LAJMI I FUNDIT:

Aksion për t’u zmbrapsur apo…?

Është shumë e natyrshme që shteti ta ketë kontrollin në të gjithë territorin e vetë. Cilido nga shtetet e Evropës, por edhe më larg, do ta ndërmerrte një hap të tillë që të ishte tamam sovran dhe ta ndalonte të keqen atje nga kontrabanda me mallra në kufijtë e vet, në mënyrë që të mund të zhvillohej ekonomikisht. Kosova, që nga 17 shkurti i vitit 2008 është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, dhe nuk ka kuptim që të vazhdohet me situatën e njëjtë që ishte prej vitit 1999 e gjer më sot. Por, si u bë që të intervenohet pikërisht tani kur Kosova pa vullnetin e qytetarëve po negocion me Serbinë për, siç thuhet, “çështje teknike”, sa është serioz ky intervenim dhe cili është qëllimi?

Intervenimi i institucioneve të Kosovës në veri dhe përpjekja për t’i marrë nën kontroll pikat doganore 1 dhe 31 nuk na befasuan aspak neve qytetarëve, ngase kjo pritej doemos të ndodh një ditë, në mënyrë që ta shtrijmë sovranitetin kudo që i themi tokë e jona.

Derisa Qeveria e Kosovës në Prishtinë me pompozitet po deklaron se situata në veri tashmë është nën kontrollin e shtetit dhe se Policia e Kosovës dhe KFOR-i janë aty, situata atje nuk është edhe bash si thuhet, kur dihet botërisht se e gjithë ajo pjesë është e bllokuar nga serbët, madje edhe me snajperë, të cilët janë të vendosur në të dyja anët e kodrave. Në media ka lajme të ndryshme që na transmetohen të njëjtat për dy ditë rresht. Është interesante se në një televizion dëgjojmë që situata atje vërtet është e qetë dhe nën kontrollin e shtetit, ndërsa një tjetër alarmon për gjendje të rëndë e te tensionuar. Këtë lajmin e parë që atje gjithçka është perfekt e dëgjojmë më shumë në RTK.


Është krijuar një huti tek qytetarët rreth asaj se çka konkretisht po ndodh atje, por nuk e di nëse është e qëllimshme kjo. Kryeministri Thaçi thërret konferenca për media, na shfaqet aty si njëri nga të vetmit që ka dëshirë dhe po punon që ta vendos rendin dhe ligjin edhe në atë pjesë të vendit që ishte jashtë kontrollit shtetëror, dhe ku po zhvillohej krimi e kontrabanda. Flet me tone të ashpra kundër EULEX-it, ndërkohë që e mbajmë mend shumë mirë se para tri vitesh urdhëronte policinë që të arrestoheshin aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që kundërshtonin ardhjen e këtij misioni. Përvetëson pa ndonjë arsye gjithçka që ndodh në Kosovë, dhe na reciton gjithë ditën poezinë e shkurtër me një varg se “nuk ka kthim prapa”.

Ndërkohë që situata në terren është krejt ndryshe. Thjesht, me veprimet e fundit të Qeverisë, Kryeministri Thaçi po mundohet të tregohet disi i vendosur, por pa qenë i tillë dhe i qartë në atë se çka po bën në veri të vendit. Dihet se e gjithë kjo situatë filloi në natën e 25 korrikut kur me një vendim të Qeverisë së Kosovës njësitet speciale të Policisë së Kosovës ishin urdhëruar që t’ua mësyjnë drejt pikave doganore 1 dhe 31 për t’i vënë kontrollin shtetëror, meqë ishin pikërisht këto dy vendkalime kufitare nëpërmjet aktiviteteve të të cilave nuk po mund të zbatohej vendimi i reciprocitetit për të ndaluar mallrat që hynin në vendin tonë me vulë dhe etiketa të Serbisë.

Krejt kjo nisi vrullshëm me xhirime të papara televizive, ku shfaqej njësia speciale atje. Me të drejtë filloi ky aksion dhe u bë lajm i vetëm në media, duke i gëzuar pa masë gjithë qytetarët e vendit dhe padyshim edhe spektrin politik pozitë-opozitë që e përshëndetën aksionin dhe ofruan ndihmën e tyre në aspektin politik, moral e shoqëror që punës së nisur t’i shkohet deri në fund. Vrasja e policit të njësisë speciale Enver Zymberi nga strukturat paralele të Serbisë, ishte një humbje e madhe për familjen e tij, Policinë e Kosovës dhe të gjithë neve.

