LAJMI I FUNDIT:

A egziston bashkëshortësia bashkëkohore kosovare?

A egziston bashkëshortësia bashkëkohore kosovare?

Çështja e bashkëkohores në marrëdhënie shoqërore është vështirë të përcaktohet për arsye se lëvizjet shoqërore në përgjithësi zhvillohen në luftën e shpeshtuar ndërmjet asaj që është e tejkaluar dhe asaj që është dominonte.

Mr. Sci. Enver Çesko
Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive
tel. 044 113 376
ekipsiko@yahoo.com
www.enver-psiko.com

Në shkencat natyrore, në mënyrë të saktë mund të përcaktohet kufiri ndërmjet të vjetrës dhe të resë e modernes. Kjo mund të vërtetohet me anë të fakteve praktike, si dhe me anë të rezultateve të shumta të arritura, sepse atë që është e re dhe moderne e paraqesin rezultatet shkencore, ndërsa në shkencat shoqërore e vjetra dhe e reja shkojnë gjithmonë në hap njëra me tjetrën. Për të pranuar diç si e re dhe e mirë duhet ta arsyetoj koha.


Zhvillimi i marrëdhënieve bashkëshortore dhe familjare ka kaluar nëpër transformime të shumta, duke filluar prej familjeve më primitive të një gjaku, e atyre të quajtura punaluane, dhe deri te familja dhe bashkëshortësia e kohës së sotme të quajtur monogame. Familja dhe bashkëshortësia e sotme monogame në esencë, deri më tash, paraqet formën më të përsosur dhe më bashkëkohore.

Në familjen dhe bashkëshortësinë monogame, ekzistojnë dy forma themelore. Forma e parë është familja matriarkale ku rolin dominues, ka gruaja, gjegjësisht nëna, kurse forma e dytë është familja patriarkale në të cilën rol dominues ka mashkulli gjegjësisht babai.

Këto dy lloje të familjeve dhe të bashkëshortësisë, për kohën e sotme janë të tejkaluara për arsye, se tani as femra e as mashkulli nuk mund të marrin në tërësi zotësinë në duart e veta, apo më mirë të themi asnjëri prej tyre nuk dëshiron të merë përgjegjësinë për situatën e krijuar. Në kushtet tona, më tepër janë prezentë format patriarkale të marrëdhënieve familjare dhe bashkëshortore, se sa ato matriarkale, sepse, edhe sot kërkohet që mashkulli të jetë "zot shtëpie ". Janë të pakta ato familje dhe bashkëshortë që karakterizohen me formën e marrëdhënieve matriarkale, ku roli i gruas ndaj burrit është dominues. Prandaj, nëse femra, gjegjësisht bashkëshortja është, "zot shtëpie", atëherë, në shoqëri, krijohet bindja e gabueshme se bashkëshorti i saj është i "dobët", nuk mund të mbisundojë mbi bashkëshorten, është i paaftë e të tjera.

Një formë tjetër, e familjes apo më saktësisht, e bashkëshortësisë, që zanafillën gjen në vitet 70-80, është e vet quajtura ‘bashkëjetesa’. Kjo formë, në kuptim sociologjik nuk e përfshin konceptin të quajtur familje apo bashkëshortësi, por pasi që dy persona me marrëveshje të metalizuar, pranojnë të funksionojnë në mënyrë partnerore në të gjitha sferat e jetës së përbashkët, ata me vet-dëshirë vendosin edhe për fëmijë.

1. Kriteret mbi bashkëkohoren

Parashtrohet pyetja se çka është bashkëkohore në marrëdhëniet ndërmjet mashkullit dhe femrës. Në vazhdim do të japim konceptet personale për gjetjen e konceptit për vet termin bashkëkohor, e pastaj, nga vet koncepti, do të mundohemi të gjejmë atë se çka është bashkëkohore në bashkëshortësi.

Për të përcaktuar konceptin, bashkëkohor, më parë duhet flasim për krijimin e kushteve qenësore për kultivimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve bashkëkohore midis gjinive. Nuk mund të konsiderohet diç bashkëkohore nëse për këtë nuk ekzistojnë kushtet.

