Në Qeverinë e Kosovës dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, vitet e fundit janë hequr kamerat e kontestueshme të prodhimit kinez, të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa prej tyre janë zëvendësuar me kamera të tjera, gjithashtu të sanksionuara, por më të pranueshme në aspektin e sigurisë, ndërsa disa me kamera amerikano-kanadeze.
Qeveria e Kosovës ka larguar nga objekti i saj shumicën e kamerave të sigurisë të firmës Dahua, një kompani kineze e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në ndërtesën e Qeverisë deri më tani janë zëvendësuar shumica dërrmuese e kamerave të sigurisë, ku përfshihen pikat më kritike të sigurisë të ndërtesës”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Radio Evropa e Lirë kishte raportuar në lidhje me prezencën e këtyre kamerave në objektin qeveritar në fillim të vitit 2022. Në atë kohë, Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje kishte thënë se do t’i analizojë kontratat nga aspekti i sigurisë, meqë kamerat ishin blerë më herët nga qeverisje të kaluara.
Sipas Kryeziut, zëvendësimi i kamerave nisi në fund të vitit 2022.
“Në proces të zëvendësimit është edhe pjesa tjetër e mbetur (e kamerave). Po punojmë që kjo të bëhet sa më parë”, tha tutje ai.
Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së qysh nga viti 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.
Përveç sanksioneve tregtare, këto dhe disa kompani të tjera kineze që prodhojnë kamera të sigurisë, konsiderohen me rrezik për përdorim nga institucionet në SHBA.
Përkatësisht ato konsiderohen që nuk janë në përputhje me Aktin Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) të SHBA-së, i cili përcakton nëse pajisje të caktuara konsiderohen të rrezikshme për sigurinë kombëtare amerikane.
Sipas asaj që REL-i ka parë nga terreni, kamerat e reja të vendosura në objektin e Qeverisë janë të firmës po ashtu kineze, Uniview.
Kjo kompani, gjithashtu u përfshi në listën e sanksioneve të SHBA-së në dhjetor të vitit 2024. Megjithatë, deri më tani, kjo kompani dhe produktet e saj nuk llogariten të jenë të ndaluara në bazë të rregullativës NDAA.
Së fundmi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri blerjen e mbi 2 mijë kamerave të sigurisë, të parapara të mbikëqyrin procesin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
KQZ-ja, po ashtu, u furnizua me kamera të kompanisë Uniview.
Në dosjen e tenderit, KQZ-ja e kishte futur në listën e kritereve edhe atë që kamerat të jenë në përputhje me NDAA-në e SHBA-së.
Deri më tani, ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it se në çfarë legjislacioni apo rregullore të brendshme është e bazuar kjo kërkesë, si dhe cilat janë shqetësimet e sigurisë për produktet që janë të ndaluara me NDAA.
Pse u sanksionuan kompanitë kineze nga SHBA-ja?
Sanksionet ndaj kompanive kineze të teknologjisë nisën nën mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe vazhduan edhe në administratën që pasoi, të Joe Bidenit.
Uashingtoni i ka shënjestruar në veçanti kompanitë kineze të prodhimit të kamerave për shkak të “rolit të tyre në ofrimin e teknologjisë vëzhguese ndaj Partisë Kineze Komuniste”, duke e ndihmuar atë në përndjekjen e minoriteteve myslimane në Kinë si ujgurët.
Reid Standish, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Pragë, i cili fokusohet në çështjet globale që lidhen me Kinën, thotë se sipas vendimeve të SHBA-së, këto kompani dyshohet se kanë projektuar pajisje dhe softuerë të veçantë për vëzhgim të këtyre minoriteteve.
“HikVision, për shembull, u kap duke projektuar softuer për njohjen e fytyrës që mund të identifikojë në mënyrë specifike fytyrat ‘ujgure’”, shpjegon Standish.
HikVision dhe Dahua ende të pranishme në institucione të tjera
Më 2022, REL-i kishte raportuar se kamera të firmave Dahua dhe HikVision po përdoreshin si teknologji vëzhguese edhe në disa institucione të tjera shtetërore.
Objekte të vëzhguara nga këto kamera përfshinin Prokurorinë Speciale, Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Tregtisë.
Kamera të firmës HikVision ende vazhdojnë të jenë prezent në të tri këto objekte. Prokuroria Speciale dhe Ministria e Tregtisë deri më tani nuk u janë përgjigjur kërkesave të REL-it për koment në lidhje me këtë çështje.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë tha se ekziston një bazë ligjore në Kosovë për zbatimin e sanksioneve të SHBA-së, sipas një vendimi qeveritar të vitit 2021.
