Rruga drejt autokracisë: Netanyahu po bën luftë ndaj Gazës dhe ndaj nesh – “armiqve të brendshëm”

Nga: Aluf Benn, kryeredaktor i ditores Haaretz / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Trazirat kanë pushtuar sërish rrugët e Izraelit, ndërsa mijëra protestues janë mbledhur në Tel Aviv dhe Jerusalem për të kundërshtuar përpjekjen e dyfishtë të Benjamin Netanyahut për të rindezur luftën në Gaza – duke rrezikuar jetën e pengjeve izraelite atje – dhe për të larguar nëpunësit e lartë civilë që po përpiqen të ndalin rrëshqitjen e Izraelit drejt autokracisë.
Që në orët e para të së martës, kryeministri izraelit urdhëroi bombardimin e Gazës, duke i dhënë fund një armëpushimi dymujor me Hamasin dhe duke vrarë qindra palestinezë në mes të Ramazanit.
Ishte një befasi shkatërrimtare taktike. Por, nuk ishte e papritur apo e paralajmëruar. Netanyahu dhe udhëheqësit e rinj ushtarakë, të emëruar nga ai, e kanë bërë të qartë synimin për të rifilluar luftën me qëllim “shkatërrimin përfundimtar të Hamasit” dhe “parandalimin e çdo kërcënimi të ardhshëm nga Gaza”. Ata refuzuan marrëveshjen e janarit, e cila parashikonte përfundimin e luftimeve në këmbim të lirimit të 59 pengjeve izraelite dhe të huaja të mbajtura në Gazë – që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.
Administrata Trump i ka dhënë Izraelit një dorë të lirë ndaj palestinezëve. Donald Trumpi madje ka formuluar objektivin: zhvendosjen e më shumë se dy milionë banorëve të Gazës dhe kthimin e rrënojave në resorte buzë detit. Ideja e tij u prit pothuajse si ndërhyrje hyjnore nga e djathta ekstreme izraelite, e cila prej dekadash ka mbrojtur “transferimin” e arabëve nga territoret e pushtuara. Ajo që dikur shihej si një ide ekstremiste dhe e margjinalizuar, tani është kthyer në politikë amerikane që është maskuar si një “zgjidhje njerëzore”, ndërkohë që në realitet do të përbënte një krim lufte. Pasi u shpreh nga Trumpi, kjo ide gjeti mbështetje të gjerë në mesin e shumicës hebraike të Izraelit si një ndëshkim i merituar për masakrën e 7 tetorit.
Deri më tani, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nuk kanë dhënë urdhër të qartë për spastrimin etnik të Gazës nga palestinezët. As kanë drejtuar rezervistët e forcave tokësore drejt një fushate okupimi. Sulmi i së martës u paraqit si një goditje ndaj përpjekjeve të Hamasit për t’u riarmatosur dhe ndaj organeve të tij drejtuese, duke shënjestruar disa zyrtarë civilë të tij dhe anëtarë të familjeve të tyre.
Megjithatë, Trumpi, Netanyahu dhe zyrtarë të lartë izraelitë kanë kërcënuar Hamasin me “ferr”. Ministria izraelite e Mbrojtjes ka krijuar një zyrë të re për të lehtësuar “emigrimin vullnetar” nga Gaza përmes aeroporteve dhe porteve detare izraelite. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, një udhëheqës i ekstremit të djathtë, parashikon transferimin e dhjetë mijë palestinezëve në ditë, duke e shpopulluar të gjithë Rripin e Gazës brenda disa muajsh. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, zyra e të cilit drejton projektin e emigrimit, ka deklaruar se mjaftojnë 2,500 të evakuuar në ditë. Izraeli dhe ShBA-ja tashmë i kanë kërkuar Sudanit, Somalilendit dhe qeverive të tjera të pranojnë palestinezët.
Megjithatë, shumica e izraelitëve ende i vlerësojnë llafet për një transferim, apo një Nakba të dytë – duke kujtuar “katastrofën” e vitit 1948, ose eksodin e shumicës së arabëve nga territori që u bë Izrael – si fjalë boshe të së djathtës. Vëmendja e opinionit publik izraelit është përqendruar te 59 pengjet që mbahen në Gazë, nga të cilët 22 deri në 24 mendohet se janë ende gjallë. Për Netanyahun dhe aleatët e tij, fati i këtyre pengjeve të torturuar dhe të uritur është një bezdi, një pengesë në rrugën drejt “fitores përfundimtare”. Kundërshtarët e qeverisë, të përqendruar në shtresat e vjetra të qendrës izraelite, e shohin kthimin e pengjeve si përparësi absolute. Ata kanë gjetur një aleat të pazakontë te Trumpi, i cili pengjet e liruara i priti në Zyrën Ovale – një gjest që Netanyahu ende nuk e ka bërë. Duke u distancuar nga përgjegjësia për katastrofën e 7 tetorit, ai shmang takimin sy më sy me viktimat.
Bombardimi i së martës i dha fund debatit. Netanyahu injoroi lutjet e familjarëve të pengjeve dhe të të mbijetuarve të robërisë së Hamasit, dhe dërgoi bombarduesit mbi qiellin e Gazës, duke e ditur se Hamasi, i shtyrë më cep, mund t’i vriste pengjet e mbetura. Sulmi vdekjeprurës dha menjëherë përfitime politike në Jerusalem. Partia kahaniste izraelite, Otzma Yehudit (“Fuqia Hebraike”), e cila kishte dalë nga koalicioni për të protestuar kundër armëpushimit, u rikthye në prag të një votimi vendimtar për buxhetin. Kalimi i buxhetit do t’i siguronte qeverisë kohë për të shënuar fitoren e dëshiruar në një betejë të dytë – ndonëse aspak dytësore – në vend.