Së pari duhet të zhvillohet koncepti për qëndrimi për bashkëkohoren, që nënkupton se duhet bëhen dallimet themelore ndërmjet bashkëkohores dhe jo bashkëkohores. Kjo do të thotë se duhet të mendohet në mënyrë bashkëkohore, duhet të krijohen kushtet materiale për ndërtimin e marrëdhënieve bashkëkohore midis gjinive dhe duhet të edukohemi e të arsimohemi në frymën bashkëkohore të zhvillimit të mbërritjeve të tjera shkencore dhe teknologjike.

Së dyti, duhet të sigurohen kushtet optimale ambientale për zhvillimin bashkëkohor të marrëdhënieve midis gjinive. Në këtë grup bënë pjesë rregullimi i çështjes banesore për të gjithë anëtarët e familjes, pastaj vendi për argëtimin e obliguar të fëmijës, si dhe pajisjet për sport e rekreacion.

Së treti, duhet të sigurohet siguria ekonomike për funksionimin bashkëkohor të bashkëshortësisë dhe familjes. Ky element kërkon sigurimin material dhe së paku stabilitetin e pavarësisë ekonomike te të gjithë anëtarëve të familjes.

Së katërti, duhet të kultivohen marrëdhëniet të barabarta ndërmjet gjinive, që nënkupton eliminimin e dallimit edhe më të vogël midis mashkullit dhe të femrës në frymën e kultivimit të marrëdhënieve humane ndërmjet gjinive. Format e deritashëm të matriarkatit dhe të patriarkatit duhet të zëvendësohen me marrëdhënie biarkale, ku raportet dhe marrëdhëniet midis partnerëve duhet të jenë plotësisht të barabartë.

Së pesti, të dy partner, duhet të lirohen prej të gjitha paragjykimet të mëparshme në marrëdhëniet seksuale. Bashkëshortët nuk duhet t‘u shmangen veprimeve që i kënaqin dhe i emocionojnë. Në marrëdhëniet seksuale asgjë nuk është e ‘pandershme’ apo e marrshme, nëse ato marrëdhënie bashkëshortëve i bënë të kënaqen, e jo që marrëdhëniet seksuale të pranojnë si obligim në jetën e tyre bashkëshortore.
Këto janë disa koncepte personale në ecurinë e transformimit të gjithmbarshëm të bashkëshortësisë. Se çka në të vërtet është bashkëkohore në bashkëshortësi, në vazhdim do të elaborohet.

2. Modeli i bashkëshortësisë bashkëkohore

Është vështir të bëhet përcaktimi i një modeli të pranueshëm për çdo kënd, sepse karakteristikat themelore të bashkëshortësisë dhe i familjes bashkëkohore për dikë mund të jenë të pranueshme e për dikë jo, për dikë mundë të jenë bashkëkohore e për dikë bizare.

Çdo bashkëshortësi konsiderohet bashkëkohore nëse bashkëshortët mendojnë se vet janë bashkëkohore, si në koncepte, mendime, veprime, gjykime ashtu edhe në trajtime ndaj çfarëdo problemi, konflikti, apo veprimi, ku sjellja e tyre vetvetiu nënkupton qasje bashkëkohore në jetën bashkëshortore.

Sikurse tradicionalizmi, që është gjithmonë tradicionale, ashtu edhe bashkëkohorja pretendon që gjithmonë të jetë bashkëkohore. Mirëpo, një gjë është plotësisht e sigurt, personi bashkëkohor, mund të jetë bashkëkohor, vetëm nëse ka liri shpirtërore dhe respektim të drejtave dhe lirive të njeriut.

Është shumë e papëlqyeshme të thuhet se një çift bashkëshortor është bashkëkohor e tjetri jo. Problemi i bashkëkohësisë është problem i perceptimit të qëndrimeve të vetë bashkëshortëve. Bashkëshortësia, për shembull, për dikë është jo bashkëkohore e për dikë bashkëkohore, dhe kjo varet nga qëndrimet e tyre se çka nënkupton koncepti i bashkëshortësisë bashkëkohore për të parët dhe për të dytët. Prandaj, shtrohet pyetja se çfarë duket modeli i bashkëshortësisë dhe familjes bashkëkohore.

Sërish të japim konceptin personal, si model i familjes dhe bashkëshortësisë bashkëkohore.

