LAJMI I FUNDIT:

SHBA: Rënie e tregut të shitblerjes së shtëpive

SHBA: Rënie e tregut të shitblerjes së shtëpive

Departamenti amerikan i Tregëtisë thotë se numri i shtëpive të reja të shitura ra lehtë në qershor, një shenjë e dobësimit të vazhdueshëm në tregun e shit-blerjes së shtëpive.

Por në një raport që doli sot, ky departament thotë gjithashtu se numri i shtëpive të mbetura në treg u zvogëlua, gjë që lë të kuptohet se kompanitë ndërtuese arritën të shesin disa prej tyre.

Në një raport tjetër të një grupi agjentësh të shit-blerjes së shtëpive, tregon se numri i familjeve që dorëzojnë shtëpitë pasi nuk mund të përballojnë pagesat, është dyfshuar në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vala e dorëzimit të shtëpive tek bankat për shkak të pamundësisë për të paguar kredinë e ka dëmtuar rëndë industrinë amerikane të shitblerjes së shtëpive. Si rezultat, shumë banka i kanë forcuar rregullat për huadhënien, duke e bërë më të vështirë për amerikanët që përballen me humbjen e shtëpive për të negociuar për kredi më lehtësisht të përballueshme. /VOA/