LAJMI I FUNDIT:

Asnjëri nuk e posedon të vërtetën absolute

Jam shumë i sigurt se njerëzit e parë të cilët nuk u patuan me vulgarizmin oratorik të predikimit të hoxhës nga Prizreni, temë kjo kryesore e këtyre ditëve, ishin brenda mureve të xhamisë, respektivisht atij xhemati, e jo hapësira e mureve të Parlamentit të Kosovës e as ndonjë hapësirë tjetër. Ashtu sikurse jam i bindur se edhe kritikuesit më të mëdhenj të këtyre ditëve të hoxhës, lidhur me tematiken në fjalë, nuk dallojnë shumë nga ai. Mentaliteti patriarkal është emëruesi i përbashkët i tyre. Ky është realiteti. Çdo sqarim i mëtejmë në këtë drejtim do të ishte vulgarizim.

Jam i bindur se numrat nuk do të ishin në favor të hoxhës po të behej një anketim i atypëratyshëm lidhur me formën ekspresive të tij ligjëruese. Nuk do e gjej citatin e saktë, por po e theksoj me siguri të plotë se në Kuran theksohet se edhe te besimtari më i devotshëm ka mosbesim, por edhe e kundërta: d.m.th. edhe te mosbesimtari më i madh ka besim. Prandaj, siguria kognitive e hoxhës do të duhej të përfundonte këtu.


Fakti se sot kemi një hiper-realitet të influencuar nga informacionet, na shpie te konstatimi se besueshmëria në deklarimet e ndryshme, qofshin ato edhe shkencore, bile edhe kur janë rezultat i investimeve të mëdha dhe me përkushtim të ekipeve të shumë serioze të shkencëtarëve, ka shumë probabilitet të mos besohen, bile edhe të mohohen. Ekziston një komunitet i madh njerëzish anë e mbanë botës, të cilët janë shumë pran informacioneve dhe nuk e besojnë një fakt si real, edhe pse konfirmimi p.sh. vjen nga një institucion prestigjioz sikurse agjencioni i hapësirës NASA (p.sh. shkuarja në Hënë, misioni Curiosity etj.). Sigurisht se ky mosbesim manifestohet edhe në aspektin fetar.

Pra, sikurse besimi, edhe mosbesimi është kategori e pandashme e njeriut. Realiteti empirik e konfirmon këtë.

Të kthehemi në kontekstin e skandalit kosovar.

Realisht, konsideroj se i njëjti më tepër është skandal medial i shkaktuar nga mjetet e informacionit, të kombinuara me një opinion publik hipersensitiv dhe ende të pa konsoliduar. Duke mos pasur invencionin dhe guximin, por posaçërisht profesionalizmin e ballafaqimit me probleme reale, e kishin më të lehtë të krijonin skandal , aq më tepër kur politikanët veç iu futen kësaj loje.

Që të jemi krejtësisht të sinqertë, konsideroj se ky skandal e ka edhe anën e mirë, sepse tregoi se shoqëria jonë ende nuk i ka kaluar ”dhembjet e lindjes” në rrugëtimin e saj drejtë një shoqërie pluralë, ku është akomoduar koekzistenca e segmenteve të ndryshme, dhe të shumta, të shoqërisë, të cilat nuk është e thënë se duhet të jenë në konsonancë njëra me tjetrën për të gjitha çështjet. Kjo mund të shfrytëzohet si tregues i mirë i gjendje sonë sociale.

Duke qenë se shoqëria e kosovare në kontekst të demokratizimit realisht vetëm nga dukja e ka ndryshuar formën e manifestimit të saj, por jo edhe nga përmbajtja, rrjedhimisht ende funksionon me inercione nga e kaluara, e cila e kaluar ishte një kombinim eklektik i ideologjisë komuniste dhe feudalizmit të vonuar. Kjo gjendje reflektohet edhe në planet konkrete të manifestimit të jetës reale, në segmente të caktuara të shoqërisë, manifestim ky i cili karakterizohet me vulgarizime ekspresive individuale, sikurse ai i hoxhës, por edhe aktrime po aq vulgare para mediave nga ana e (pseudo)modernistëve që në fakt nuk ishin jo më pak vulgarë nga struktura e të menduarit.

Besueshmëria e hoxhës se pikëpamja e tij është me karakter absolut nuk qëndron për faktin e vetëm se ndërmjetësimi në islam nuk lejohet, andaj e vërteta dihet vetëm nga Zoti. Hoxha ka rolin e vetëm një prijësi i cili eventualisht dallohet nga masa për nga thellësia e dijeve të tij, por assesi i njëjti nuk mund të pretendoj se e ka gjetur të verbëtën apsolute.

Por, kjo besueshmëri e hoxhës fatkeqësisht që u pasua nga një gatishmëri e dëshpëruar për të marrë masa sa më drastike ndaj tij, tregon se kemi të bëjmë me modelin dogmatik të të menduarit, por vetëm nga një perspektivë tjetër. Në këtë rast nga perspektiva e një sekularizmi represiv, i cili është shumë i sigurt se është i vetmi i cili i ka këmbët në truall të duhur, ndërsa të tjerët vuajnë së koti në këtë botë.

Shoqëria demokratike nuk nënkupton elektrizimin e këtillë në manifestimet konkrete, as në njërën e as tjetrën qasje, pasi që thënë të drejtën, as hoxha dhe as të indinjuarit nga ai nuk e posedojnë të vërteten absolute. Me sa duket e tëra çka ata posedojnë është struktura mentale për përfitim maksimal populist, me synim rritjen e ndikimit të tyre në kuadër të grupeve ku ata kanë akces d.m.th. në xhematin e tyre ku ata e fitojnë gravitetin e tyre social.

Çështja është se sa kategoria morale zë vend në këtë rast.

Në fakt konkludimi i kësaj meseleje është se shoqëria demokratike nënkupton një pluralizëm moral, gjë për të cilën duhet të meditojnë thellë që të dy taborët e kësaj shfaqje vulgare, edhe mediave nëse duan të kontribuojnë në konsolidimin e një shoqërie të lirë dhe tolerante, me të tëra defektet parciale që mund të ketë ajo. Me rëndësi është që hapësira për vetëkorrigjim të mos eklipsohet me synimin dogmatik drejt një gjendje stacionare, sepse duke pasur një synim të tillë, realisht deekuilibrimi është i pa shmangshëm. Kur kuptohet kjo, skandali në fjalë nuk do te kishte kaq pompozitet, pasi që shoqëria demokratike në fakt është një konflikt i përhershëm.