Së pari, të dy bashkëshortët duhet të kenë qëndrime bashkëkohore për bashkëshortësinë, për familjen dhe funksionimin e saj, për marrëdhëniet midis gjinive, për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve në frymën e jetës bashkëkohore. Të dy bashkëshortët duhet të kenë nivel të njëjtë të arsimimit apo përafërsisht të njëjtë, në mënyrë që të mund të pajtohen në qëndrimet dhe në mendimet e tyre për jetë të përbashkët. Të dytë, duhet të jenë të punësuar në mënyrë që të mos jenë ekonomikisht të varur, apo që të mund jetojnë pa pasur ndikim lëvizjet e ndryshme socio-ekonomike në shoqëri.

Në marrëdhëniet e tyre duhet të dominojë fryma e të shprehurit kreativ, logjik, real dhe të lirë të mendimeve. Që të dy bashkëshortët duhet të jenë aktiv, e po ashtu edhe të gjithë anëtarët tjerë të familjes duhet në mënyrë aktive e të lirë të vendosin për fatin e jetesës së përbashkët në familje.

Çdo anëtar i familjes duhet të ketë të drejtë të votojë për vendosjes. Asnjëri nuk ka të drejtë të flasë në emër të tjetrit, sepse në atë mënyrë do të cenohej barabarësia ndërmjet tyre. Çdo problem, që paraqitet në jetën e përbashkët duhet të analizohet në detale, dhe nëse problemi, ka të bëjë me familjen, atëherë të gjithë anëtarët e familjes duhet të marrin pjesë në zgjidhjen e tij. Asnjëherë problemi nuk duhet që të lihet anash apo ndoshta të fshihet me arsyetim se ndoshta më nuk do të shfaqet. Për problematikën e edukimit të fëmijëve, duhet të respektohen parimet dhe elementet e shkencave bashkëkohore edukative.

Fëmijët duhet t‘i edukojmë në atë mënyrë që të fitojnë njohuritë elementare për kureshtjen personale në përputhje me zhvillimin e tyre psikofizik. Problematika e ndarjes së punëve duhet të bëhet në kuadër të ndihmës reciproke të bashkëshortëve e të mos bëhet ndarja në punë që i përkasin mashkullit dhe në ato që i përkasin femrës. Në këtë frymë duhet të edukohen edhe fëmijët. Në fund, kur bëjmë fjalë për jetën seksuale bashkëshortët duhet të ndihen plotësisht të lirë, t‘i përdorin normat morale gjithnjë më të pranuar gjatë kryerjes së aktit seksual, kurse për probleme eventuale duhet të bisedojnë haptas mes veti, e nëse ka nevojë të konsultohen edhe me mjekun.

3. Dy shembuj të modeleve bashkëkohor

T‘i paramendojmë bashkëshortë që kanë shkallë superior të shkollimit dhe me të ardhura personale mesatare. Jetojnë në banesë tri dhomë dhe kanë tre fëmijë. Çdo anëtar i familjes, është i respektuar dhe mund të shprehë mendimet dhe qëndrimet e veta, e plotësojnë njëri tjetrin, konsultohen dhe vendosin për punët dhe detyrat e tyre të përbashkëta.

Çdo anëtar i familjes, si me programin e vet ashtu edhe me punën e vet japin kontribut për realizimin e detyrave të përbashkëta të familjes. Interesat janë të përbashkëta por punën e kanë individuale. Bashkëshortët nuk i kanë të ndara punët në të mashkullit dhe të femrës, çdo kush punon atë që mundet, kurse në të shumtën e rasteve punët kryhen bashkërisht duke përfshirë aty edhe fëmijë. Për vikende, festa të ndryshme dhe pushime vjetore, i kanë të përgatitura planet që më parë. Buxheti financiar i familjes është i ndarë në bazë të planifikimit ditor, javor dhe mujor.

Ekziston edhe fondi i veçantë i kursimit. Familja ka një veturë të cilën e vozitë njëri apo që të dy bashkëshortët varësisht prej nevojës apo dëshirës së tyre. Të dy bashkëshortët kanë miqtë e tyre private apo të përbashkët të cilët integrohen në tërë rrethin familjar. Janë të pavarur në kryerjen e punëve zyrtare si dhe në ngritjen profesionale. Kohën e lirë mund të kalojnë sipas dëshirës së vetë, e në të shumtën e rasteve atë ia përshtatin nevojave dhe dëshirave të përbashkëta. Përveç, kësaj, çdo njeri prej tyre kanë edhe familjet e tyre, prandaj edhe marrëdhëniet familjare i përshtatin nevojave dhe mundësive të bashkëshortëve qofshin ato individuale apo të përbashkëta.

Një çift tjetër bashkëshortor jeton në shtëpinë e vet me tre fëmijë, të cilët vijojnë shkollimin. Që të dy bashkëshortët janë të arsimuar dhe të punësuar. Kanë veturë, por vetëm bashkëshorti vozit, sepse është tepër xheloz kur bashkëshortja vozit. Në marrëdhëniet e tyre gati çdo ditë ka probleme dhe mosmarrëveshje të ndryshme.

Bashkëshorti gjithmonë e ndërprenë fjalën bashkëshortes, kështu që ajo asnjëherë nuk mund të shprehë atë që dëshiron ta thotë. Te ata nuk ekziston principi i marrëveshjes, sepse bashkëshorti mendon se gruaja gjithmonë duhet t‘i zbatojë urdhëratë e tij dhe se ajo nuk ka çka të kërkoj në bisedë me të. Buxheti i tyre financiar mezi del deri në fund të muajit, e për fondet e veçanta të kursimit as që mund të bëhet fjalë.

Sa i përket, planifikimit të vikendeve, festave dhe pushimeve vjetore, ata asnjëherë nuk merren vesh bashkërisht, porse ato planifikohen sipas dëshirës së bashkëshortit. Punët më të mëdha në shtëpi i takojnë bashkëshortes, ajo duhet t‘i bëjë të gjitha e bashkëshorti të pres gati. Atij i vjen turp dhe nënçmim t‘i kryej ato punë shtëpiake e bile edhe t‘i ndihmojë të shoqes. Për ata, nuk ekziston dalje në shoqëri për t‘u argëtuar sepse sipas mendimit të bashkëshortit, bashkëshortja nuk ka drejtë të dalë në shoqëri dhe të paraqitet para njerëzve të tjerë, ajo është e krijuar vetëm për shtëpi.

Fëmijët edukohen nën urdhëresa të nënës, babai nuk ka kohë për edukimin e tyre. Punët zyrtare janë vetëm për meshkujt, kurse femra nuk ka të drejtë të shkojë në udhëtime zyrtare. Jeta e tyre shoqërore sillet rreth vizitave farefisnore.

4. Përfundimi

Sipas të gjitha këtyre koncepteve të paraqitura, për transformimin e bashkëshortësisë dhe të familjes së industrializuar që tani për tani e karakterizon familjen dhe bashkëshortësinë kosovare, është vështirë të thuhet se ata janë edhe bashkëkohore. Është fakt i pamohueshëm se bashkëshortësia dhe familja kosovare është në transformim të gjerë të ndikimit të zhvillimeve të ndryshme shoqërore, ekonomike, shkencore, etike, kulturore dhe civilizuese të mjediseve edhe më të zhvilluara se ajo kosovare.

Duhet pranuar se popullata kosovare ende është nën ndikimin e edukatës së traditave patriarkale. Gjendjen edhe më tej e ngarkon, se baza materiale dhe emancipimi dhe punësimi i femrës kosovare është nën nivelin e çdo zhvillimi të lëvizjeve progresive të shoqërisë bashkëkohore. Pa krijimin e këtyre dy parakushteve esenciale, nuk mund të ekzistojë as familje as bashkëshortësia bashkëkohore në Kosovë.

Për ekzistimin e familjes dhe bashkëshortësisë bashkëkohore në Kosovë duhet që koha të bëjë të veten, sepse për krijimin e kushteve optimale duhet të kalojnë më së paku edhe tri gjenerata e bile edhe atëherë të flitet me një dëshirë të veçantë për familjen dhe bashkëshortësinë bashkëkohore. Tani për tani mund të flitet vetëm për një transformim të familjes fshatare në ato të industrializuar. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori