LAJMI I FUNDIT:

Policia ndërhyn kur aligatori bllokon dërgimin e picave në Florida

Policia ndërhyn kur aligatori bllokon dërgimin e picave në Florida

Një oficer policie në Florida përfundoi duke dorëzuar një picë te dera e pasme e një banori, pasi shpërndarësi i picës u përball me një aligator 2.5 metra të gjatë në hyrje të shtëpisë.

Departamenti i Policisë së Bradenton ndau pamje nga kamera e trupit në rrjetet sociale, duke treguar skenën e pazakontë që ndodhi kur një oficer u thirr për praninë e një aligatori të madh në lagje.

Oficeri e gjeti aligatorin të fshehur nën një makinë në hyrje të një shtëpie dhe po priste kapësin e Komisionit të Peshkimit dhe Kafshëve të Egra të Floridës kur mbërriti dikush tjetër – një shpërndarëse picash.


Oficeri e ndaloi dhe e paralajmëroi për aligatorin, e cila ndodhej pikërisht mes saj dhe derës kryesore të klientit. Pas një bisede të shkurtër, oficeri u ofrua t’ia dorëzonte picën klientit nga dera e pasme.

Një fqinj telefonoi banoren e shtëpisë, e cila doli në derën e përparme, por oficeri e paralajmëroi për praninë e aligatorit dhe i tha se mund ta merrte ushqimin nga dera e pasme.

“Sa kushton?” – e pyeti gruaja kur oficeri i solli picën.

“Nuk e di, unë nuk jam shpërndarës picash,” u përgjigj oficeri me shaka.

Në fund, gruaja e mori picën dhe i dha ca para oficerit për t’ia dhënë shpërndarëses.

Departamenti i Policisë shkroi me humor “Pica… me një anë aligatori? Oficeri Tolson iu përgjigj thirrjeve për një aligator 2.5 metra të gjatë në një komunitet 55+, shpëtoi një shpërndarëse të frikësuar picash dhe siguroi që një kliente e uritur të merrte porosinë e saj (dhe që aligatori i uritur të mos merrte asgjë). E gjithë kjo, thjesht një ditë normale në punë!” /Telegrafi/