LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet parlamentare 2025, Shehu: LDK është konfirmuar si partia e parë në Komunën e Junikut

Zgjedhjet parlamentare 2025, Shehu: LDK është konfirmuar si partia e parë në Komunën e Junikut

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë si forca e parë politike në këtë komunë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Shehu, i cili vjen nga radhët e LDK-së, e ka bërë këtë njoftim përmes një postimi në Facebook, duke u bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“LDK është konfirmuar si partia e parë në Komunën e Junikut në zgjedhjet parlamentare 2025. Faleminderit të gjithë votuesve që jetojnë në Junik dhe në mërgatë, të cilët kanë konfirmuar besimin e tyre në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Dallimi në mes të LDK dhe partisë së dytë në Junik është rreth 5%”, ka shkruar Shehu.


Ai gjithashtu ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, strukturat e partisë, si dhe përkrahësit e saj për angazhimin në këto zgjedhje.

“Komuna është e qytetarëve. Transparenca dhe llogaridhënia për paranë publike nuk janë opsione, por detyrime ligjore. Prandaj, të bashkuar do të vazhdojmë me intensitetin e lartë të punëve dhe projekteve me rëndësi për të zhvilluar më tutje Junikun dhe për të rritur mirëqenien e të gjithë junikasve pa dallim”, ka shtuar ai.

Shehu ka theksuar se LDK do të synojë edhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke u shprehur i bindur se partia do të fitojë pa balotazh.

“Urime të gjithëve fitorja e LDK-së në Junik! Zoti e bekoftë Junikun, Kosovën dhe shqiptarët! Zoti e bekoftë LDK!”, ka përfunduar ai./Telegrafi/