Ann Christine Eek, fotografe dhe etnografe: Dëshmitarja e familjeve patriarkale dhe traditave të vjetra shqiptare
Në Isniq i kemi kaluar muajt gusht dhe shtator të vitit 1976. Kemi biseduar dhe kemi ndejtë me familje të shumta. Ishte kjo koha kur shumë familje të mëdha ndaheshin në familje të vogla, shumë prej të cilave kishin probleme të mëdha ekonomike. – Unë nuk isha mësuar më parë në jetën patriarkale. Paragjykimet në Perëndim janë negative për familjet patriarkale, por në Isniq shihja gjëra shumë të mira. Femrat brenda familjeve kishin besim dhe forcë. – Rikthimi në Isniq ishte i prekshëm. Në hyrje shihja shtëpitë e shkatërruara…
Intervista (me titullin “Në rrugën e Berit Beckerit) është botuar në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”, më 12 gusht 2000
Ann Christine Eek është fotografe dhe etnografe e njohur suedeze. Një kohë të gjatë ka punuar, si e pavarur, fotografi dokumentare, reportazhe dhe ilustrime të librave. Në vitin 1974 me dy gazetarë suedezë boton librin e parë për jetën e femrave suedeze, në familje e në punë. Më 1976, së bashku me etnografen dhe mikeshen e madhe shqiptare, Berit Backer, vizitoi Kosovën për të përcjellë jetën dhe zakonet e familjeve shqiptare në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit. Puna e tyre në Isniq, një vit më vonë do të editohet në televizionin suedez. Në vitin 1979 Eek vendoset në Norvegji, në Oslo, ku mban ekspozita të ndryshme të fotografive artistike. Në vitin 1991, ajo me Berit Backerin organizon një ekspozitë të madhe në Oslo, të kulturës dhe të traditës shqiptare. Eek ka mbajtur ekspozita të ndryshme në Suedi, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Holandë etj. Fotografitë e saj janë pjesë e bibliotekës nacionale në Paris, muzeve në Suedi, Norvegji dhe Danimarkë. Prej viteve ’80 punon në Muzeun Etnografik, që është pjesë e Muzeut Historik të Oslos.
• Për herë të parë Kosovën e keni vizituar në vitin 1976. Është kjo koha kur Kosova gëzonte statusin e një autonomie pak a shumë të zgjeruar, kur problemet ndonëse ekzistonin, mbaheshin disi të fshehta. Pra, mu për këtë, Kosova ishte shumë pak e njohur për Perëndimin. Çfarë ju shtyri të vizitoni Kosovën?
VIZITA E PARË NË KOSOVË
EEK: Më 1975 isha në Shqipëri, ku u njoha me antropologen Berit Backer. Shumë shpejt ne u bëmë shoqe, sepse ajo ishte e interesuar në punën time dhe ajo më tha se ka qëndruar një vit në një fshat të Kosovës, ku shqiptarët jetonin në familje të mëdha. Berit interesohej për jetën e atyre njerëzve, për kulturën dhe traditat e tyre…
• Ajo fjalën e kishte për Isniqin, apo jo?
EEK: Po për Isniqin. Ne vendosëm ta botojmë një libër për njerëzit që jetonin në Isniq. Për këtë financimin e kemi siguruar nga televizioni suedez. Në Isniq i kemi kaluar muajt gusht dhe shtator të vitit 1976. Kemi biseduar dhe kemi ndejtë me familje të shumta. Ishte kjo koha kur shumë familjet e mëdha ndaheshin në familje të vogla, shumë prej të cilave kishin probleme të mëdha ekonomike. Ne kemi dokumentuar jetën e atyre njerëzve në mënyra të ndryshme; kemi përcjellë dasmat, madje edhe funeralet. Kemi shkuar në bjeshkë, kemi përcjellë njerëzit që shisnin bagëtinë etj. Kur jemi kthyer në Suedi, në mars të vitit 1977, kemi edituar këtë film për televizionin suedez. Berit vazhdoi tutje punën e saj, sepse ajo ishte antropologe dhe duhej të përfundonte tezat për temën e doktoratës, më 1979. Punimi i saj “Prapa mureve të gurit” është një punim i mrekullueshëm. E kam lexuar atë për më se pesë herë. Ajo ka përshkrim etnografik të jetës në Kosovën e asaj kohe, ndryshimet në ekonomi etj.
