Eksportet e Kosovës në Shtetet e Bashkuara kanë qenë kryesisht të qëndrueshme, por tarifat e paralajmëruara të presidentit Donald Trump për mallrat e BE-së do të mund t’i rrisin kostot e prodhimit edhe për kompanitë kosovare.
Kompania “Frutex” nga Kosova, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, nisi të eksportonte në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019.
Atëkohë, vlera e eksporteve të saj i kaloi 40 mijë dollarë – vitin e kaluar arriti mbi 100 mijë.
“Vlera, prapë, nuk është aq e madhe, pasi që nuk është e lehtë të depërtohet në një treg, ku konkurrenca është e fuqishme. Megjithatë, ne jemi të kënaqur edhe me këtë që vjen falë komunitetit të madh shqiptar në SHBA”, thotë pronari i kompanisë, Shaqir Palushi.
Organizatat ekonomike thonë se nga viti 2019, në fakt, ka nisur edhe rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA, për shkak të rritjes së cilësisë së produkteve.
Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë.
Para asaj kohe, ndërkaq, ishte dukshëm nën tre milionë.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, se përse ka pasur rënie të theksuar të eksporteve në SHBA vitin e kaluar, por që nga mesi i javës së kaluar nuk mori përgjigje.
Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.
Mallrat amerikane në tregun e Kosovës janë kryesisht produktet me origjinë shtazore, tekstili, lëndët djegëse, mjetet e transportit e të tjera.
Si arritën produktet e Kosovës në tregun e SHBA-së?
Kosova ka një industri të vogël prodhuese, por disa kompani vendore kanë arritur të eksportojnë produkte cilësore edhe në tregjet ndërkombëtare, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Sipas tij, faktori që ka ndikuar në rritjen e pranisë së mallrave kosovare në SHBA – njërin prej tregjeve më të mëdha në botë – është Sistemi i Përgjithshëm i Preferencave (GSP).
Ky është një program tregtar i SHBA-së që u mundëson vendeve në zhvillim të eksportojnë produkte të caktuara atje, pa paguar tarifa doganore.
Kosova përfiton prej tij nga viti 2012, kur i është mundësuar që rreth 3.500 produkte nga sektorë të ndryshëm, t’i eksportojë në SHBA, pa iu nënshtruar taksave doganore.
“Në vitin 2019 kemi pasur disa kompani që kanë marrë hov dhe i kanë rritur prodhimet e tyre në Kosovë dhe jashtë saj. Lirimi nga taksa doganore është një gjë e leverdishme për to”, thotë Rafuna.
Këtë e konfirmon edhe Palushi, i cili thotë se për eksportin e mallrave të tij në SHBA, paguan vetëm koston e transportit.
“Mospagesa e taksës doganore e bën produktin tonë konkurrent me produktet tjera”, thotë ai, duke shtuar se aplikimi i tarifës doganore do të sillte një situatë më ndryshe.
E, ndryshimet e tilla mund të mos jenë larg, sidomos pas paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, se vendi i tij do të vendosë së shpejti tarifa mbi mallrat që importon nga BE-ja.
Kjo ka nxitur reagimin e bllokut – tregut më të madh të vetëm në botë, nga i cili varet edhe Kosova. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se tarifat e tilla “të pajustifikuara” do të shkaktonin “kundërmasa proporcionale”.
Rafuna thotë se nëse SHBA-ja i zbaton këto tarifa ndaj produkteve të BE-së, dhe anasjelltas, ato, në mënyrë jodirekte, do ta prekin edhe tregun e Kosovës.
Kjo, pasi kompanitë kosovare varen nga importimi i produkteve të ndryshme nga tregu evropian.
“Në qoftë se një lëndë e parë vjen nga SHBA-ja te një kompani gjermane me tatim doganor më të shtrenjtë, ajo lëndë e parë do të shtrenjtohet. Dhe, kur kompania jonë e blen produktin final prej asaj lënde të parë që është importuar nga SHBA-ja, padyshim se do të jetë më shtrenjtë”, shpjegon Rafuna.
Sejdi Rexhepi, ligjërues i Ekonomisë Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ndan mendim të ngjashëm.
Sipas tij, ekonomia e Kosovës është importuese dhe ndien çdo ndryshim që pësojnë tregjet botërore.
“Kompanitë tona do të jenë të detyruara të blejnë me çmime më të larta. Kjo, sigurisht, do të reflektohet në rritjen e çmimeve të importit dhe rrezikon të reflektojë edhe në rritjen e përgjithshme të çmimeve në Kosovë”, thotë Rexhepi.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi, vitin e kaluar, ka importuar mallra në vlerë mbi 6.3 miliardë euro, kurse ka eksportuar vlerën e 941.3 milionë eurove.
Nga 27 vendet anëtare të BE-së janë importuar mallra në vlerë prej rreth tre miliardë eurosh, ose rreth 45 për qind e totalit – nisur nga produktet ushqimore deri te materialet ndërtimore.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së, ndërkaq, kanë pasur vlerën e 294 milionë eurove, apo rreth 30 për qind e totalit.
Partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës në BE, si në eksporte, ashtu edhe në importe, janë: Gjermania, Italia, Austria, Franca dhe Greqia.
Palushi thotë se, edhe nëse nis zbatimi i taksës amerikane për mallrat e BE-së, ai nuk do ta ndërpresë eksportin, por se prodhimet e tij me siguri se do të jenë me çmime më të larta.
“Besoj se konsumatorët, sidomos shqiptarët, janë të gatshëm t’i paguajnë”, thotë Palushi.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Kompanitë energjetike çojnë kërkesë në ZRRE për rritjen e çmimit të rrymës në Kosovë

Eurokoha zbulon sekretin si t’i kaloni pushimet e ëndrrave në Turqi me 40% zbritje

Qytetarët thonë se ndihen të mashtruar nga 'marketet' për mosvendosjen e ekraneve nga ana e konsumatorëve

ASK: Bie eksporti në Kosovë, thellohet deficiti tregtar rreth 30 për qind

A do t'i kishin veshur legjendat e futbollit atletet rozë të modës së fundit?

Peci: Brenda dy javësh hapet thirrja që fermerët të aplikojnë për subvencione

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania