LAJMI I FUNDIT:

A ta quajmë kulturë…

Çdo ditë shohim lajme dhe dëgjomë se kultura identifikohet si, art, letërsi, apo muzikë, dhe në televizionet, në rubrikën e kulturës shikojmë artistët, qofshin këta poetë ose piktorë duke promovuar veprat e tyre. Gjithashtu shikojmë edhe këngëtarë duke shfaqur suksesin e tyre të këngëve. Por çka është në të vërtetë kultura?

Kultura te shkencëtarët e shkencave shoqërore definohet si, prodhimi i mendjes dhe i dorës së njeriut si nga aspekti shpirtërorë dhe ai material me vlerat dhe normat e veta.


Pra nga përkufizimi i mësipërm kuptuam që çdo gjë që ka prodhuar dora e njeriut dhe mendja e tij në përgjithësi është kulturë. Për rrjedhojë kultura paska lindur atëherë kur njeriu ndërmori veprimin për bërjen e veglës apo diçkaje tjetër që jetën t’ia bënte sa më të rehatshme. Kuptuam që Kultura ka lindur atëherë kur njeriu bëri sendin e parë, pra me bërjen e sendit të parë, lindi edhe vet kultura dhe çdo gjë tjetër që njeriu ka bërë më vonë është kulturë. Sepse ajo u bë nga vet ai, nga ideja dhe nga dora e tij. Në këtë kontekst çdo vepër që bënë njeriu është kulturë. Por me kalimin e kohës, kur njeriu filloi t’i përsosë aftësitë e tij dhe me njohjen sa më shumë të botës e cila e rrethonte. Ai filloi t’i klasifikonte gjërat, të lindnin sende të reja, ku secila përvojë me kalimin e kohës u përsos dhe bëri ndarjen dhe profilizimet në çdo punë.

Me fillimin e historisë së njeriut, njeriu arriti të manovrojë dhe të manipulojë me mendjen e tij duke krijuar kështu ide. Më vonë këto ide morën forma të ndryshme, të cilat u realizuan edhe në vepra dhe derisa puna e tij u shpërblye në mënyrën e të jetuarit dhe të përsosej vazhdimisht. Kështu gjatë kalimit të shekujve njeriu filloi të njohë gjërat më mirë, filloi t’i studioj ato se si ndodhnin gjerat në natyrë. Duke kuptuar natyrën dhe vendin përreth arriti të kupton se si ajo zhvillohej dhe se çfarë rregullash kishte. Por ajo çka është më e rëndësishme, ishte se si ai të mbijetonte dhe të bënte një jetë sa më normale, dhe kështu me kalimin e kohës, ideoi forma të ndryshme të objekteve të cilat i nevojiteshin atij për të gjuajtur, në mënyrë që të ushqehej dhe kështu jeta do të ishte edhe më e lehtë për të.

Me kalimin e kohës filluan zanatet e para dhe secili njeri u përcaktua për atë që ishte me i aftë, pra në fillim erdhi gjuetia, pastaj njeriu arriti të zbuste kafshët dhe t’i mbante ato për vete dhe kështu u formua blegtoria, siç ishte shumimi i kafshëve shtëpiake. Njeriu i asaj periudhe merrej me kullosjen e tyre që, më vonë të merrte nga ato përfitimet gjatë përkujdesjes së tyre që harxhonte kohë edhe mund. Pra njeriu në fillim jo vetëm që merrej me përsosjen e gjërave të domosdoshme për mbijetesë, por gjithashtu njëkohësisht formoi edhe rite, zakone, norma të cilat ishin të nevojshme për kalimin e jetës dhe për mirëmbajtjen e rregullit dhe rendit fisnor të asaj kohe. Kështu si pasojë çdo fis kishte kulturën e vet me rite dhe zakone të ndryshme. Me normat të cilat legjitimoheshin si vlera nga të parët e fiseve dhe më vonë këto pasoheshin brez pas brezit. Por që kishte ndryshime të vogla të njëpasnjëshme të cilat rivlerësoheshin nga anëtarët e fiseve.

