LAJMI I FUNDIT:

Alfred Trebicka: Artisti sot mendon vetëm për bukën e gojës…

Alfred Trebicka: Artisti sot mendon vetëm për bukën e gojës…

Me një aktivitet të vlerësuar artistik, profesori Alfred Trebicka pohon se artistët punojnë jo pak, por mungon vullneti për të zgjidhur problemet e teatrit.

– Jeni aktiv në skenën e teatrit. Ky vit, si e gjen teatrin?


Ne si artistë kemi krijuar një lloj familjariteti me problemet e teatrit shqiptar. Në momentin kur teatri nuk do ketë më, do na fillojnë pastaj problemet. Kur themi probleme për teatrin, ajo që është më shqetësuese mungon vullneti për t’i dhënë atë që meriton teatrit shqiptar.

– Kur pohoni se mungon vullneti për teatrin, çfarë duhet bërë?

Teatri meriton vëmendje, mbështetje, vlerësim nga shteti. E kemi thënë dhe herë të tjera, por askush nuk bën gjë dhe në këtë situatë nuk ndryshon asgjë. Vlerësimi i teatrit në aspektin financiar, si dhe i çdo lloj arti tjetër në vend nuk është në pikën që t’i pasurosh njerëzit e artit, artistët, por është vlerësim dhe është dinjitet. Më pas ndodhin fenomene të tilla, që kur vdesin artistët fillojmë dhe flasim dhe i nderojnë.

– Kjo situatë si ndikon?

Unë kam thënë vazhdimisht dhe këmbëngul që për struktura siç është vendi ynë, nëse nuk ka vullnet politik për ta mbështetur artin dhe kulturën, nuk ka zhvillim të tyre. Kjo sepse ne nuk jemi vend që të presim nga zhvillimet apo format private për teatrin apo artin në përgjithësi, nëse nuk ka vullnet nga institucionet mëmë – që me këtë kuptoj Ministrinë e Kulturës.

– Një nga çështjet e diskutuara ka qenë dhe mungesa e konsultimit me artistët nga Ministria e Kulturës, qoftë për projektligjin apo dhe të tjera probleme. Ju si e gjykoni?

Nga Ministria e Kulturës nuk ka pasur dhe as nuk ka takime me artistët për këto probleme. Unë vetë mbaj mend vetëm para pesë vitesh kur erdhi ministrja Kumbaro dhe bëri takime atë kohë. Më pas asgjë nuk u bë më; nuk u fol më për konsultime. Por, mendoj që për çfarë po ndodh me jetën artistike, ligji që diskutohet, duhet të kishin zhvilluar me kohë takimet me artistët për problemet.

– Nga dramaturgët kërkohet një festival i dramës shqipe. Për ju mungesa e një festivali të tillë çfarë sjell?

Është folur për dramën shqipe që mungon në skena. Flitet për shumë gjëra dhe po të shikosh shkresat ato ekzistojnë si ide apo si iniciativa. Problemi qëndron çfarë është bërë konkretisht? Tek ne këto që bëhen janë festivale sporadike. Ne sot nuk kemi një festival si duhet, sepse kërkon para. Nuk bëhet festivali i teatrit me forma vullnetare.

– Sa shqetësuese është për ju dhe mungesa e qarkullimit të shfaqjeve teatrore në skena të ndryshme?

Gjërat dhe problemet vijnë zinxhir. Arti, teatri ka probleme pa fund. Kjo është e thënë prej vitesh dhe vazhdon, sepse nuk ka vullnet nga lart për teatrin dhe artin. Të shkojë një shfaqje në tur kërkon buxhete, kur nuk funksionojnë gjërat bazike në teatër, atëherë çfarë do presim. Artisti sot vlerësohet minimalisht. Që në momentin që në komunitetin teatror, siç kam dëgjuar, filloi të përdorej termi buka e gojës, ka marrë fund kjo punë. Të diskutojë artisti bukën e gojës, çfarë të themi? Thonë artistët në 2018, aman mos na heqin bukën e gojës. /Julia Vrapi/SOT/