LAJMI I FUNDIT:

BE fton Kosovën që të mos i mbyllë qendrat serbe që ofrojë shërbime sociale

BE fton Kosovën që të mos i mbyllë qendrat serbe që ofrojë shërbime sociale

Bashkimi Evropian tha se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku, duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyllë këto struktura.

Kështu tha një zëdhënës i Komisionit Evropian kur u pyet lidhur me mbylljen e katër objekteve të Qendrës për punë sociale në Mitrovicë të Veriut, që funksiononin sipas sistemit serb, nga Policia e Kosovës më 21 shkurt.

Autoritetet kosovare thanë se në objektet e mbyllura ishin kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.


BE-ja tha se është në dijeni për operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe misioni i saj për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron situatën dhe Brukseli po pret “detaje të tjera për të përcaktuar faktet”.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. As institucionet e shëndetësisë dhe edukimit të mbështetura nga Serbia, e as strukturat e tjera të mbështetura nga Serbia që ofrojnë shërbime bazike sociale nuk duhet të mbyllen”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KE-së, raporton REL.

BE-ja përsëriti qëndrimin e dhënë edhe kur ishin mbyllur institucione të tjera të Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, se mbyllja e tyre pa ndonjë alternativë të dakorduar paraprakisht ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në mënyrë direkte pengon përpjekjet për normalizim të raporteve.

“Këto çështje duhet të adresohen mes palëve. Përfaqësuesi i posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter] Sorensen është i gatshëm të lehtësojë diskutimet”, u tha nga Komisioni Evropian.

Policia e Kosovës tha përmes një njoftimi mëngjesin e 21 shkurtit se po kryente kontrolle të objekteve të Qendrës për punë sociale edhe në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, pasi dyshohej se aty ishin kryer veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor, përkatësisht për “falsifikim të dokumenteve”.

Aksion i policisë në veri - mbyllen dy qendra ilegale, dyshohet se përmes tyre qytetarët u kushtëzuan të votonin një parti politike
Lexo po ashtu Aksion i policisë në veri - mbyllen dy qendra ilegale, dyshohet se përmes tyre qytetarët u kushtëzuan të votonin një parti politike

Sipas njoftimit, Policia tha se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

Këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale”, tha Policia, dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt. Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar më së shumti vota. Ndërkaq, nga komuniteti serb, Lista Serbe, që mbështetet nga Beogradi, ka marrë më së shumti vota.

Lidhur me aksionin policor të 21 shkurtit ka reaguar Lista Serbe dhe zyrtarë në Beograd. Lista Serbe pretendoi se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.

Ndërkaq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e cilësoi aksionin si “veprim përshkallëzues”, me të cilin, sipas tij, Kurti “ka goditur drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe më të rrezikuara të serbëve” në Kosovë.

Petkoviq pretendoi se janë 9.000 përfitues të ndihmës sociale , shtesave për fëmijë dhe ndihmë tjetër që kanë marrë shërbime në këto objekte.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, dhe shefja e misionit të BE-së për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau, kanë thënë se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Edhe në të kaluarën, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur institucione të ndryshme që funksionojnë në kuadër të sistemit serb, duke argumentuar se puna e tyre është e paligjshme.

Serbët në Kosovë marrin paga, pensione, ndihmë sociale e të ngjashme nga buxheti i Serbisë.

Në trend Lajme

Më shumë
Sakrifikimi për më shumë vota, numri i deputetëve të LVV-së, partisë Guxo dhe Alternativës

Sakrifikimi për më shumë vota, numri i deputetëve të LVV-së, partisë Guxo dhe Alternativës

Lajme
Përqindja e votave të partive politike – në sa komuna prijnë LVV, PDK e AAK-Nisma?

Përqindja e votave të partive politike – në sa komuna prijnë LVV, PDK e AAK-Nisma?

Lajme
Studimi: Poshtë maleve tona fshihet “një thesar”

Studimi: Poshtë maleve tona fshihet “një thesar”

Lajme
Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Kronika e Zezë
“Meritoni një lapidar si Clinton në Kosovë”, Rama inspekton punimet në rrugën e Komanit

“Meritoni një lapidar si Clinton në Kosovë”, Rama inspekton punimet në rrugën e Komanit

Lajme
KQZ thotë se po shkon drejt fundit vlerësimi i pakove me fletëvotime nga diaspora

KQZ thotë se po shkon drejt fundit vlerësimi i pakove me fletëvotime nga diaspora

Lajme
Kalo në kategori