LAJMI I FUNDIT:

Komisioni Evropian pezullon ndihmat për Bullgarinë

Komisioni Evropian pezullon ndihmat për Bullgarinë

Komisioni Evropian ka pezulluar rreth 800 milionë dollarë ndihma për Bullgarinë, pas një raporti të BE-së, ku thuhej se lufta e Sofjes kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta nuk po jep rezultate. Komisioni thotë se korrupsioni dhe parregullsitë në shpenzime janë të mëdha, prandaj akreditimi i dy agjencive qeveritare që shpërndajnë fondet e Bashkimit Evropian po anulohet.

Ligjvënësi i Bashkimit Evropian, Xhofri van Orden tha sot në një intervistë për radion bullgare, se qeveria nuk ka treguar “vullnetin dhe vendosmërinë e duhur” për arritjen e rezultateve në reformat e kërkuara nga BE-ja. Ai po ashtu tha se nga të mirat për pranimin në Bashkimin Evropian nuk kanë mundur të përfitojnë njerëzit e zakonshëm.

Ndërkohë, kryeministri bullgar Sergei Stanishev e pranoi se ka probleme serioze në shumë institucione bullgare, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Por ai shtoi se ka pasur edhe hapa pozitivë muajt e fundit, përfshirë ligjet e reja për konfliktin e interesave. /VOA/