LAJMI I FUNDIT:

Kurti për Prokurorinë: Po e lufton qeverinë e jo krimin – unë jam i gatshëm të jap dëshmi

Kurti për Prokurorinë: Po e lufton qeverinë e jo krimin – unë jam i gatshëm të jap dëshmi

Kryeministri Albin Kurti ka shpërfillur urdhrin e Gjykatës Themelore që të paraqitet në Prokurorinë Speciale për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.

Kurti pikërisht në orën 10:00 kur i ishte caktuar për të dhënë dëshmi në Prokurori, ai vendosi që të merrte pjesë në vendosjen e gurthemelit të një çerdhe në Gjilan.

I pyetur nga gazetarët se përse nuk respektoi urdhrin e gjykatës, kryeministri u shpreh se “mirëpret prokurorinë në zyrën e kryeministrit”.


“Së pari unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi, ose refuzoj të jap dëshmi. Përkundrazi kam thënë se jam jo vetëm i gatshëm por edhe i interesuar. Në anën tjetër kam shkruar letrën në të cilën kam treguar oraret se ku mund të bëhet dëshmia. Unë e mirëpres prokurorinë në Zyrën e Kryeministrit. Ka pasur raste në të kaluarën kur prokurorët hetuesit kanë ardhur për kryeministra jo vetëm si dëshmitar por edhe të pandehur, prandaj nuk ka ndonjë arsye që të mos vazhdohet”, ka thënë Kurti para mediave në Gjilan.

Kurti shpërfill urdhrin e Gjykatës, shkon në Gjilan dhe jo në Prokurori
Lexo po ashtu Kurti shpërfill urdhrin e Gjykatës, shkon në Gjilan dhe jo në Prokurori

Kryeministri nuk ka kursyer sërish akuzat ndaj Prokurorisë Speciale dhe mediave, duke thënë se qëllimi i Prokurorisë nuk është luftimi i krimit dhe korrupsionit por i qeverisë.

“Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim. Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit ai nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse Prokuroria i humb tre muaj, për bindjen time është më shumë e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, fatkeqësisht lirin po e keqpërdor për të luftuar qeverinë e jo krimin e korrupsionin. Unë e theksoj se gjithmonë kam qenë dhe jam i gatshëm të dëshmoj”, tha Kurti. /Telegrafi/