E, në vend se të shkohet tutje, të nesërmen sikur ndërroi diçka dhe dëgjuam atë që nuk do të duhej të ishte ashtu: tërheqjen e policisë speciale dhe marrëveshjen e tyre me KFOR-in që të kujdeset për atë pjesë. Policia e Kosovës u largua nga të dyja vendkalimet kufitare duke i lënë ato nën mëshirën e serbëve të organizuar e të rebeluar si kurrë më parë që edhe i vunë flakën pikës 1 në Jarinjë, ndërsa pjesërisht dëmtuan edhe pikën 31 në Bërnjak. Pra, kjo ndodhi vetëm pak kohë pasi Qeveria e Kosovës dhe Hashim Thaçi çuditërisht shpallin si të “suksesshëm” aksioni e Policisë, duke e quajtur atë madje edhe të përfunduar.

Nëse për Thaçin qëllimi ishte vetëm të bëhej një vizitë rasti në atë pjesë, dhe atë përmes shfrytëzimit të helikopterëve të KFOR-it, del që paska qenë vetëm sa për sy e faqe dhe jo për atë që thuhet, por thjesht një spektakël që mendon se do t’i bëjë punë në ngritjen e imazhit të humbur si personalitet politik.

Nga kjo që po shohim e dëgjojmë deri më tani nuk ka vend që të vetëkënaqemi për faktin se puna nisi, por nuk po ecën si duhet, duke pas shumë paqartësi nëse do të përfundojë si duhet ose do të shkohet në negociata me Serbinë enkas për veriun e Kosovës e për ndonjë status special atje. E për këtë, Qeveria në Prishtinë po shprehet e gatshme që sërish të ulet në bisedime, dhe atë prapë me Borislav Stefanoviqin, i cili u pa hapur se ishte organizator me urdhra nga politika zyrtare e Beogradit për destabilizim të situatës dhe djegies së pikës 1 në Jarinjë. Kjo sigurisht që nuk duhet dhe nuk guxon të ndodh, meqë aksioni i datës së 25 korrikut do ta humbte kuptimin në tërësi dhe, për më keq, do të ishte në kundërshtim të plotë me rënien e policit Enver Zymberi dhe shumë dëshmorëve përgjatë rrugëtimit tonë për liri e vetëvendosje.

Mbase historia e politikanëve shqiptarë na bën të mos ndjehemi edhe shumë të sigurt, sepse jemi mësuar t’i shohim shumë servilë në raport me ndërkombëtarët, duke ngelur gjithmonë në gjysmë të rrugës. Tani këtyre ndërkombëtarëve duhet t’u themi qartë se nëse dëshirojnë të na ndihmojnë dhe të nxirren paksa nga gjynahet që kanë bërë me ne shqiptarët përgjatë shekullit të kaluar e gjerë më sot, e kanë rastin tani. Duhet t’u tregojmë që parimi i reciprocitetit në drejtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare është një proces normal të cilin mund ta bëjë çdo shtet kundër një tjetri. E, nëse nuk janë në pajtim me të, atëherë i lusim që të mos na pengojnë në rrugën tonë që të bëhemi shtet normal.

Ndërkohë, EULEX-it duhet t’i themi shumë hapur që t’i mbledh valixhet, meqë nuk po na duhet fare dhe nuk kemi nevojë për leksione të tyre. Ndërsa vendësit një herë e mirë le të bëhen seriozë, t’i bëjnë sytë katër dhe t’u qasen gjerave për së mbari, pa dëgjuar shumë çka na thonë të tjerët, kushdo qofshin ata, kur është në pyetje vendi ynë, e mos të bëhen ndjellakeq, siç bëri Ministri i Jashtëm i Qeveris së Kosovës, Enver Hoxhaj, kur tha se “ndarja e Kosovës mund të bëhet realitet”.

Ajo që nisi më 25 korrik të mos mbetet vetëm në formën deklarative ose të mos ketë nuanca të zhvendosjes së vëmendjes së qytetarëve nga keqqeverisja dhe hajnitë e mëdha që po bënë kjo Qeveri në nivelin qendror dhe në atë lokal.

Marrëveshja që bëri KFOR-i me kryenegociatorin serb, Borislav Stefanoviq, për veriun ka për qëllim tjetërsimin e masave reciproke që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Në këtë marrëveshje 3 pikëshe që nuk bënë të pranohet nga institucionet tona, thuhet se kamionët nga Serbia mund të hyjnë me peshë deri në 3.5 tonelata me ushqim për banorët në veri. Kjo i bie që mallrat serbe më nuk do të hyjnë në Kosovë me maune, por me mjete transportuese më të vogla, duke u arsyetuar që kjo do të bëhet vetëm për ndihma humanitare.

Të shpresojmë, por mbi të gjitha, të angazhohemi që veprimet në veri të Mitrovicës të ecin drejt rrugës të cilën e duam të gjithë: shtrirjen e sovranitetit edhe në atë pjesë të vendit që të mund të themi se njëmend jemi shtet i pavarur e sovran. Lëshimi pe nga e drejta jonë do të na kthejë në një gjendje më të keqe dhe shumë më mbrapa se 25 korriku.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori