LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorët…

Sipas judaizmit, krishterimit dhe islamit, engjëlli ishte lajmëtarë i parë i njerëzimit, ndërmjetësues midis Zotit dhe Tokës. Në gjuhën diplomatike moderne, engjëllin mund ta quajmë edhe si ambasadorin e parë në botë.

Ambasadori si rang më i lartë diplomatik është ndërmjetësues mes dy shteteve i cili prezanton shtetin e vet në radhë te parë. Sir Henry Wotton thoshte: “Një diplomat është një njeri i ndershëm i cili dërgohet në një shtet tjetër për të ‘gënjyer’ për vendin e vet.”


Duke pasë parasysh gafat dhe aksidentet e diplomatëve tanë, le që nuk dinë të “gënjejnë” po ata sa duket nuk përdorin maskat dhe mundësitë e një ambasadori të mirëfilltë.

Puna e dhe obligimet diplomatike janë qenësorë për shtetin e Kosovës, kur kemi parasysh shtetin me të ri në Evropë. Me anë të diplomacisë, një shtet promovon vlerat e veta në hapësirat internacionale, pa marrë parasysh kufijtë dhe format shoqërore. Të pranosh imunitetin dhe privilegjet diplomatike të një shteti, është njësoj sikur t’i pranosh interesat e atij shteti si interesa legjitime. Imuniteti diplomatik nuk duhet kuptuar si diçka personale! Por, si diçka që është e rregulluar mes shteteve. Imuniteti që i jepet shtetit dërgues ka të bëjë me atë qe diplomati të punojë lirshëm profesionin e vet pa u penguar nga shteti pranues.

A janë në gjendje dhe a kanë potencial intelektual dhe kulturë mendore ambasadorët e Kosovës të promovojnë vlerat dhe synimet parësore të MPJ-së, të cilat janë:

– Njohja e pavarësisë së Kosovës nga shumica absolute e shteteve të bashkësisë ndërkombëtare dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto vende.

– Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare me interes të veçantë për subjektivitetin dhe prestigjin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

– Funksionalizimi dhe rritja e kapaciteteve të shërbimit të jashtëm dhe konsullor të Republikës së Kosovës.

Duke pasë parasysh skandalet e fundit të disa diplomatëve tanë, mendoj që jo. Meqenëse nuk kam njohuri për kriteret se si zgjidhen ambasadorët e Kosovës, rasti i fundit me emër e mbiemër në Zagreb të lë përshtypje se babai e ka emëruar të birin si diplomat në Kroaci. Mos direkt, me anë të mikut (intervencës). Mendimet konspirative janë “fakte” ne Kosovë, kur dihen statistikat e korrupsionit dhe nepotizmit.

Tek “Njëmijë e një net” flitet për mbretin e Persisë, të cilit iu kishte errësuar bota nga gruaja e parë dhe më pas ai kishte vështirësi t’ju besojë femrave. Çdo natë martohej me një virgjëreshë, të cilës ia priste kokën në mëngjes. Një ditë mbreti takon gocën inteligjente të vezirit, Sheherzaden. Përkundër dëshirës së babait, ajo shfaqi dëshirë të kalojë një natë me mbretin. E vetëdijshme për rrezikun që kishte ndërmarrë, ajo zgjodhi që netët t’i kalojë duke i treguar tregime mbretit për Ali Babën, Sinbadin dhe Aladinin. Mbreti e la atë të jetojë. Nuk ishte në pyetje vetëm një natë, po ishin një mijë e një net, derisa mbreti u çmend pas saj. Mbreti e dërgoj xhelatin në shtëpi, u martua me Sheherzaden dhe bëri tre fëmijë me të.

Morali i tregimit të sipërm ende është aktual. Diplomatët e Kosovës, me anë të punës, shtetin që po e ndërtojmë, duhet ta bëjnë sa më funksional e që ia vlen të kurorëzohet, gjegjësisht të njihet si shtet nga ato shtete që ende nuk na kanë njohur. Ndërsa, në shtetet ku kemi ambasada duhet të tregohemi sa më të kujdesshëm duke i kryer punët me dinjitet, që në mendjet e shteteve që na kanë njohur mos të thuhet e kundërta!

Sipas konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, në artikullin 3 thuhet:

(a) ambasadori prezanton shtetin dërgues në shtetin pranues,

(b) mbron shtetin dërgues dhe interesat e qytetarit në shtetin pranues, me kufizimet e imponuara nga ligji ndërkombëtar,

(e) promovon lidhje të miqësisë ndërmjet shtetit dërgues dhe shtetit pranues, thellon marrëdhëniet ekonomike kulturore dhe në fushën e shkencës.

Disa nga ambasadorët tanë përveç sjelljeve rrugaçe që bëjnë në vendet ku janë të emëruar, ata veprojnë kundër thënies së Wottonit! Ndoshta edhe ju kujtohet rasti në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, kur ambasadori i Shqipërisë në Suedi tha: “Ismail Kadare nuk e meriton çmimin Nobel për letërsi.” Të gjithë mirëdashësit e letërsisë e dinë se Kadare është propozuar më shumë se tri herë për këtë çmim, mirëpo urrejtja personale e ambasadorit ndaj Kadaresë e bëri atë që të harrojë profesionin që ia kishte besuar shteti shqiptarë me mbi tre milionë banorë. Në vend që të merrej me interesat shtetërore që ishin të shumta në kohën kur Shqipëria sa kishte filluar të shkundej nga regjimi totalitar, ai zbrazi skizofrenin personale, duke e shkelur edhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Në shtete të mirëfillta demokratike ku punojnë ambasadorët tanë, ligjet respektohen dhe praktikohen. Mbi ligjin nuk është askush. Ata ndoshta do kenë dëgjuar e lexuar se shpesh herë polici i trafikut ka dënuar mbretin, princin e kryeministrin, sepse nuk i kanë respektuar rregullat e trafikut. Me këtë rast polici i tërheq vërejtjen pushtetarëve se përveçqë nuk i kanë respektuar rregullat e trafikut, ata kanë rrezikuar jetën e tjerëve. Duhet kuptuar që ligji dhe njeriu nuk janë vetëm fjalë: njeriu dhe ligji janë vlera dhe praktikë barazie në shtetet me demokraci te konsoliduar.

Imunitetin diplomatik nuk duhet kuptuar si privilegj personal, por si ligj që është rregulluar përmes konventave ndërkombëtare, ku shtetet që prezantohen me anë të ambasadave kanë të njëjtat ligje shtetërore në territoret e shteteve pranuese – pothuajse si në shtetin e vet.

Sjelljet e ulëta të disa diplomatëve kosovarë dëshmuan një pasqyrë të keqe të shtetit tonë. Imuniteti diplomatik u përfill si mbrojtje nga një babai sovran, ku djali i sovranit është mbi ligjin.