Qëkur u rikthye në pushtet në fund të vitit 2022, qëllimi i Netanyahut ka qenë të shndërrojë Izraelin nga një demokraci gjysmë-liberale, sado e lodhur që është – të paktën në këtë anë të vijës së gjelbër që ndan Izraelin zyrtar nga territoret e pushtuara – në një autokraci hebraike. Pasi kishte shndërruar Likud-in, partinë në pushtet, në një kult personaliteti dhe ishte bashkuar me kahanistët dikur të përçmuar, Netanyahu synoi të largonte elitën e vjetër nga bastionet e saj të pushtetit në kompleksin e mbrojtjes dhe të inteligjencës si dhe në gjyqësor, për t’i zëvendësuar me aleancën e tij të besnikëve “bibistë”, nacionalistëve fetarë dhe dishepujve të rabinëve ultra-ortodoksë. Ish-elita laike, me orientim perëndimor, reagoi me protesta masive që ngadalësuan ndryshimet në sistemin gjyqësor. Pastaj ndodhi 7 tetori, dhe përçarja e brendshme u pezullua.
Por, Netanyahu nuk e humbi kurrë nga sytë rimodelimin kombëtar. Me rënien e intensitetit të luftës dhe mikun e tij ideologjik Trump që po rikthehet në pushtet në ShBA, koalicioni izraelit rinisi grushtin e shtetit. Ligje që do të hiqnin pavarësinë e gjyqësorit u përshpejtuan në Knesset [Parlament]. Me policinë dhe shërbimin e burgjeve tashmë të politizuara dhe me shefin e shtabit të IDF-së i cili u zëvendësua, Netanyahu synon objektivat më të ndjeshëm dhe më të fuqishëm: Shin Bet-in (shërbimi i sigurisë së Izraelit) dhe prokuroren e përgjithshme, e cila është zyrtarja më e lartë për zbatimin e ligjit në vend.
Motivimet e Netanyahut janë po aq personale sa edhe politike. Gali Baharav-Miara, prokurorja e përgjithshme, po udhëheq ndjekjen penale në gjyqin për korrupsion ndaj Netanyahut. Zëvendësimi i saj me një person të besuar mund ta rrëzonte të gjithë çështjen. Ronen Bar, shefi i Shin Bet-it të cilin Netanyahu dëshiron të shkarkojë, po heton pretendimet për lidhje të dyshimta financiare midis bashkëpunëtorëve të tij të komunikimit dhe Katarit – sponsori kryesor i Hamasit. Netanyahu, siç pritej, pretendon se “Katargejti” [Çështja-Katari] është një përpjekje e fundit e kundërshtarëve të tij, Bar dhe Baharav-Miara, për të shmangur shkarkimin. Të dy janë burokratë besnikë që janë kthyer në disidentë të papritur, dhe ata do të udhëheqin një betejë ligjore për të ruajtur vendet e tyre të punës dhe pavarësinë që ka mbetur në administratën civile.
Kështu, janë vizatuar vijat e betejës së dyfishtë – brenda dhe jashtë Izraelit – përballë përplasjes së madhe. Netanyahu dëshiron të luftojë Hamasin deri në spastrimin etnik dhe është i gatshëm të sakrifikojë pengjet gjatë rrugës. Dhe, dëshiron ta pastrojë shtetin nga rivalët e tij tradicionalë: anëtarët e elitës ushtarake, akademike dhe ligjore, duke e mbajtur përjetësisht të djathtën në pushtet.
Kundërshtarët e tij, që përpiqen të shpëtojnë pengjet dhe të mbrojnë demokracinë, janë dobësuar nga dështimi i IDF-së dhe Shin Bet-it për të parandaluar masakrën e 7 tetorit dhe për të mbrojtur komunitetet kufitare. Ky debakël historik ka shkatërruar në mënyrë të pariparueshme prestigjin e ushtrisë dhe komunitetit të inteligjencës, ish-udhëheqësit e të cilëve ishin në ballë të protestave kundër qeverisë. Opozita politike është e dobët, pa lider dhe pa një vizion për periudhën pas luftës. Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre pengesave dhe përballë një Netanyahu me qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, anti-bibistët e kuptojnë se nëse humbin tani, mund të mos kenë më mundësi të protestojnë dhe do të reduktohen në spektatorë të vendit të tyre që po rrëshqet në rrugën e autokracisë – ashtu si Hungaria, India, Turqia dhe Amerika trumpiste.
Në javët në vijim, do të shohim nëse Izraeli po i afrohet greminës së krimeve të luftës në një Gazë të zbrazur dhe diktaturë de facto në Jerusalem e Tel Aviv, apo nëse vrapimi i pakontrolluar i Netanyahut mund të ngadalësohet. Rreziku për të ardhmen e Izraelit nuk ka qenë kurrë kaq i madh. Dhe, protestuesit po përpiqen edhe një herë të përmbysin valën gjithnjë e më të lartë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
“Loja ka puls” - Mesazhi befasues për Gjestin nga Armando Broja, banori: Kush është?