Pas epokës së fiseve dhe shtimit të të ardhurve kohë pas kohe, filloi nevoja për tregti që rezultoi me formimin e vendbanimeve të mëdha. Ku secili fis dhe familje me kalimin e kohës morën nga kulturat e njëra-tjetrës duke i dhënë formë një kulture më të përgjithshme që do t’i përfaqësonte të gjithë njerëzit në ato vende. Më vonë këto vendbanime u bënë qytet e para, ku secili qytet identifikoheshe me kulturën e vet. Këto qytete sollën edhe formimin e shoqërisë, si pasojë secila shoqëri kishte kulturën e vet. Giddensi ne librin e tij “Sociologjia” kur flet për kulturën ndër të tjerash thotë: “Asnjë kulturë nuk mund të ekzistojë pa një shoqëri. Por po ashtu, asnjë shoqëri nuk mund të ekzistojë pa një kulturë”. Pra kultura qenka shumë e lidhur më shoqërinë dhe asnjëra nuk mund të mbijetojë pa tjetrën. Sepse çdo shoqëri zhvillon forma indetifikuese për t’u dalluar nga njëra tjetra.

Spanjollët kur shkuan për herë të parë në kontinentin Amerikan dhe kur i panë indianët e Amerikës u befasuan me ta, nga mënyra se si ishin veshur dhe se çfarë botëkuptimi kanë për jetën. Sa që mendonin se ishin krijesa të egra që më shumë kishin lidhje me kafshët se sa me njerëzit. Po ashtu edhe anglezët kur shkuan në Kinë për tregti, kinezët i quajtën barbarë dhe se nuk kishin nevojë për mallin e tyre, sepse mendon se ajo që kishin u mjaftonte boll. Gjithashtu kemi edhe ndarje më të mëdha të kulturës, ajo perëndimore dhe lindore, në të cilat shohim diversitete kolosale midis tyre. Këto ndarje të mëdha kulturash ku edhe njerëzit shihen ndryshe nga njeri tjetri, jo vetëm ata, por dhe veprimet që bënin si ritet fetarë, apo normat shoqërore, gjithashtu edhe ushqimet që hanin shikoheshin me një sy habitor. Pra ishte këndvështrim që ishin mësuar njerëzit me kulturën e tyre dhe mosinformimi për botën që e rrethon me shumëllojshmërinë e saj, bëri që kultura në ato kohë të ishte ajo që tua jepte definicionin e gjërave që njerëzit nuk i njihnin duke krijuar steriotipe dhe paragjykime, si ato racore, zakonore, fetare dhe më vonë nacionaliste.

Nuk do të thotë që një popull ka kulturë të ndryshme nga ne dhe t’iu veshim atyre emra nga më të ndryshëm, ose të flasim me përbuzje për ta. Sepse pozita gjeografike në të cilën ata ndodhen rrethanat kohore dhe ndryshimet e vazhdueshme të cilat ndodhin rëndom përditë, bëjnë që popujt e ndryshëm të kenë kultura të ndryshme, të cilët ua trashëguan paraardhësit e tyre, por që vazhdimisht ndryshohen. Por ky ndryshim nuk është i tërësishëm dhe nuk mund të jetë asnjëherë, ngase rrënjët ruhen dhe traditat gjithashtu dhe vlerat të cilat ato kanë. Duke vendosur si përfundim normat përcaktuese për shoqërinë në përgjegjësi. Normat e shoqërisë ishin dhe janë ai matësi që përcaktuan vlerat dhe kulturat e të tjerëve. Nëse ky përcaktues udhëzohet mirë normalisht që edhe matjet e shoqërive të tjerave do të bëhet ashtu siç duhet. Normalisht që gjithmonë ka vend për gabime, por mbetet tek ne të jemi ata që do të dinë mirë t’i llogarisin gjërat dhe t’i vlerësojnë ato ashtu si duhet në të vërtetë.