LAJMI I FUNDIT:

Kaos në parlamentin hungarez pas miratimit të ligjit që ndalon “Paradën e Krenarisë”

Kaos në parlamentin hungarez pas miratimit të ligjit që ndalon “Paradën e Krenarisë”

Kaosi ka shpërthyer në Parlamentin e Hungarisë pas votimit të një ligji të ri që ndalon shfaqjet publike të paradave të komunitetit LGBTI.

Ligji i miratuar ka shkaktuar reagime të shumta, duke krijuar tensione mes grupeve të ndryshme politike dhe shoqërisë civile.

Kjo masë është pjesë e politikave të ashpra të qeverisë aktuale, e drejtuar nga kryeministri Viktor Orban, i cili ka bërë të qartë se do të luftojë çdo formë promovimi të ideve që përshkruhen si të huaja për vlerat tradicionale të Hungarisë.


Qeveria e Hungarisë, e udhëhequr nga partia Fidesz, arriti të miratojë ligjin për të ndaluar Paradat e Krenarisë në Budapest, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e “vlerave të familjes tradicionale”.

Sipas ligjit të ri, këto ngjarje do të ndalohen në hapësira publike dhe do të mund të trajtohen si shkelje të rendit të shoqërisë.

Partia Fidesz, që është në pushtet, planifikon të përdorë teknologji të avancuar, përfshirë njohjen e fytyrës, për të ndjekur pjesëmarrësit dhe për të mundësuar identifikimin e tyre.

Për më tepër, ligji parashikon gjoba të rënda për ata që marrin pjesë në këto ngjarje, duke i vendosur deri në 500 euro për çdo person që shkel rregullat e reja.

Ky vendim ka ngjallur shqetësime të mëdha, jo vetëm brenda dhe jashtë Hungarisë, por edhe nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat e konsiderojnë këtë ligj si një shkelje të lirisë dhe të drejtave të komunitetit LGBTI. /Telegrafi/