LAJMI I FUNDIT:

Agani i kërkon Ferronikelit respektimin e lejes mjedisore

Agani i kërkon Ferronikelit respektimin e lejes mjedisore

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Ferid Agani, së bashku me zëvendësministrin Ferat Shala, kanë pritur në takim menaxhmentin e kompanisë “Ferronikeli”, me të cilët biseduan për implementimin e standardeve dhe kritereve të dala nga leja e integruar mjedisore, e lëshuar nga MMPH-ja.

Ministri Ferid Agani, para menaxhmentit të kësaj korporate dhe drejtorit të saj, Konstantine Rizopoulos, ka ngritur shqetësimet për deponinë e mbetjeve metalurgjike dhe nevojën për rehabilitimin e minierës së eksploatuar në fshatin Çikatovë.

Po ashtu ministri Agani, kërkoi nga drejtuesit e “Ferronikelit” që të rrisin investimet në ruajtjen e mjedisit, të rrisin hapësirat e gjelbëruara në kufi me vendbanimet, të zvogëlojë emisionet brenda kritereve, si dhe të vazhdojnë investimet në impiantin për trajtimin e ujërave atmosferik që rrjedhin nga parku industrial.


Të dy palët u dakorduan që të krijohet një trupë e përbashkët profesionale të udhëhequr nga inspektoriati i MMPH-së, që në baza mujore të kenë takim konsultativ dhe vlerësime për gjendjen në mjedis.

Në bazë të këtyre konstatimeve do të nxjerren edhe rekomandimet për kompaninë industriale “Ferronikeli”.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, por edhe mbarë menaxhmenti i saj, mbesin të përkushtuar në ruajtjen e mjedisit dhe se siguron qytetarët që ndaj çdo operatori që nuk i përmbahen kushteve dhe kritereve të parapara, do të merren masa ndëshkimore dhe se një gjendje e tillë nuk do të tolerohet. /Telegrafi/