Trump urdhëron prodhimin e aeroplanit më të fuqishëm luftarak që ka parë bota

Erdogan reagon për herë të parë pas arrestimit të kryetarit të Stambollit - shpërthejnë protestat anembanë Turqisë

Shqiptari nga Rahoveci vret bashkëshorten në Gjermani dhe telefonon djalin: Ta vrava nënën

Granit Xhaka bëhet baba për herë të tretë, zbulon emrin e vajzës

“Futbolli nuk është biznes, është pasion”, Tifozat Kuq e Zi me mesazh drejtuar FSHF-së

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Egli-Gjestit: Nuk e ke idenë se sa njerëz jashtë, nga kjo marrëdhënie kanë interpretuar që ne do të martohemi

Raportet e Inteligjencës Britanike: Gati një milion viktima ruse në Ukrainë

Putin i premtoi Trumpit armëpushim në Ukrainë, por Rusia sulmon ashpër Odesën

Gola, emocione dhe spektakël: Kosova fiton duelin e parë ndaj Islandës në play-off të Ligës së Kombeve

Kajtazi: Janë 720 spiunë në Kosovë, Shabani e Qerimi nuk janë kryesorët

UEFA ka ndaluar organizimin e shtatë ndeshjeve mes kombëtarëve evropiane, përmenden Kosova dhe Shqipëria