LAJMI I FUNDIT:

Prindërit e mi pas vdekjes së asistuar, ende të kapur për dore: Fotografia më personale e Martin Roemersit

Prindërit e mi pas vdekjes së asistuar, ende të kapur për dore: Fotografia më personale e Martin Roemersit
Të dy ishin të sëmurë dhe të lodhur ... Nuk donin të shkonin në shtëpi të pleqve dhe asnjëri nuk donte të mbetej gjallë pa tjetrin - donin të largoheshin nga jeta, së bashku ...

Të dy ishin të sëmurë dhe të lodhur … Nuk donin të shkonin në shtëpi të pleqve dhe asnjëri nuk donte të mbetej gjallë pa tjetrin – donin të largoheshin nga jeta, së bashku …

Gazetarja Charlotte Jansen, në bashkëbisedim me fotografin Martin Roemers / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kjo është një foto e prindërve të mi, menjëherë pas vdekjes së tyre në Asen të Holandës, më 1 maj 2024. Babai im, Klaas Roemers, ishte 90 vjeç, ndërsa nëna ime, Fenny Roemers-Visser, ishte 86 vjeçe.


Ata patën një jetë të mirë dhe një martesë shumë të lumtur, por vitet e fundit ishin të vështira. Të dy ishin të sëmurë dhe të lodhur. Të dy vuanin nga problemet në zemër dhe nëna ime kishte shumë dhimbje. Gjendja fizike e të dyve ishte shumë e keqe. Ende jetonin në shtëpinë e tyre, por jeta po bëhej gjithnjë e më e vështirë, edhe me ndihmë. Nuk donin të shkonin në shtëpi të pleqve dhe asnjëri nuk donte të mbetej gjallë pa tjetrin – donin të largoheshin nga jeta, së bashku. Kishin frikë se mos njëri vdiste natyrshëm dhe tjetri mbetej vetëm pas. Ishin shumë të lidhur, dhe bënin gjithçka bashkë, vërtet gjithçka – prandaj, kishte kuptim që të largoheshin nga kjo jetë së bashku.

Në Holandë, ku vdekja e asistuar është e ligjshme, kjo është e mundur nëse ke një arsye shumë të fortë. Nëna ime gjithmonë thoshte: “Do të rrimë me ju sa të mundemi, derisa të mos shohim më asnjë rrugë tjetër”. Mjekët duhet të jenë të bindur se pacienti po vuan në mënyrë të padurueshme dhe nuk ka më shpresë për përmirësim. Prindërit e mi u vlerësuan në mënyrë të pavarur nga mjekë të ndryshëm dhe të dy morën miratimin.

Është një proces shumë i gjatë, por sapo merret vendimi, gjithçka ndodh shpejt. Ata zgjodhën një datë, dhe ishte vetëm një javë më vonë – shumë më shpejt sesa kisha menduar. Babai im donte të dilte për darkë diku, dhe në mbrëmjen e fundit para vdekjes, ne ia dolëm ta bënim këtë. Babai im ishte një njeri shumë optimist dhe pa shqetësime i cili qeshte gjithmonë me shakatë tona, deri në momentin e fundit. Ishte e dukshme që po e shijonte darkën në atë mbrëmje – dhe kjo ishte gjë e mirë.

Prindërit e mi ishin shumë të përfshirë në punën time dhe vinin në hapjet e ekspozitave. Kjo është një fotografi atipike për mua; zakonisht punoj në kufirin mes dokumentarit dhe artit, duke fotografuar ndryshimet në shoqëri. Projekti im aktual, Homo Mobilis, trajton marrëdhënien e ndërlikuar mes njeriut dhe automjetit – analizoj se si lëvizshmëria formëson identitetet dhe shoqëritë tona. Prindërit e mi po e prisnin me padurim ekspozitën dhe librin e këtij projekti. Fatkeqësisht, nuk do të kenë mundësi ta shohin. Prezantimi është në fund të këtij viti.

Disa ditë para vdekjes u thashë që po mendoja të bëja një portret të tyre pas vdekjes dhe që ndoshta do ta shfaqja edhe publikisht, dhe i pyeta çfarë mendonin për këtë. Ata u përgjigjën menjëherë: “Po, duhet ta bësh”. Në fillim nuk e dija ç’të bëja me të, sepse është një foto shumë personale dhe private. Kjo është hera e parë që e publikoj.

