se ndoshta kjo është arsyeja pse fjala gjermane “Gift” [dhuratë] do të thotë “helm”.
Ai i akuzoi ekonomistët se e neglizhojnë sistemin e madh të dhuratave, sepse e shohin vetëm tregun, vendin ku shkëmbimet janë jopersonale dhe rreptësisht komerciale. Në tregje ne u kemi borxh njerëzve të tjerë vetëm nëse kemi pranuar për një marrëveshje, dhe detyrimet tona mbarojnë në çastin kur kontrata përmbushet.
Por, dhënia e dhuratave është një cikël i përjetshëm i reciprocitetit. Mauss argumentoi se kjo praktikë kishte mbijetuar deri në kohën e tij. Ai shkroi: “Nuk kemi vetëm etikë të tregut. Midis nesh mbeten ende ata njerëz dhe ato klasa që kanë zakonet morale të një epoke të shkuar, dhe pothuajse të gjithë i respektojmë ato, të paktën në kohë të caktuara të vitit ose në raste të veçanta”. Ai thekson se ende nuk jemi “kafshë ekonomike”.
Do të pohoja se edhe sot nuk jemi të tillë. Edhe kompanitë më të motivuara financiarisht organizojnë festa Krishtlindjesh për stafin dhe klientët, duke kuptuar se motivi i fitimit nuk mjafton për partneritete afatgjata në biznes. Dyshoj se shumica e njerëzve që punojnë në sektorët si shëndetësia, arsimi, kujdesi ose arti identifikohen më shumë me ciklin e reciprocitetit të Maussit sesa me etikën e tregut. Këta punonjës ndihen sikur po japin një pjesë të shpirtit të tyre, jo thjesht duke shitur punë në një treg të ftohtë dhe jopersonal.
Shumë zejtarë, fermerë dhe restaurues ndoshta besojnë gjithashtu, në aspektin mausian, se ata vendosin diçka nga vetja në gjërat që prodhojnë. Sigurisht, tregu i paguan ata, por tregu nuk ka për qëllim drejtësinë morale, dhe për këtë arsye çmimi i tregut mund të mos jetë proporcional me atë që ata kanë dhënë. Për arsye të ngjashme, ndarja moderne midis prodhuesit dhe blerësit (ne blejmë gjëra përmes ndërmjetësve, si supermarketet ose Amazon-i) duket në mënyrë të vrazhdë jopersonale për njerëzit që jetojnë sipas etikës së ciklit të dhuratave. Ka më shumë reciprocitet njerëzor kur blini diçka drejtpërdrejt nga personi që e ka bërë.
Disa nga konfliktet politike të sotme janë, në fakt, përplasje midis etikës së dhuratës dhe tregut. Merrni si shembull çështjen e rritjes së moshës së pensionit. Shumë punëtorë ndihen se kanë dhënë diçka nga esenca e tyre, në punën e tyre, dhe se u takon pensioni sipas sistemit të reciprocitetit të përjetshëm të Maussit.
Puritanët e tregut argumentojnë, duke perifrazuar Margaret Thatcherin, se nuk ka një gjë të tillë si shoqëri, por vetëm individë që blejnë dhe shesin mes vete. Maussi do të ishte përgjigjur: ka një shoqëri dhe ajo është ndërtuar pjesërisht mbi dhuratat e Krishtlindjes. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Prindërit e mi pas vdekjes së asistuar, ende të kapur për dore: Fotografia më personale e Martin Roemersit

Misteret rreth vrasjes së Avni Rustemit: Për Eqrem bej Vlorën, Avniu ishte kriminel dhe karagjoz!

Artikull i vitit 1965 që shpalli Londrën si vendin më interesant në botë

Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve

Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk janë origjinale?

Libraria “Dukagjini”, ofron të gjitha librat për mësimin e gjermanishtes në shkollat e Kosovës

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Aleatja e Trumpit bleu aksione pak para njoftimit dhe përfitoi mijëra dollarë

Berisha: Jam i gatshëm ta jap votën time për Kurtin, edhe nëse nuk jam pjesë e qeverisë

Historia e shqiptarit - diler droge që u dëbua nga Britania tri herë radhazi

Ndodh për herë të parë në histori - banorët bëjnë xhiro me makinë jashtë shtëpisë së Big Brother

Grenelli bëri thirrje t’i ndalen fondet, përgjigjet Gjykata Speciale

Loredana flet për rastin e Jozit me Gjestin: Ishte një pamje e fortë, e papranueshme dhe unë distancohem komplet nga ai veprim