LAJMI I FUNDIT:

Ariu i uritur iu bashkua festës

Ariu i uritur iu bashkua festës

Një ari i uritur iu bashkua banorëve të Kizilit, kryeqytetit të republikës Tiva në Siberi, gjatë festës nacionale të 4 nëntorit- njoftoi të hënën agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti.

“Ariu u fut në qytet, i cili gjendet 3.660 kilometra në lindje të Moskës, e më pas edhe në fshatin fqinj, ku mbyti një derr. Pas kësaj ariu u përpoq t’i sulmojë disa kalimtarë, ndërsa më pas fshatarët e vranë”, deklaroi një zyrtar lokal për agjencinë ruse të lajmeve.

Thatësia e pazakontë, e cila goditi sivjet Rusinë, ka lënë arinjtë e murrmë pa ushqim dhe i ka detyruar ata që në kërkim të ushqimit tu afrohen vendbanimeve.

Në shtator një ari i uritur sulmoi një njeri në Sikitvkar, qytetin më të madh të Republikës ruse Komi, që detyroi banorët lokalë të shkruajnë edhe një rregullore të posaçme të sjelljeve në takim me arinjtë.


Këshilla kryesore për njerëzit është se në takim me arinjtë “këshillohen të mos lëvizin dhe të rrinë të qetë”.

Ekspertët mendojnë se arinjve u nevojiten së paku 50 kilogramë ushqim në ditë gjatë vjeshtës për të krijuar rezerva të mjaftueshme dhjami para gjumit dimëror. /Telegrafi/