Në Holandë jemi shumë liberalë sa i përket vdekjes së asistuar, por në vendet ku gjërat nuk janë kështu, mendova se një fotografi e tillë mund të ishte një ndihmë për të treguar çfarë do të thotë kjo dhe për të kontribuar në debat. Kur ua tregoj miqve, zakonisht reagojnë duke thënë se është e bukur. E kuptoj këtë, por unë nuk shoh asnjë bukuri në të. Për mua kjo përfaqëson humbjen. Por, e kuptoj atë reagim – ndoshta, po të mos ishin prindërit e mi, edhe unë do ta shihja në atë mënyrë.

Ishte një ngjarje shumë e trishtë, por kur dikush nuk dëshiron më të jetojë, besoj se duhet të ketë mundësinë ta bëjë këtë. Vëllai im dhe unë kishim të njëjtin ndjenjë – e kuptuam vendimin e tyre, e respektuam dhe e pranuam. Nuk u përpoqëm t’i ndalonim apo ta shtynim vendimin. Që nga ai moment, u përpoqëm të bënim gjithçka sa më të qetë për ta. Unë isha me ta sa më shpesh që mundesha, dhe ajo që ishte më e rëndësishme: arrita t’u them gjithçka që doja t’u thosha.

“Eutanazia dyshe” është shumë e rrallë. Vëllai im, bashkëshortja ime dhe unë ishim të pranishëm në dhomë kur ndodhi – prindërit tanë donin që ne të ishim aty. Të gjitha fotografitë familjare ishin përreth tyre mbi shtrat, me kërkesë të nënës. Ata qëndronin shtrirë, duke u mbajtur për dore. Mjekët u dhanë fillimisht një injeksion për t’i vënë në gjumë, dhe më pas injeksionin përfundimtar. Është shumë e çuditshme dhe e trishtë t’i shohësh prindërit e tu të shtrirë ashtu.

Bëra disa fotografi. Në mënyrë të çuditshme, në atë moment veprova si profesionist: bëra kompozimin, kontrollova dritën, dhe të tjera si këto. Kur mbarova, qëndrova pak duke i vëzhguar, i putha secilin në ballë dhe dola nga dhoma.

Ata vdiqën ashtu siç jetuan – duke u mbajtur për dore.

Të dy ishin të sëmurë dhe të lodhur … Nuk donin të shkonin në shtëpi të pleqve dhe asnjëri nuk donte të mbetej gjallë pa tjetrin – donin të largoheshin nga jeta, së bashku …

Martin Roemers: CV

Vendi dhe viti i lindjes: Oldehove, Holandë, 1962

Trajnimi: AKI, Akademia e Arteve të Bukura, Enschede, Holandë

Ndikimet: “Vite më parë, po ecja nëpër Mumbai dhe po shijoja kaosin dhe vrullin e atij qyteti – mijëra njerëz që dukeshin sikur nuk shqetësoheshin nga zhurma, gazrat e makinave dhe mungesa e hapësirës personale. Pyesja veten si mund të përmblidhja gjithë këtë energji dhe rrëmujë në një fotografi të vetme. Ky ishte frymëzimi im i parë për Metropolis-in, projektin tim për megapoliset e botës. Mund të frymëzohem edhe nga një bisedë me dikë, nga një libër apo një fotografi. Fotografi im i preferuar është August Sander, i cili në fillim të shekullit XX krijoi një dokument fotografik gjithëpërfshirës për popullin gjerman”.

Pika kulmore: “Të kem veprat e mia të përfshira në koleksione muzeale dhe institucionale anembanë botës. Jam shumë i emocionuar që më vonë, në këtë vit, do të prezantoj librin tim të ri Homo Mobilis, mbi marrëdhënien simbiotike mes individëve dhe mjeteve të tyre të transportit”.

Pika e dobët: “Isha student fotografie kur ra Muri i Berlinit. Duhej t’i kisha lënë të gjitha dhe të shkoja në Berlin, por nuk e bëra këtë për shkak të punës sime me kohë të pjesshme. Edhe pse e kam kompensuar më vonë, ende më shqetëson kjo”.

Këshilla kryesore: “Shoh kaq shumë fotografë të rinj që punojnë në projekte për identitetin e tyre personal. Jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme – shihni botën përreth jush. Eksperimentoni dhe qëndroni besnikë ndaj ideve tuaja”. /Telegrafi/