Megjithatë, MSH-ja shtoi se blerja e kamerave për këtë institucion u bë gjatë vitit 2019, “para nxjerrjes së vendimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Nga ky institucion nuk kanë përmendur nëse do të ndërmarrin ndonjë veprim për zëvendësimin e kamerave ekzistuese.
“Po, pas marrjes së këtij vendimi nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë është e angazhuar që në çdo thirrje të përmbushë kërkesat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky vendim”, tha MSH-ja.
Kamera të HikVision, më parë vëzhgonin edhe sheshet kryesore të Prishtinës, ndërsa tani ato janë zëvendësuar me kamera të firmës Avigilon në kuadër të Motorola Solutions.
Produktet e kësaj kompanie prodhohen në Kanada dhe SHBA.
Komuna e Prishtinës nuk ka treguar kohën dhe arsyen e zëvendësimit të kamerave.
Në vitin 2022, nga Komuna i kishin thënë REL-it se kontrata e mëparshme me të cilën ishin blerë kamerat HikVision, ishte trashëguar nga udhëheqësia paraprake e komunës dhe ishte nënshkruar rreth vitit 2020.
Sa është e sigurt teknologjia kineze e vëzhgimit?
Reid Standish thotë se disa çështje teknike që janë zbuluar te disa prodhues kinezë shpesh janë përmendur si arsye për të mos i përdorur ato në ambiente të ndjeshme.
Sipas tij, shqetësimet me sigurinë e kësaj teknologjie lidhen me faktin se “sistemet e mbikëqyrjes mbështeten në një farë mase në pajisjet dhe softuerët e prodhuesit të kamerave”.
“Kjo çon në dy shqetësime kryesore. E para është se sistemet ‘cloud’ të përdorura nga disa marka kineze janë treguar të jenë më të cenueshme se të tjerat. E dyta është se të dhënat në Kinë u nënshtrohen ligjeve kineze, të cilat, sipas këtyre ligjeve, i lejojnë Partisë Komuniste Kineze të ketë qasje dhe të përdorë të dhënat si të dojë për arsye të sigurisë kombëtare”, thotë Standish.
“Nuk ka ende prova që kjo të ketë ndodhur, por ajo përmendet në mënyrë rutinore si një shqetësim”, shton ai.
Edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë i ka thënë REL-it se institucionet kanë obligime për sigurinë e të dhënave personale që përpunohen përmes kamerave të vëzhgimit.
“Institucionet duhet të sigurohen që pajisjet të jenë të sigurta dhe të shmangin përdorimin e produkteve që mund të krijojnë rreziqe për sigurinë e të dhënave personale”, kanë thënë nga Agjencia.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për kamerat e sigurisë, kjo agjenci nuk ka komentuar në lidhje me firmat specifike apo rregullativat e sigurisë së SHBA-së dhe mënyrën si aplikohen ato në Kosovë.
Kompanitë kineze janë furnizuesit kryesorë të teknologjisë së mbikëqyrjes në botë. Kjo pasi kamerat e tyre janë të lira, të lehta për t’u përdorur dhe për t’u instaluar, si dhe ofrojnë performancë të lartë.
Kompanitë si Hikvision dhe Dahua janë pjesërisht në pronësi të shtetit kinez, ndërsa Uniview është një kompani private, por ka marrë pjesë në kontrata të qeverisë kineze për të mbikëqyrur pakicat në Shinxhiang.
Deri më tani, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë vendosur në listë të zezë disa kompani kineze të teknologjisë.
Megjithatë, shumica e vendeve evropiane nuk kanë vendosur ndalime të tilla, por kanë zgjedhur të heqin kamerat kineze nga përdorimi në institucione qeveritare apo ushtarake. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Përqindja e votave të partive politike – në sa komuna prijnë LVV, PDK e AAK-Nisma?

Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Zelensky bisedë telefonike me Ramën, tregon çështjet që diskutuan

Qindra çifte në listë të pritjes për IVF në QKUK

Akuzat për lejen e ndërtimit në Yrshek dhe tenderin e pastrimit, Veliaj reagon nga burgu: Ia dhashë biznesmenit gjithë këto, t’i merrja 9 mijë euro mbrapsht?

Sakrifikimi për më shumë vota, numri i deputetëve të LVV-së, partisë të Guxo dhe Alternativës

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Transferim rekord në histori të futbolli: Arabia Saudite shkon te Real Madridi me ofertë të re për Viniciusin

Ylli i Udineses mori përsipër penalltinë pa pëlqimin e ekipit – realizoi, por askush nuk festoi me të

Trump tërhiqet nga ideja për ta marrë Gazën: Plani im funksionon, por nuk do ta imponoj

Uka: Maurizio Salustro na kërkoi 500 mijë euro, ose përfundonim 54 vjet dënim burg

Rozana fsheh “Valixhen e Tundimeve” teksa Gjesti shpërndan biletat e fatit