• Një mik shqiptar i Beritës më ka thënë se kur Berita viziton për herë të parë Isniqin, frikohej të kontaktonte me banorët. Berita atij i kishte thënë më vonë se këtë frikë e kishte marrë nga konsulli jugosllav në Oslo. Ai, si duket, i kishte thënë Beritës se nga Kosova nuk do të kthehet gjallë, se atë do ta vrasin shqiptarët…
FAMILJET PATRIARKALE NË ISNIQ
EEK: Nuk e di. Berita në fillim kishte vështirësi të mëdha për ta mësuar shqipen, sidomos për të intervistuar dhe shkruar. Kur ishte në Prishtinë, para se të shkonte në Isniq, ajo dinte për familjet patriarkale dhe zakonet shqiptare, andaj frikohej mos po vepronte në mënyrë të gabuar. Kur ne kemi shkuar bashkë në Isniq, ajo tërë kohën më mësonte si të takohem me njerëz, si të përshëndetem me ta, çfarë të bëj e çfarë jo. Pra, ajo brengosej të mos i prishte zakonet e njerëzve, të mos ndërhynte në mënyrë të gabuar në jetën e njerëzve.
• Kosova për Beritën, megjithatë nuk ishte diç e re. Ajo i njihte banorët, e madje edhe gjuhën. Dhe siç e thamë më lart, nuk kishte frikën dhe paragjykimet e mëparshme. Si e gjetët veten në këtë ambient, për ju atëherë të ri?
EEK: Kur kam shkuar në Isniq, dija shumë pak shqip dhe nuk mund të bisedoja me njerëz. Pra, Berit i bënte të gjitha bisedimet, ndërsa unë isha vetëm një e “çmendur” që fotografonte dhe ikte. Gradualisht, Berit më mësonte si të jem më e afërt me njerëz, që të mos zhdukem dhe vetëm të fotografoj. Pra, e falënderoj se më ka ndihmuar t’i njoh shqiptarët dhe ta kem më të lehtë komunikimin me ta. Në vitin 1975 Berit kishte blerë ca libra për të mësuar shqipen. Edhe unë më vonë ia fillova me këto libra, së paku të di të shpjegoj se kush jam dhe çfarë kërkoj.
• Çfarë ju ka lënë më së shumti përshtypje në Isniq, kullat apo…?
EEK: Jo vetëm kullat, por tërë jeta në fshat. Unë nuk isha mësuar më parë në jetën patriarkale. Paragjykimet në Perëndim janë negative për familjet patriarkale, por në Isniq shihja gjëra shumë të mira. Femrat brenda familjeve kishin besim dhe forcë. Përveç asaj, unë kisha dëshirë të takoja njerëz. Në Kosovë kam krijuar shumë miq, me të cilët ende kam kontakte. Në Kosovë njerëzit janë shumë mikpritës. P.sh. në Angli të gjithë janë të dyshimtë, nëse dëshiron të shkosh në shkollë, duhet të bësh kërkesa të mëdha. Ndërsa, këtu, posa prezantohem se kush jam, të gjithë më shprehin mirëseardhje dhe më ftojnë në shtëpi.
• Pasi që puna juaj në Isniq shfaqet në televizionin suedez, kontaktet me Beritën i keni ruajtur, por megjithatë në planin profesional më nuk keni bashkëpunuar. Pse?
