LAJMI I FUNDIT:

Aeroplani me dhjetë persona zhduket në Alaska – autoritetet amerikane nisin misionin e kërkimit

Aeroplani me dhjetë persona zhduket në Alaska – autoritetet amerikane nisin misionin e kërkimit

Një aeroplan Cessna me dhjetë persona në bord është zhdukur gjatë një fluturimi në Alaska, sipas autoriteteve lokale dhe shtetërore.

Aeroplani i Bering Air, ishte duke shkuar nga Unalakleet për në Nome, dy qytete në perëndim të Alaskës, të ndara nga kanali Norton Sound, sipas Policisë Shtetërore të Alaskës.

Agjencia e policisë shtetërore u njoftua pasdite të enjten për humbjen e një aeroplani me nëntë pasagjerë dhe një pilot në bord, thuhej në një mesazh të shpërndarë në faqen e saj të internetit, shkruan cnn.


Departamenti i Zjarrfikësve Vullnetarë të Nome njoftoi në Facebook se po kryente kërkime aktive në tokë nga Nome dhe White Mountain, por ishte i kufizuar në kërkimet ajrore për shkak të kushteve të këqija të motit dhe dukshmërisë. Garda Bregdetare dhe Forca Ajrore amerikane është angazhuar për të ndihmuar, me fluturime të planifikuara për të analizuar zonën dhe për të tentuar të gjejnë aeroplanin e humbur, tha departamenti.

“Lokacioni i saktë i aeroplanit ende nuk dihet. Ne vazhdojmë të zgjerojmë përpjekjet e kërkimit në sa më shumë mundësi të jetë e mundur derisa të gjendet aeroplani”, shkroi departamenti i zjarrfikësve.

Ai u bëri thirrje publikut që të mos formojnë grupe kërkimi të tyre për shkak të kushteve të motit dhe shqetësimeve për sigurinë.

Ndryshe, sipas të dhënave nga gjurmuesi i fluturimeve FlightRadar 24, aeroplani u pa për herë të fundit mbi Norton Sound rreth orës 3:16 pasdite sipas orës standarde të Alaskës. /Telegrafi/