LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshjet qeveri-banka private, 200 mijë shqiptarë janë bërë klientë me detyrim

Marrëveshjet qeveri-banka private, 200 mijë shqiptarë janë bërë klientë me detyrim

Nevoja për të kufizuar qarkullimin e parasë cash në duart e qytetarëve si pasojë e problemeve që vinin në zhvlerësimin e saj, e detyroi qeverinë që të ndërmarrë masa radikale pa pyetur për pasojat.

Kështu, pas një kërkese të bërë nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga ndërkombëtarët, për kufizimin në maksimum të parasë që qarkullonte jashtë bankave, qeveria pa si rrugën më të shkurtër që ta konkretizonte këtë shembull tek vetvetja.Domethënë ajo ndërmori e para hapin për kalimin e parave të pagave të të gjithë administratës publike në rrugë bankare.

Kjo gjë solli bërjen automatikisht të rreth 200 mijë shqiptarëve, punonjës të administratës, klientë me detyrim të bankave private. Ky grup jo i vogël nëpunësish shtetërorë sot e merr pagën përmes rrugëve bankare, si pasojë e vendimeve të ndryshme dhe marrëveshjeve të qeverisë me bankat private në vend.

Deri këtu gjithçka duket në rregull. Por menjëherë pas kësaj nisën dhe problemet e para, që sot vijojnë në pafundësi. Askush nuk i ka udhëzuar nëpunësit shtetërorë për komisionet që mbajnë bankat private për çdo transaksion apo shërbim që kryejnë këta klientë “të detyruar”. Po kështu edhe problemet teknike, duke nisur që nga bankomatet, kartat e debitit, ato të kreditit, llogaritë e financave personale e deri tek kreditë automatike apo overdrafti, kanë nisur të paraqesin probleme.


Numri i shqiptarëve që përdorin kredinë automatike nga bankat është shumëfishuar gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që tregu mbetet i parregulluar dhe tërësisht jotransparent. Një gjë e tillë bëhet e ditur dhe nga të dhënat financiare të publikuara nga vetë bankat e ndryshme në vend.