VRASJA E BERIT BECKERIT
EEK: Pas publikimit të librit të saj, ne është dashur të bëjmë një libër tjetër së bashku. Por, unë u martova, kisha fëmijë, ndërsa ajo vazhdonte vetëm hulumtimet e saja. Ajo më ka thënë disa herë të shkojmë së bashku në Shqipëri, por nuk ia arritëm dot. Në vitet ’90, kur në pushtet fiton Partia Demokratike, Berita vjen tek unë, në Muzeun Etnografik të Oslos dhe më fton të bënim një ekspozitë për shqiptarët, gjë të cilën unë e pranova me dëshirë, sikurse edhe drejtori i muzeut. Nga Instituti i Kulturës Popullore i Shqipërisë ne kemi huazuar 350 objekte, rroba, tekstile etj. dhe në vitin 1991 organizojmë një ekspozitë të madhe në Oslo. Kështu, me Beritën kemi vendosur ta vazhdojmë projektin që e kemi nisur në vitin 1976. Për këtë Berita e kalonte një kohë të gjatë në Shqipëri. Madje, ajo ka adoptuar edhe një vajzë shqiptare për vajzë të veten. Ne u ulëm dhe planifikuam organizimin e udhëtimit tonë, të projektit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, të ndërtimit të një muzeu etnografik në Tiranë etj. Por, fatkeqësisht, të njëjtën natë kur ne bënim këto plane, Berita vritet. Ky ishte një shok i madh për të gjithë ne…
• Sidomos, nëse merret parasysh se ajo vritet nga një kosovar…
EEK: Po. Mirëpo, njeriu që vrau Beritën ishte konfuz dhe 10 minuta pas aktit të kryer drejtohet në një shtëpi tjetër dhe kërkon telefonin që të thërrasë policinë, për të treguar se kishte bërë diçka të keqe. Mendoj se shumica atë njeri e konsiderojnë si të pavetëdije dhe të painfluencë te shqiptarët. Atë kohë lajmi për vrasjen e Beritës e kaplon shtypin norvegjez. Mënyra siç përshkruhej vrasja e saj ishte shokante, dhe jepte një pasqyrë të keqe për shqiptarët. Mirëpo, funerali i saj e dëshmonte të kundërtën e kësaj. Kisha prej nga do të nisej kortezhi i Beritës, ishte përplot njerëz. Shumë prej tyre detyroheshin të qëndronin jashtë. Autobusë të tërë vinin nga Kosova, me plot shqiptarë që dëshironin të përcillnin funeralin. Ajo u nderua dhe u përkujtua nga shumë faktorë të rëndësishëm shqiptarë, shumë artikuj për të etj.
• Disa vjet para vrasjes së saj, Berita një miku të saj nga Kosova, pak a shumë nën ndikimin e alkoolit, i kishte thënë se është lodhur nga shqiptarët. Atë kohë ajo punonte dhe ndihmonte me të madhe refugjatët kosovarë në Norvegji. A ka biseduar ndonjëherë ajo me ju për këtë?
LIBRI PËR SHQIPTARËT
EEK: Jo, mirëpo në një mënyrë ndoshta e kuptoj reagimin e saj. Disa shqiptarë edhe në Norvegji bëjnë gjëra të këqija. Me këtë ata japim pasqyrë të keqe për shqiptarët. Por, ata nuk janë shqiptarë, ata thjesht janë kriminelë.
