LAJMI I FUNDIT:

Aktori Spahiu kujtohet me pietet nga kolegët

Aktori Spahiu kujtohet me pietet nga kolegët

Në Teatrin Kombëtar u mbajt mbledhje përkujtimore në kujtim të aktorit të njohur Ahmet Spahiu, i cili vdiq sot në orët e hershme të mëngjesit në moshën 82 vjeçare. Me këtë rast, kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë e vlerësuan lart personalitetin si dhe kontributin e tij për zhvillimin e artit skenik në Kosovë

Holli i Teatrit Kombëtar të Kosovës sot kishte marr një ngjyrim tjetër. Rreshta të familjarëve të ulur me fytyra të mërzitura dhe sy të përlotur ishin para arkivolit me trupin e pajetë të aktorit Ahmet Spahiut.

Më tutje përballë, qëndronte fotografia e tij me një shirit të zi, dy qirinj të ndezur dhe një tufë me lule të bardha. Dhe, para tyre një fletore ku në të kishin filluar të shkruheshin përshtypjet.


Mbledhja përkujtimore filloi më dokumentarin e realizuar nga televizioni publik, ku aktori më herët kishte rrëfyer mbi jetën dhe veprimtarinë e tij. Shumë lot u derdhen dhe shumë ofshama dhimbjeje dolën nga të pranishmit të cilët dhimbja e humbjes së familjarit të tyre i kishte dërmuar.

Në emër të bashkëpunëtorëve të aktorit të ndjerë, fjalë rasti mori Leze Qena.

“Ai na ka dashur shumë dhe ne e kemi dashur gjithashtu, që nga momenti i ardhjes së tij në Prishtinë”, tha ajo.

Në emër të familjarëve, të aktorit të ndjerë Ahmet Spahiut, fjalën e mori i biri i tij, Bujar Spahiu.

“Të nderuar artistë, të nderuar pjesëmarrës. Pas dokumentarit dhe pas fjalimit të Lezes, mua më mbetet shumë pak për të thënë. Përshtypjet e mia që ai m’i ka lënë, kanë qenë ngushtë të lidhura në një gjeneratë ku të gjithë kanë qenë shumë të shoqëruar mes vete, kanë qenë bashkëpunëtorë që e kanë dashur punën. Profesionalizmi dhe talenti që e kanë pasur, ka bërë që në atë kohë aq të vështirë të arrijnë suksese. Shoqëria e bashkëpunimit profesional dhe afërsia që kanë pasur uroj që të përcillet edhe tek gjeneratat e reja të artistëve”, tha i biri i të ndjerit. /KultPlus/