Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Tri herë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë, kancelarët e saj kanë bërë zgjedhje strategjike që hapën derën për një të ardhme më të mirë për Evropën. Sot nuk ka vetëm një mundësi, por edhe një nevojë urgjente për një moment të katërt të tillë historik. Nëse qeveria e re koalicionit të vendit, nën drejtimin e Friedrich Merzit, arrin të shfrytëzojë këtë krizë si një mundësi, si Gjermania ashtu edhe Evropa do të ecin përpara. Nëse dështon, atëherë deri në fund të kësaj dekade, të dyja mund të jenë kthyer prapa më larg dhe më shpejt sesa shumica prej nesh mund ta kishim imagjinuar në makthet më të këqija.
Dallimi i madh me ato tri momente kyçe të mëparshme është ky: në vitet 1949, 1969 dhe 1989, politika e Republikës Federale të Gjermanisë ishte në thelb e përafruar me atë të Shteteve të Bashkuara. Këtë herë, Gjermania duhet të ndërtojë një Evropë më të fortë, të lirë, demokratike dhe mbështetëse ndaj Ukrainës përballë politikës aktuale të ShBA-së. Momenti më befasues i mbrëmjes zgjedhore të së dielës ishte kur Friedrich Merz, një atlantist i përjetshëm, deklaroi se Evropa duhet të “arrijë vërtet pavarësinë nga ShBA-ja”. (Kur krahasohet me lajkat pothuajse britanike të Emmanuel Macronit në Shtëpinë e Bardhë, të nesërmen, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë po tingëllon më golist se vetë presidenti francez.)
Zgjedhja e Konrad Adenauerit në vitin 1949, kancelarit madhështor themelues të Republikës Federale, për ta integruar gjysmën perëndimore të vendit të tij të ndarë në Perëndimin gjeopolitik transatlantik në zhvillim dhe në një Evropë më të integruar, ishte në harmoni me orientimin e ShBA-së dhe partnerëve të rinj kryesorë evropianë të shtetit të ri, Francës dhe Britanisë, pas vitit 1945 dhe gjatë Luftës së Ftohtë. Hapja e kancelarit Willy Brandt ndaj Lindjes në vitin 1969, Ostpolitik-a, përputhej me politikat e uljes së tensioneve që po ndiqnin Uashingtoni, Parisi dhe Londra. Vendosmëria e kancelarit Helmut Kohl, në vitin 1989, për ta ankoruar ribashkimin gjerman në hapa të mëtejshëm të integrimit evropian, përfshirë një monedhë të përbashkët evropiane, u mirëprit nga ShBA-ja dhe hapi rrugën për pranimin francez të unitetit gjerman. Në të tria rastet, kishte rezerva të mëdha në njërin ose tjetrin kryeqytet perëndimor – qëndrimi më miop ndër ishte kundërshtimi i Margaret Thatcherit ndaj ribashkimit gjerman – por, në kuadrin e gjerë të historisë, zgjedhjet e mëdha strategjike të Gjermanisë ishin të përafruara me ato të Perëndimit gjeopolitik të udhëhequr nga ShBA-ja.
Sot, jo më. Për aq kohë sa Donald Trumpi është në Shtëpinë e Bardhë, nuk do të ketë më një “Perëndim” si një aktor i vetëm gjeopolitik. Të hënën, në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, pamë spektaklin skandaloz të ShBA-së që votoi, së bashku me Rusinë, kundër një rezolute britaniko-evropiane në OKB në mbështetje të Ukrainës. ShBA-ja tani është bashkuar me fuqitë e mëdha dhe të mesme transaksionale të BRICS-it, në sulmin ndaj asaj që ka mbetur nga rendi liberal ndërkombëtar që vetë Amerika ndërtoi. Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, John Ikenberry, dikur e përshkroi ShBA-në si një “leviatanin liberal”. Sot, leviatani liberal është shndërruar në një elefant rebel.
Evropa e lirë që kemi ndërtuar që nga viti 1949 është, pra, nën një sulm si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, dhe këto dy lloje kërcënimesh janë të ndërlidhura. Një Evropë antiliberale, populiste dhe nacionaliste po fiton gjithandej terren. Kandidatja për kancelare nga Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, nuk kishte gabim, nga këndvështrimi i saj, kur e përshkroi rezultatin e partisë së saj në zgjedhje – një e pesta e votës së përgjithshme, fituese e qartë në Gjermaninë Lindore, partia e dytë më e madhe në Bundestagun e ri – si një “sukses historik”. Tronditëse ishte mbështetja e dhënë nga Uashingtoni. Fjalimi i zjarrtë i nënpresidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Munih ishte, në thelb, një fjalim elektoral për AfD-në. Të dielën në mbrëmje, Merzi vërejti me ironi se ndërhyrjet në politikën demokratike gjermane, nga Uashingtoni, nuk ishin “më pak dramatike se ato nga Moska”.
Pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, ne festuam faktin se Gjermania ishte bërë një vend “normal” evropian. Tani, në një farë kuptimi, duhet ta vajtojmë këtë. Sepse, të jesh një vend normal evropian, sot, do të thotë të jesh një vend në të cilin qendra liberale është duke pirë në një lokal të dallaveraxhinjve. Nëse qendra liberale nuk bën ndryshimet e nevojshme për të fituar votuesit e humbur nga ekstremet populiste, atëherë Marine Le Pen do të bëhet presidente e Francës më 2027, AfD-ja do të fitojë zgjedhjet gjermane më 2029 dhe Reform UK e Nigel Farageit do të tejkalojë konservatorët në kutitë e votimit.
Lajmi i mirë është se ekziston një qartësi në rritje midis partive kryesore demokratike liberale gjermane dhe evropiane, përkitazi me atë që duhet bërë. Evropa duhet ta shpëtojë Ukrainën. Duhet të ndërtojmë shpejt një mbrojtje të përbashkët evropiane, shumë më të fortë, përfshirë Britaninë. Të gjithë ne, por veçanërisht Gjermania, duhet të rikthejmë dinamizmin ekonomik, pa e kthyer mbrapsht tranzicionin e gjelbër, si dhe të adresojmë shqetësimet për pabarazinë socio-ekonomike dhe gjeografike që i kanë shtyrë votuesit drejt populistëve. Duhet të kontrollojmë migracionin e parregullt dhe, njëkohësisht, të bëjmë të suksesshëm integrimin e numrit të madh të emigrantëve e cila është mënyra e vetme për të përballuar sfidën tonë akute demografike.
Si mund ta bëjmë këtë? Si mund ta financojmë? Pengesat brenda Gjermanisë janë të mëdha. Një vend i famshëm për motorët e tij të automobilave tani është më i njohur për frenat – përfshirë një “frenë borxhi” të ngulitur në Kushtetutë. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë se një kancelar gjerman ka mundësi të mëdha për ta drejtuar vendin në një drejtim të ri, nëse, si Adenaueri, Brandti dhe Kohli, ka vullnetin dhe aftësinë për ta bërë këtë.
Tradicionalisht, bisedimet e ardhshme të koalicionit midis kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve do të rezultonin në një grup kompromisesh ku secila parti do të merrte pjesën e saj nga një tortë e madhe dhe në rritje. Por, çfarë ndodh nëse torta është duke u tkurrur dhe dy pjesë të reja të mëdha – më shumë investime në mbrojtje dhe në infrastrukturën e lënë pas dore të vendit – duhet të nxirren prej saj? Është e qartë se Gjermania duhet ta zbusë disi këtë frenë borxhi, por nëse ky është vërtet një moment i ndryshimit strategjik – një Zeitenwende i vërtetë – atëherë Merzi do të duhet të ndjekë dy pararendësit e tij të mëdhenj kristiandemokratë, Adenauer dhe Kohl, dhe të ndërmarrë një hap të madh drejt një Evrope më të fortë. Për sigurinë, industrinë e mbrojtjes, energjinë, tranzicionin e gjelbër dhe inteligjencën artificiale, Evropës i duhet një platformë për të mbijetuar në këtë botë të gjigantëve mujsharë. Zgjidhjet nuk kanë pse të përfshijnë gjithmonë integrim klasik në stilin e Brukselit, por nuk mund të jenë thjesht kombëtare.
Frena më e madhe gjermane nga të gjitha është gjendja mendore – një përzierje interesante mes ndjesisë së rehatisë së tepruar dhe frikës së tepruar. Si adhurues i emrave të përbërë gjermanë, u kënaqa kur pashë politologun gjerman Karl-Rudolf Korte ta përshkruante këtë në mënyrë përkryer, duke e karakterizuar Gjermaninë si një Wolferwartungsland (një vend që pret vazhdimisht ardhjen e ujkut). Por, sot ujqërit janë realisht aty: dy të mëdhenj te dera, Vladimir Putini dhe Donald Trumpi, dhe një i vogël, AfD-ja, tashmë brenda kotecit të pulave.
Për t’i zmbrapsur këta ujqër, gjermanëve u duhet mbi të gjitha një virtyt: guximi. Le të ndjekin këshillën e poetit të tyre kombëtar. “Pasuria e humbur”, shkroi Goethe, “diçka e humbur! … Nderi i humbur, humbje e madhe! … Guximi i humbur, gjithçka e humbur”! /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Pas dënimeve, Dodik: Nga sot më nuk ekziston Bosnja dhe Hercegovina që keni imagjinuar

Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Trump ishte pajtuar me Putinin, por tani Rusia i 'hanë' fjalët për paqeruajtësit në Ukrainë

Nis numërimi i votave nga jashtë, mbi 15 mijë fletëvotime pritet të numërohen

"Alarmohet" Vuçiq, thërret seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë - pas vendimit për Dodikun

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Bien 'drastikisht' vlerat e kriptovalutave - pse po ndodh kjo?

Zbulohet identiteti i gruas së dytë të Feros - ka një ngjashmëri të madhe me Arbenitën

Videoja e cila po shpërndahet me të madhe, Egli Tako pranon se po merr antidepresantë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania 4

Real Madridi po përgatit një ofertë të madhe për transferimin e yllit të PSG-së

E dashura e re e yllit të Real Madridit, dikur pjesë e faqeve 'online' për eskorta? Jude Bellingham në qendër të vëmendjes për lidhjen e tij të re

Guardiola rikthehet për yllin e Real Madridit: Man City i gatshëm për ofertë 150 milionëshe