• Pas vrasjes së Beritës ju keni marrë të gjitha materialet e saj dhe keni vendosur t’i realizoni vetë planet që i keni pasur me të. Tash, sa jemi të informuar, jeni duke përfunduar librin tuaj të parë për shqiptarët…
EEK: Pas vdekjes së Berit Beckerit kam vendosur ta vazhdoj vetë punën e saj. Kam kërkuar nga familja e saj të m’i japë të gjitha dokumentet e Beritës. Unë pastaj jam munduar ta adoptoj edhe vajzën e saj, por nuk isha në gjendje ta bëja këtë, sepse dikush tjetër, një grua që është thjesht proserbe, kishte dhënë para të mëdha për të dhe ma ka ndaluar ta shoh…
Berita nuk kishte shumë libra dhe artikuj, por kishte materiale shumë të rëndësishme të pabotuara. I kam lexuar të gjitha ato dhe gradualisht nisa të shkruaj. Por, në fillim mendova se është më mirë t’i përdor materialet e saja si bazë për fotografitë e mia, sepse unë jam fotografe. Por, pasi edhe vetë kam shkruar për vite të tëra, mendova se është mirë ta kem librin tim. Me inspirimin nga puna e saj, kuptova se duhet të lexoj shumë historinë, për të ditur se çfarë është shkruar për shqiptarët. Sidomos, kur lufta shpërtheu, në Perëndim kuptova se si pasqyra e mediave është e mbushur me propagandë serbe. Konflikti nuk ka filluar në vitin 1989, por shumë më herët. Problemet me kisha, politikë dhe mite, mendoj se është mirë t’u shpjegohen njerëzve. Shqiptarët ishin shumë aktivë në jetën publike në 3-4 vjetët e fundit, ata ishin në kryelajme, kishin gazetarë dhe fotografë që kanë marrë shpërblime të mëdha për punën e bërë etj. Por, në fund, askush nuk e di mirë se kush janë shqiptarët. Ata janë të panjohur si popull dhe këtë deri diku tentoj ta ndryshoj.
NË ISNIQIN E SHKATËRRUAR
Për këtë libër kam materiale të mëdha. Prej vitit 1975 kam bërë rreth 20 mijë fotografi në Shqipëri dhe Kosovë. Vetëm nga kjo vizitë i kam edhe dymijë të tjera. Nga të gjitha këto, për fillim kam zgjedhur afro 300 për libër, kryesisht me foto të njerëzve, sepse dëshiroj të flas për ta. Kjo është edhe qasja ime kryesore. Dëshiroj po ashtu që të jap prapavijë historike dhe kulturore, të mundohem madje t’i shpjegoj edhe ca çështje politike. Por, unë nuk jam analist politik dhe nuk do të mund të hyj thellë në këtë çështje, për të thënë se çka është e drejtë e çka jo. Por, do të jem e drejtë aq sa mundem. Mendoj se është shumë me rëndësi të tregojmë se shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e Evropës. Tekefundit, janë shtatë milionë shqiptarë dhe ata nuk mund të jenë të padukshëm.
• Për herë të parë, pas 24 vjetësh, ju sërish erdhët në Kosovë. Isniqi, fshatin të cilin e keni njohur mirë, ku i ke kaluar dy muaj dhe jeni munduar ta përcillni pothuaj çdo segment të traditave dhe zakoneve vendore, tash e keni gjetur të rrënuar. Cilat ishin përshtypjet tuaja kur keni hyrë në Isniq, kur keni parë shtëpitë e rrënuara, kullat që keni fotografuar, njerëzit e rinj dhe ndryshimet e tjera që kanë ndodhur gjatë 24 vjetëve të fundit?
EEK: Rikthimin në Isniq ishte i prekshëm. Në hyrje shihja shtëpitë e shkatërruara, që menjëherë m’i sollën lotët në sy. Mirëpo, pasi që vizita ime është shumë e shkurtër, e kam të vështirë t’i shoh të gjitha ndryshimet. Për këtë më duhet kohë shumë më e gjatë. Kam vizituar njerëzit që kam njohur më parë dhe kam parë se ata jetojnë jetë relativisht komfore, nëse marrim parasysh kushtet që i kishin para luftës dhe në vitin 1976. Por, megjithatë, ka ende shumë njerëz të varfër. Kam mendimin se dallimet ndërmjet njerëzve tash janë më të mëdha, sepse disa kanë pasur fatin të kenë të afërmit në shtete të jashtme, të kenë më shumë para, por një pjesë tjetër e madhe, pasi që më se 10 vjet ishin pa punë, ende nuk kanë kushte të mira për jetë normale. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje